ELBASAN ,22 korrik 2026/Albania Express News/-Bashkia Elbasan ka njoftuar nisjen e procedurave për pajisjen e qytetarëve me Kartën e Parkimit për Rezidentët, një shërbim që synon të lehtësojë procedurat administrative dhe të afrojë shërbimet pranë banorëve.
Sipas njoftimit zyrtar, kjo nismë mbështetet në dispozitat e Ligjit nr. 139/2015 “Për vetëqeverisjen vendore”, Ligjit nr. 9920/2008 “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”, Ligjit nr. 68/2017 “Për financat e vetëqeverisjes vendore”, si dhe në aktet e Këshillit Bashkiak që rregullojnë tarifën e parkimit për rezidentët.
Të drejtën për të aplikuar e kanë të gjithë qytetarët që janë rezidentë në zonat ku aplikohet sistemi i parkimit me pagesë për banorët. Aplikimi kryhet pranë zyrës së Rajonit Administrativ përkatës, ku qytetarët duhet të dorëzojnë dokumentacionin identifikues dhe të mjetit, përfshirë certifikatën familjare ose të rezidencës, si dhe lejen e qarkullimit të automjetit.
Tarifa vjetore për pajisjen me Kartën e Parkimit për Rezidentët është 2 mijë lekë, ndërsa pagesa kryhet direkt në zyrën e Rajonit Administrativ. Pas kryerjes së pagesës, qytetarëve u lëshohet menjëherë mandat-arkëtimi zyrtar, në përputhje me rregullat financiare në fuqi.
Bashkia Elbasan fton të gjithë banorët që plotësojnë kriteret të paraqiten pranë Rajonit të tyre Administrativ për të përfituar këtë shërbim. Për çdo informacion apo sqarim shtesë, qytetarët mund të drejtohen pranë zyrave të Rajoneve Administrative ose pranë Sektorit të Menaxhimit të Transportit Publik në Bashkinë Elbasan.

