IZRAEL ,27 korrik 2026/Albania Express News/-Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka reaguar ndaj deklaratave të kryebashkiakut të New York-ut, Zohran Mamdani, duke e akuzuar atë për “nxitje të urrejtjes” dhe për përçarje të komuniteteve në qytet.
Në një intervistë për Fox News, Netanyahu tha se do të marrë pjesë në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së këtë vjeshtë në New York, pavarësisht deklaratave të mëparshme të Mamdanit se do ta arrestonte në bazë të urdhër-arrestit të lëshuar nga Gjykata Ndërkombëtare Penale (ICC).
“Nuk jam i shqetësuar. Ai duhet të jetë kryebashkiak i të gjithë qytetarëve, hebrenjve, myslimanëve, të krishterëve dhe të gjithëve, jo të nxisë përçarje mes tyre“, u shpreh Netanyahu.
Deklaratat e tij erdhën pasi Mamdani pranoi javën e kaluar se nuk ka kompetenca ligjore për të zbatuar urdhër-arrestin e ICC-së ndaj kryeministrit izraelit. Ai sqaroi se administrata e qytetit kishte shqyrtuar ligjin dhe kishte arritur në përfundimin se një veprim i tillë nuk është në juridiksionin e bashkisë.
Megjithatë, Mamdani ritheksoi se Netanyahu “nuk është i mirëpritur në New York” dhe i bëri thirrje autoriteteve federale amerikane të ndërmarrin veprime nëse ai viziton qytetin.
Netanyahu iu referua edhe dy sulmeve me thikë të ndodhura së fundmi në New York, ku u plagosën një burrë hebre dhe një burrë aziatik. Sipas policisë, i dyshuari bërtiti “Allahu Akber” gjatë sulmeve dhe tashmë përballet me akuza për krime urrejtjeje. Kryeministri izraelit tha se komuniteti hebre në qytet ndihet i pasigurt pas këtyre ngjarjeve.
Mamdani, i njohur për qëndrimet e tij pro-palestineze, e ka cilësuar më herët Netanyahun “kriminel lufte” dhe gjatë fushatës së tij kishte premtuar se do të zbatonte urdhër-arrestin e ICC-së ndaj tij.
Gjykata Ndërkombëtare Penale lëshoi në vitin 2024 urdhër-arrest ndaj Netanyahut për akuza lidhur me krime lufte në Gaza. Izraeli i ka hedhur poshtë këto akuza, duke i cilësuar ato si të pabaza.

