TIRANË ,28 korrik 2026/Albania Express News/-Gjykata e Lartë rrëzoi rekursin e Fatime Kryemadhit, e cila u ankua për vendimin e ndërmjetëm të GJKKO-së, që kur u tërhoq nga kërkesa për gjykim të shkurtuar, kërkesa nuk iu pranua.
Siç raporton gazetarja e Top Channel, Anila Hoxha, vendimi u dha sot nga Gjykata e Lartë, e cila deklaroi se nuk e pranon ankimin e veçantë të të pandehurës Fatime Kryemadhi kundër vendimit të ndërmjetëm të datës 15.06.2026, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.
Sakaq, gjyqi i themelit, ku Fatime Kryemadhi, Ema Coku dhe Pirro Xhixho janë të pandehur, është shtyrë në muajin shtator për shkak të pushimeve që gjykata i merr në gusht. Në këtë proces, të veçuar nga Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi, SPAK ka shpallur pretencën ndaj të treve, ndërsa është radha e të akuzuarve për t’u mbrojtur.

