Parlamenti i Kanadasë nderon 25 histori suksesi të diasporës shqiptare: Nga refugjatë lufte në modele integrimi dhe kontributi

KANADA /OTTAWA ,22 korrik 2026/Albania Express News/ – Parlamenti i Kanadasë ka vlerësuar dhe nderuar 25 histori frymëzuese të diasporës shqiptare, në një ceremoni të veçantë kushtuar refugjatëve që kanë dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në shoqërinë kanadeze.

Aktiviteti me titull “25@25: Refugees Making a Difference”, i organizuar nga Fondacioni Artistè në bashkëpunim me deputetin federal kanadez Kyle Seeback, solli në vëmendje rrugëtimin e shqiptarëve të cilët, pas largimit nga Kosova gjatë periudhës së luftës, nisën një kapitull të ri jete në Kanada dhe arritën të ndërtojnë karriera të suksesshme.

Ceremonia u zhvillua në një atmosferë vlerësimi dhe mirënjohjeje për kontributin e refugjatëve në vendin pritës, duke nxjerrë në pah se shumë prej tyre janë shndërruar në profesionistë të spikatur, liderë komunitarë dhe figura me ndikim në fusha të ndryshme të jetës publike.

Mes 25 personaliteteve të nderuara ishin mjekë, avokatë, sipërmarrës, gazetarë, studiues, aktivistë, shkencëtarë dhe sportistë, të cilët përmes punës dhe përkushtimit të tyre kanë kontribuar në zhvillimin e Kanadasë.

Në mesin e të vlerësuarve ishin avokatja Arnisa Morina, aktivisti i të drejtave të njeriut Remzi Cej, mjeket Hylkije Ymeri, Ryve Loshaj dhe Qendresa Sahiti, sipërmarrësi Dardan Kelmeni, futbollisti Lirim Hajrullahu, studiuesja Leonora Abdullahu, gazetari Xhemajl Rexha, aktivistja Shpresa Loshaj, si dhe shumë emra të tjerë që kanë lënë gjurmë në jetën profesionale dhe shoqërore kanadeze.

Vlerësimi nuk u përqendrua vetëm te arritjet profesionale, por edhe te historitë personale të sakrificës, përballimit të vështirësive, integrimit dhe ndërtimit të një jete të re larg vendlindjes.

Organizatorët theksuan se këto histori janë dëshmi se refugjatët nuk përfaqësojnë vetëm periudha të vështira të së kaluarës, por edhe potencial, sukses dhe kontribut për shoqëritë ku jetojnë.

“25@25” u kthye kështu në një homazh për komunitetin shqiptar në Kanada, duke evidentuar rolin e tij në ekonomi, shëndetësi, drejtësi, media, sport, shkencë dhe fusha të tjera.

Ceremonia në Parlamentin kanadez shënoi një tjetër moment të rëndësishëm për diasporën shqiptare, duke promovuar mesazhin se integrimi dhe puna e palodhur mund të shndërrojnë historitë e sfidave në histori suksesi dhe frymëzimi për brezat e ardhshëm.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME

Dinamo City ndryshon “fytyrë” në Slloveni, Ilir Daja zgjedh formacionin zyrtar ndaj Aluminij

SLLOVENI ,23 korrik 2026/Albania Express News/-Dinamo City  zbret sonte...

Tani është zyrtare, Luka Modric rinovon kontratën me Milanin deri në vitin 2027

MILANO ,23 korrik 2026/Albania Express News/-Luka Modrić do të...

Ismail Shehu zgjidhet kryetar i Komisionit të Prokurimit Publik, Kuvendi miraton kandidaturën

TIRANË ,23 korrik 2026/Albania Express News/-Kuvendi i Shqipërisë ka...