“Nomad Lawyer”: Korça, Pogradeci dhe Përmeti, destinacionet që po i japin Shqipërisë një tjetër dimension turistik

TIRANË ,19 shtator 2026 /Albania Express News/-Shqipëria po zgjeron hartën e saj turistike përtej plazheve, duke tërhequr gjithnjë e më shumë vizitorë drejt qyteteve historike, zonave malore, luginave të lumenjve dhe destinacioneve rurale.

Një artikull i publikuar së fundmi nga platforma ndërkombëtare e udhëtimeve dhe turizmit “Nomad Lawyer” veçon Korçën, Pogradecin, Përmetin, Gjirokastrën, Shkodrën, Dibrën dhe Lezhën si destinacione ku turizmi po zhvillohet me ritme të konsiderueshme.

Sipas të dhënave të cituara në artikull, në vitin 2023 Shqipëria kishte rreth 58 mijë dhoma dhe 130 mijë vende akomodimi, ndërsa numri i strukturave akomoduese ishte rreth 24.7% më i lartë krahasuar me vitin 2021.

Rritja është e dukshme edhe në disa prej destinacioneve të turizmit të brendshëm.

Në Korçë, numri i strukturave akomoduese u rrit nga 120 në vitin 2021 në 135 në vitin 2023. Në Gjirokastër, nga 60 në 75, ndërsa në Shkodër nga 150 në 175 struktura. Në Lezhë, numri u rrit nga 75 në 90.

Një nga rastet më të spikatura është Dibra, ku numri i strukturave akomoduese u rrit me rreth 40% në periudhën 2021–2023, duke reflektuar interesin në rritje për turizmin malor dhe rural.

Nga bregdeti drejt maleve, liqeneve dhe luginave

Sipas “Nomad Lawyer”, turistët po kërkojnë gjithnjë e më shumë destinacione ku mund të kombinojnë natyrën, historinë, kulturën dhe traditat lokale.

Në këtë hartë të re turistike, Përmeti zë një vend të veçantë falë natyrës, lumit Vjosa dhe trashëgimisë së pasur lokale.

Banjat Termale të Bënjës, kanioni i Lengaricës dhe Ura e Kadiut janë ndër atraksionet kryesore të zonës, ndërsa gastronomia tradicionale, përfshirë glikonë, reshedinë dhe gatimet lokale, plotëson përvojën e vizitorëve.

Një tjetër itinerar me potencial të madh është ai që lidh Korçën me Pogradecin, duke ndërthurur trashëgiminë historike dhe kulturore të Korçës me peizazhin e Liqenit të Ohrit.

Në këtë itinerar përfshihen edhe Lini dhe Leskoviku, duke krijuar mundësi për një udhëtim që kombinon qytetet historike, fshatrat tradicionalë, zonat malore dhe peizazhet liqenore.

Gjirokastra, me arkitekturën karakteristike prej guri dhe trashëgiminë e saj të mbrojtur nga UNESCO, mbetet një prej pikave kryesore të turizmit kulturor shqiptar.

Ndërkohë, rritja e numrit të strukturave akomoduese në Shkodër dhe Lezhë tregon zgjerimin e ofertës turistike edhe në veri të vendit.

Turizëm në të gjitha stinët

Artikulli sugjeron se fundi i pranverës dhe vjeshta janë periudha veçanërisht të përshtatshme për eksplorimin e Shqipërisë së brendshme, për shkak të temperaturave më të favorshme dhe flukseve më të ulëta turistike krahasuar me muajt e pikut të verës.

Një prej itinerareve të propozuara nis në Tiranë dhe vijon drejt Linit, Pogradecit, Korçës, Leskovikut, Përmetit dhe Gjirokastrës, duke ofruar një kombinim të natyrës, historisë, kulturës dhe gastronomisë.

Kjo prirje vjen në një periudhë kur turizmi shqiptar po vijon rritjen. Sipas shifrave të cituara në artikull, gjatë gjashtë muajve të parë të vitit 2026 Shqipëria regjistroi rreth 5 milionë hyrje të shtetasve të huaj, kundrejt rreth 4.8 milionë në të njëjtën periudhë të vitit 2025.

Ndërkohë, të ardhurat neto nga turizmi gjatë gjysmës së parë të vitit 2026 vlerësohen në rreth 2.4 miliardë euro, nga rreth 2.1 miliardë euro një vit më parë.

Sfida: zhvillim dhe mbrojtje e trashëgimisë

Krahas rritjes së numrit të turistëve dhe zgjerimit të ofertës, artikulli evidenton edhe sfidën e ruajtjes së natyrës dhe trashëgimisë kulturore.

Vjosa përmendet si një prej shembujve të turizmit të bazuar te natyra, ku zhvillimi ekonomik i komuniteteve lokale synohet të shkojë paralelisht me mbrojtjen e ekosistemit.

Edhe zhvillimi i bujtinave dhe strukturave të vogla turistike në ndërtesa tradicionale shihet si një mundësi për të ruajtur karakterin historik dhe kulturor të qyteteve e fshatrave.

Përtej plazheve të njohura, Shqipëria po ndërton kështu një hartë turistike gjithnjë e më të diversifikuar, ku Korça, Pogradeci, Përmeti, Gjirokastra, Shkodra, Lezha, Dibra, Lini dhe Leskoviku po fitojnë një rol gjithnjë e më të rëndësishëm në zhvillimin e turizmit kulturor, natyror dhe rural.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME

Egnatia mposht Partizanin, kampionët rikthehen te fitorja

RROGOZHINË, 20 shtator 2026 /Albania Express News/- Egnatia është...

Presheva në fokus të investimeve: Kurti dhe diaspora shqiptare diskutojnë për potencialin ekonomik të rajonit

PRESHEVË/SHBA, 20 shtator 2026 /Albania Express News/- Në kuadër...

Milani rikthehet te fitorja, mposht bindshëm Leccen dhe afrohet me kreun

MILANO, 20 shtator 2026 /Albania Express News/ – Milani...