Një nismë e re me fokus mbrojtjen e mjedisit ka marrë jetë në zonën e Parku Kombëtar Shebenik, ku 20 nxënës dhe mësues nga shkolla “Isak Alla” në Zgosht i janë bashkuar zyrtarisht “Grupit të Alarmit” ,një strukturë vullnetare që synon ruajtjen dhe promovimin e pasurive natyrore lokale.

Kjo nismë, e mbështetur nga Forumi i Mendimit të Lirë, vjen si një hap konkret për të përfshirë komunitetin, veçanërisht të rinjtë, në mbrojtjen aktive të një prej zonave më të rëndësishme të biodiversitetit në vend. Nxënësit pjesëmarrës janë banorë të zonave që shtrihen brenda parkut, duke e konsideruar atë jo thjesht një pasuri natyrore, por “shtëpinë” e tyre të përditshme.

Në takimin informues dhe organizativ mori pjesë edhe drejtori i Administrata Rajonale e Zonave të Mbrojtura Elbasan, Ardit Kullafi, i cili prezantoi vlerat unike të parkut, duke u ndalur te flora dhe fauna e pasur që karakterizon këtë zonë të mbrojtur. Një nga momentet më të rëndësishme ishte ndarja e lajmit për zbulimin e një tjetër vendbanimi të Rrëqebulli i Ballkanit ,një zhvillim i rëndësishëm për biodiversitetin shqiptar dhe një tregues pozitiv për rikuperimin e kësaj specieje të rrallë.

Përfaqësues të pushtetit vendor theksuan gjatë aktivitetit rëndësinë e shumëfishtë që ka parku ,jo vetëm në aspektin ekologjik, por edhe ekonomik për banorët e zonës, duke i nxitur ata të kontribuojnë aktivisht në mbrojtjen dhe zhvillimin e qëndrueshëm të tij.
Ky organizim u zhvillua në kuadër të projektit “PAMANCA – Zonat e Mbrojtura kanë Rëndësi – Avokim për Ruajtjen e Natyrës në Shqipëri”, financuar nga Bashkimi Europian dhe zbatuar nga Eco Albania, në partneritet me organizatën “Respublika” dhe Forumin e Mendimit të Lirë.

Ngritja e “Grupit të Alarmit” në Parkun Kombëtar Shebenik shihet si një model i ri bashkëpunimi mes institucioneve, organizatave dhe komunitetit, duke sjellë një frymë të re angazhimi qytetar për mbrojtjen e natyrës shqiptare.


