Në hijen e suksesit, aty ku dritat rrallë ndalen, qëndron një grup njerëzish që mbajnë mbi supe themelet e çdo arritjeje. Te AF Elbasani, përkrah Ivan Gvozdenoviç, janë pikërisht “krahët e djathtë” të tij që kanë ndërtuar me përkushtim një identitet të fortë gjatë këtyre viteve.
Hektor Idrizaj dhe Orgesat Gava, dy ndihmës trajnerë me energji dhe përqendrim, janë zëri që përkthen idetë në veprim. Ata jetojnë çdo seancë stërvitore me intensitet, duke u siguruar që çdo detaj të marrë formë në fushë. Një rol kyç në këtë strukturë ka edhe Elvis Kotorri, trajneri i portierëve, që me përvojën dhe punën e tij të përditshme kujdeset për një nga repartet më delikate të skuadrës, duke ndërtuar siguri dhe besim mes shtyllave.

Në prapaskenë, aty ku ndeshjet fitohen para se të luhen, qëndron Denis Asllani, në rolin e ndihmës trajnerit dhe videoanalistit, i cili me analizën e tij të hollësishme i jep skuadrës një sy më shumë, një avantazh që shpesh bën diferencën.
Një rol thelbësor në këtë strukturë ka edhe Lorin Xhaferraj, përgatitësi atletik që siguron intensitetin, gjendjen fizike dhe qëndrueshmërinë e skuadrës në çdo seancë dhe çdo ndeshje. Puna e tij në heshtje reflektohet në ritmin, forcën dhe freskinë që Elbasani shfaq në fushë deri në minutat e fundit.

Por “truri” i këtij projekti mbetet Elton Guranjaku, drejtori sportiv që ka ditur të ndërtojë një vizion të qartë dhe të qëndrueshëm. Ai është arkitekti i këtij rrugëtimi pesëvjeçar, njeriu që ka bashkuar pjesët për të krijuar një mekanizëm që funksionon me saktësi.
Pazëlli i këtij grupi plotësohet nga Armand Memetaj, team manager-i që mban të lidhura fijet e përditshmërisë dhe harmonizon çdo detaj jashtë vijave të fushës, duke i dhënë skuadrës qetësinë e nevojshme për të menduar vetëm për lojën.

Dhe tani, përballë Vllaznisë, lind pyetja që të gjithë bëjnë: çfarë kanë përgatitur? Ndoshta përgjigjja fshihet në punën e heshtur të këtij grupi, në strategjitë e menduara, në analizat e detajuara dhe në besimin e ndërsjellë. Sepse kur një skuadër funksionon si një e tërë, surprizat nuk janë rastësi, por rezultat i një pune të ndërtuar me kujdes, që po e bën Elbasanin të ëndërrojë.


