TIRANË, 01 tetor 2026 /Albania Express News/- Kryeministri Edi Rama ka publikuar në rrjetet sociale një fotografi ku shfaqet së bashku me bashkëshorten e tij, Linda Rama, në një takim me Presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, gjatë vizitës së tij në SHBA.
Në postimin e tij, Rama ka shoqëruar fotografinë me një koment ironik, duke iu referuar pretendimeve se ai nuk ishte takuar me Presidentin amerikan.
“Meqë s’e takova dot, siç thanë ata që çfarë nuk thonë, po asgjë s’bëjnë e s’na bëjnë dot, u detyrova ta bëj me IA. Po thuajuni atyre të bëjnë kujdes, se dro del që s’është IA dhe dalin prapë si kokrrat e kandarit”, shkruan Rama.
Publikimi vjen pas vizitës disaditore të Kryeministrit shqiptar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në kuadër të pjesëmarrjes në punimet e Asamblesë së Përgjithshme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara në Nju-Jork.
Gjatë qëndrimit në SHBA, Rama u shoqërua nga Linda Rama dhe delegacioni zyrtar shqiptar. Ai mbajti fjalim në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së dhe zhvilloi takime e aktivitete me përfaqësues të diasporës shqiptare.
Fotografia e publikuar nga Kryeministri është shoqëruar me reagime në rrjetet sociale, ndërsa vetë Rama e ka përdorur postimin për të ironizuar debatin e krijuar rreth një takimi të mundshëm me Presidentin Trump.

