NGA FATMIR POPJA
ELBASAN ,9 qershor 2026/Albania Express News/Ka nisur sezoni i gërmimeve arkeologjike për vitin 2026 në kuadër të projektit kërkimor “Lagja romake-bizantine jashtë mureve të Castrum Scampis – Bazilika Paleokristiane”, një iniciativë e Institutit të Arkeologjisë pranë Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.
Që në javën e parë të punimeve, arkeologët kanë evidentuar elementë të rinj me rëndësi të veçantë shkencore, të cilët ndihmojnë në kuptimin më të plotë të evolucionit të monumentit gjatë shekujve V-VI, si dhe të zhvillimit ekonomik, kulturor dhe shoqëror të qytetit antik të Scampis.
Sipas specialistëve, Scampis po konfirmon gjithnjë e më shumë rolin e tij si qendra më e rëndësishme përgjatë Via Egnatia në territorin e Shqipërisë gjatë Antikitetit të Vonë, duke shfaqur karakteristika që e vendosin atë si një urë lidhëse mes botës kulturore lindore dhe asaj perëndimore.Sipas drejtuesit të punimeve ,arkeologut Elio Hobdari ,kërkimet aktuale synojnë të përcaktojnë me saktësi fazat e ndërtimit dhe përdorimit të bazilikës, ndërsa po studiohen edhe gjurmët e okupimeve më të vona, përfshirë ndërtime dhe rindërtime të shekullit XX. Analiza e këtyre ndërhyrjeve ka bërë të mundur zbulimin e dyshemeve të një faze më të hershme të monumentit, të njohur deri tani vetëm në mënyrë hipotetike.
Gërmimet kanë treguar se kisha ka kaluar të paktën dy rindërtime madhore me nivel të lartë arkitektonik dhe artistik, të shoqëruara me vendosjen e mozaikëve të rinj dhe modifikime të tjera strukturore.
Një tjetër aspekt me interes të veçantë janë mbishkrimet e zbuluara, të cilat paraqiten si në gjuhën latine ashtu edhe në atë greke, duke dëshmuar bashkëjetesën e tyre në këtë qendër të rëndësishme urbane. Po ashtu, në mbishkrime përmenden edhe anëtare femra të klerit, diakonesha, një element që vijon të konfirmohet në kontekstin e Scampis.
Studiuesit theksojnë se ngritja e niveleve të dyshemeve dëshmon ndikimin e prurjeve ujore në territorin e vendbanimit dhe ofron të dhëna të vlefshme për lokalizimin e shtresave më të hershme romake, të cilat ende nuk janë dokumentuar plotësisht. Zbulimet e këtij sezoni pritet të sjellin informacione të reja për historinë e një prej qendrave më të rëndësishme të Shqipërisë së lashtë. Germimet janë ende larg perfundimit dhe nevojitet ende punë për të krijuar një vizion për mënyren e vlerësimit dhe prezantimit të saj, si dhe integrimit me elementët e tjere urbane te qendres se Elbasanit.
Arkeologu Erikson Nikolli sqaron se aktualisht është zbuluar një dysheme me mozaik edhe më i hershem se mendohet në bazilikën paleokristiane jashtë mureve të Kalasë së Elbasanit. Paneli kryesor i mozaikut i zbuluar sipas Nikollit i perket ambientit të absides ku paraqitet skena e eukaristisë e përberë nga një kantaros dhe dy pallonj në dy anët e tij. Në këtë panel ,suprizë ishin dalja në dritë edhe e një mbishkrimi ku përmenden dy dhuruesit e mozaikut, Euryudice një diakoneshe si dhe Victorinus. Po ashtu dy panele të tjera u zbuluan në ambientit e sanktuarit me motivet e luspave të peshkut dhe te gjetheve te Hederas. Mozaiku është i një cilësie të mirë dhe paraqet një rast të realizimit nga punishtet që punonin në via-n Egnatia.


