TIRANË , 20 nëntor 2026 / Albania Express News /-Presidenti i Dinamos , Ardian Bardhi, reagon ashpër ndaj skuadrës pas disfatës në “Elbasan Arena”. Paralajmërim i fortë për lojtarët dhe stafin: Nuk ka më justifikime, kush nuk jep gjithçka për fanellën, të largohet!
Humbja përballë AF Elbasanit ka shkaktuar pakënaqësi të fortë në kampin dinamovit. Presidenti i klubit, Ardian Bardhi, ka reaguar me tone të ashpra ndaj skuadrës, duke e cilësuar paraqitjen e futbollistëve të papranueshme dhe larg pritshmërive që kërkon emri dhe historia e klubit kryeqytetas.
Përmes një mesazhi të drejtpërdrejtë drejtuar lojtarëve dhe pjesëtarëve të stafit, Bardhi ka kërkuar më shumë përgjegjësi, karakter, sakrificë dhe përkushtim në fushën e lojës. Kreu i Dinamos nuk i ka kursyer kritikat, duke vënë në dukje se investimi dhe korrektësia financiare e klubit duhet të shoqërohen me rezultate dhe paraqitje dinjitoze.
“Kjo nuk është Dinamo dhe kjo paraqitje është e papranueshme! Fanella legjendare e këtij klubi kërkon sakrificë, karakter dhe uri për fitore. Jeni ndër më të paguarit në Shqipëri, në klubin më korrekt, por në fushë nuk po i përgjigjeni as besimit, as sakrificës sonë”, shprehet Bardhi.
Mesazhi i presidentit vijon me një paralajmërim të qartë, duke mos lënë hapësirë për justifikime apo tolerim të mëtejshëm.
“Nuk ka më justifikime! Kush nuk e ndien këtë fanellë dhe nuk jep gjithçka për të, lojtar apo pjesëtar i stafit, të largohet që nesër. Dinamo nuk mban askënd me zor!”, përfundon reagimi i tij.
Ky reagim i fortë tregon pakënaqësinë e drejtuesve të Dinamos pas humbjes ndaj AF Elbasanit dhe paralajmëron një klimë të re kërkesash dhe përgjegjësish brenda skuadrës.
Tashmë mbetet për t’u parë se si do të reagojë ekipi në ndeshjet e ardhshme dhe nëse fjalët e presidentit do të shoqërohen me ndryshime konkrete në përbërjen apo stafin e skuadrës.
Një gjë është e qartë: në Dinamo, pas kësaj humbjeje, durimi duket se ka marrë fund!

