NGA FATMIR POPJA
LIBRAZHD ,19 shtator 2026 /Albania Express News/-Qendra e qytetit të Librazhdit është kthyer këtë fundjavë në një hapësirë të veçantë promovimi për bletarinë, produktet vendase, traditën dhe ekonominë lokale, në kuadër të edicionit të nëntë të “Festës së Mjaltit”.
E nisur për herë të parë në shtator të vitit 2017, kjo festë është shndërruar tashmë në një traditë të rëndësishme për bletërritësit, fermerët dhe komunitetin e Librazhdit.

Nga 5 600 në 7 500 koshere
Bletaria në zonën e Librazhdit ka një trashëgimi të hershme dhe vitet e fundit sektori ka njohur një zhvillim të vazhdueshëm.
Në vitin 2017, në zonën e Librazhdit ishin të regjistruara rreth 5 600 koshere me bletë, ndërsa sot numri ka arritur në rreth 7 500 koshere.
Sipas të dhënave të prezantuara në kuadër të aktivitetit, Librazhdi prodhon rreth 150 tonë mjaltë në vit, një produkt që konsumohet në tregun vendas, por që kërkohet edhe jashtë zonës dhe, në raste të caktuara, edhe përtej kufijve të Shqipërisë.
Pozita gjeografike e Librazhdit, pasuria e bimësisë, pyjet, kullotat dhe plantacionet e pemëve krijojnë kushte të favorshme për zhvillimin e bletarisë dhe ndikojnë në karakteristikat e mjaltit të prodhuar në këtë zonë.

Rreth 70 bletërritës në një festë
“Festa e Mjaltit” ka mbledhur rreth 70 bletërritës, të cilët kanë promovuar produktet e tyre dhe kanë krijuar një hapësirë për shkëmbimin e eksperiencave dhe diskutimin e problematikave të sektorit.
Përveç mjaltit, në stendat e panairit janë promovuar edhe produkte të tjera të bletarisë, si poleni, propolisi, qumështi i bletës dhe dylli.
Dylli i bletës shndërrohet gjithashtu në produkte artizanale, mes tyre qirinj dhe dekorime të ndryshme, duke i dhënë vlerë të shtuar prodhimit vendas.

Bletaria po lidhet gjithnjë e më shumë edhe me turizmin. Bujtinat dhe restorantet e zonës përdorin dhe promovojnë produktet vendase për vizitorët, duke krijuar një lidhje mes bujqësisë, gastronomisë lokale dhe turizmit rural.
Deon Qoshku, 4 vjeç, bëhet imazhi i festës
Mes dhjetëra bletërritësve dhe produkteve të ekspozuara, vëmendjen e të gjithëve e tërhoqi një “bletar” shumë i vogël.
Deon Qoshku, vetëm 4 vjeç, djali i sipërmarrësit të bletarisë në Librazhd, Drini Qoshku, u shfaq në aktivitet i veshur me kostumin e një bletari.

Pamja e tij tërhoqi menjëherë vëmendjen e qytetarëve dhe të ftuarve. Shumë prej tyre ndaluan për të bërë foto dhe video me 4-vjeçarin, i cili pa plan u kthye në një nga personazhet më të fotografuara të “Festës së Mjaltit”.
Me Deonin dhe babain e tij, Drini Qoshku, bisedoi edhe ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla, duke u interesuar për aktivitetin dhe përvojën e familjes në fushën e bletarisë.
Përtej momentit festiv, prania e një fëmije të vogël të veshur si bletar solli edhe një simbolikë të veçantë: lidhjen e brezit të ri me traditën, punën dhe prodhimin vendas.

Balla dhe bletari, një batutë që shkaktoi të qeshura
Një tjetër moment që tërhoqi vëmendjen gjatë aktivitetit ishte edhe një batutë mes Kryetarit të Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, dhe bletarit Qani Shebeku.
Teksa Balla vizitonte stendat e bletarëve dhe provonte produktet e panairit, iu drejtua bletarit me pyetjen:
Taulant Balla: “E shikoni kush ia ha mjaltin opozitës?”
Qani Shebeku: “Pozita…”
Përgjigjja u shoqërua me të qeshura dhe batuta mes të pranishmëve, duke sjellë një moment të lehtë humori në atmosferën festive të panairit.

Mjalti si pjesë e ekonomisë dhe turizmit të Librazhdit
“Festa e Mjaltit” nuk është vetëm një aktivitet për bletërritësit. Në të marrin pjesë edhe fermerë dhe prodhues të tjerë të zonës, të cilët promovojnë produkte bujqësore, blegtorale dhe artizanale.
Kështu, aktiviteti synon të krijojë një hapësirë ku prodhimi vendas, tradita, artizanati, gastronomia dhe turizmi rural ndërthuren në funksion të promovimit të Librazhdit.
Rritja e numrit të koshereve dhe e prodhimit tregon edhe interesin në rritje për bletarinë si aktivitet ekonomik, ndërsa organizimi i bletërritësve në një rrjet të përbashkët krijon mundësi për shkëmbim eksperiencash, bashkëpunim dhe zgjerim të tregut.
Një nga çështjet e reja të diskutuara nga bletërritësit lidhet edhe me prodhimin dhe përpunimin e helmit të bletës, si një produkt me potencial për përdorime të ndryshme. Për çdo përdorim mjekësor kërkohen studime shkencore, standarde të posaçme dhe përmbushja e kërkesave ligjore përkatëse.

Një traditë që kërkon të shkojë më tej
Nëntë vite pas organizimit të parë, “Festa e Mjaltit” tashmë është kthyer në një nga aktivitetet që identifikojnë Librazhdin me bletarinë dhe produktet e saj.
Nga rreth 5 600 koshere në vitin 2017, në rreth 7 500 koshere sot, dhe me një prodhim vjetor të deklaruar rreth 150 tonë mjaltë, sektori po fiton një peshë gjithnjë e më të madhe në ekonominë lokale.
Festa është njëkohësisht një mundësi për të promovuar punën e bletërritësve, produktet e zonës dhe potencialin turistik të Librazhdit.
“Festa e Mjaltit” mbetet kështu një festë e punës, traditës dhe natyrës së Librazhdit – një aktivitet që bashkon prodhuesit, fermerët, qytetarët dhe vizitorët rreth një prej produkteve më të identifikueshme të kësaj zone.



