Nga arrestimet e SPAK te polarizimi politik/ Parlamenti Europian publikon studimin mbi hapat e Shqipërisë drejt integrimit në BE, ja vlerësimet dhe kritikat

TIRANË , 12 nëntor 2026/Albania Express News/-Shqipëria konsiderohet një nga dy vendet pararojë të Ballkanit Perëndimor në procesin e integrimit europian, por përshpejtimi i negociatave me Bashkimin Europian nuk është shoqëruar ende me zgjidhjen e të gjitha problematikave strukturore.

Në një studim analitik të Parlamentit Europian, që shqyrton ecurinë e Shqipërisë dhe Malit të Zi drejt anëtarësimit në BE, evidentohen arritjet e vendit në reformën në drejtësi dhe përafrimin me politikat europiane, por edhe sfidat që mbeten në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, pavarësinë e institucioneve dhe forcimin e shtetit të së drejtës.
Në një analizë mbi ecurinë e zgjerimit të BE-së, Shqipëria vlerësohet për angazhimin e vazhdueshëm politik drejt integrimit europian dhe për ritmin e shpejtë të negociatave të anëtarësimit. Sipas dokumentit, vendi synon të përfundojë negociatat teknike deri në fund të vitit 2027, një objektiv ambicioz që do të kërkojë vijimësi në reformat e ndërmarra dhe rezultate konkrete në zbatimin e tyre.

Shqipëria hapi negociatat për anëtarësim në korrik 2022 dhe, gjatë viteve 2024-2025, arriti të hapë të gjashtë grupkapitujt negociues. Një tjetër moment i rëndësishëm ishte përmbushja e kritereve të ndërmjetme për Grupkapitullin 1, “Themeloret”, në maj 2026, duke i hapur rrugë përcaktimit të kritereve për mbylljen e kapitujve. Në korrik 2026, vendi shënoi një tjetër hap përpara me mbylljen provizore të tre kapitujve të parë.
Reforma në drejtësi dhe SPAK – Një ndër arritjet kryesore të Shqipërisë në procesin e integrimit konsiderohet reforma në drejtësi e vitit 2016, e cila përfshiu procesin e vettingut për gjyqtarët dhe prokurorët. Kjo reformë, pavarësisht vështirësive dhe problemeve institucionale që shkaktoi gjatë zbatimit, është vlerësuar nga institucionet europiane si dëshmi e vullnetit politik për të adresuar problematikat strukturore të sistemit të drejtësisë.
Në dokument theksohet gjithashtu roli i SPAK dhe Byrosë Kombëtare të Hetimit në hetimin e rasteve të korrupsionit në nivele të larta dhe të personave të ekspozuar politikisht. Progresi i këtyre institucioneve dhe pavarësia e SPAK vlerësohen si zhvillime pozitive.
Megjithatë, Bashkimi Europian kërkon konsolidimin e rezultateve, veçanërisht sa i përket dënimeve përfundimtare në çështjet e profilit të lartë. Shqetësime mbeten edhe efektiviteti i sekuestrimit dhe rikuperimit të pasurive të përfituara nga aktiviteti kriminal, si dhe ndikimi i mundshëm politik mbi institucionet e tjera të zbatimit të ligjit.
Shqetësime për polarizimin politik – Analiza evidenton gjithashtu problematika në funksionimin e demokracisë shqiptare. Polarizimi i fortë politik, marrëdhëniet konfliktuale mes palëve dhe përqendrimi i pushtetit kanë ngritur pikëpyetje për funksionimin e mekanizmave të kontrollit dhe balancës, pluralizmin politik dhe pavarësinë e medias.
Një tjetër problematikë është reforma në administratën publike. Pavarësisht ndryshimeve ligjore dhe krijimit të mekanizmave të rinj për menaxhimin e burimeve njerëzore, institucionet europiane evidentojnë mungesë kapacitetesh, politizim të administratës, qarkullim të lartë të punonjësve dhe zbatim jo të qëndrueshëm të parimit të meritokracisë.
Sipas vlerësimit, Shqipëria duhet të përmirësojë rekrutimin mbi bazën e meritës, të kufizojë ndërhyrjet politike në emërimet e niveleve të larta dhe të forcojë koordinimin mes institucioneve që menaxhojnë procesin e integrimit.
Mbështetja për BE-në – Në aspektin e politikës së jashtme, Shqipëria vlerësohet për përputhjen e lartë me qëndrimet e Bashkimit Europian, përfshirë sanksionet dhe masat kufizuese të vendosura ndaj Rusisë pas agresionit në Ukrainë.
Anëtarësimi në NATO dhe orientimi i qëndrueshëm euroatlantik konsiderohen elementë që forcojnë besueshmërinë e Shqipërisë si partner strategjik i BE-së.
Një tjetër avantazh është mbështetja e lartë e qytetarëve për integrimin europian. Sipas të dhënave të përmendura në analizë, sondazhet e Balkan Barometer kanë evidentuar vazhdimisht nivele mbështetjeje mbi 80-90 për qind për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian.
Megjithatë, dokumenti nënvizon se mbështetja e lartë për BE-në nuk përjashton pakënaqësitë e qytetarëve lidhur me qeverisjen, transparencën dhe cilësinë e demokracisë.
Në këtë kontekst përmenden edhe protestat e qershorit 2026 në Tiranë kundër një projekti zhvillimor në zonën e Zvërnecit, të njohura si “Revolucioni i Flamingove”. Ato nisën për shkak të shqetësimeve mbi transparencën, standardet mjedisore dhe përdorimin e pronës publike, por më pas morën një dimension më të gjerë, duke u shndërruar në protesta për qeverisjen e mirë dhe respektimin e parimeve demokratike.
BE kërkon reforma – Sa i përket përfitimeve ekonomike nga integrimi, Shqipëria ka avancuar në afrimin me tregun europian përmes Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit, bashkëpunimit rajonal dhe pjesëmarrjes në programe të ndryshme të BE-së.
Një zhvillim i rëndësishëm është pjesëmarrja në Zonën Unike të Pagesave në Euro (SEPA), e cila synon të ulë kostot dhe të lehtësojë transfertat ndërkufitare në euro për qytetarët dhe bizneset.
Gjithashtu, Shqipëria përfiton nga Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor, i cili lidh mbështetjen financiare të BE-së me realizimin e reformave konkrete. Sipas të dhënave të paraqitura në analizë, vendi ka përmbushur 21 nga 41 reformat e parashikuara, ndërsa ka përfituar pak më shumë se 200 milionë euro nga një fond potencial prej 922 milionë eurosh për një periudhë trevjeçare.
Në përfundim, analiza vlerëson se Shqipëria ka bërë përparim të rëndësishëm në procesin e integrimit europian, por ritmi i negociatave nuk duhet ngatërruar me përmbushjen reale të standardeve të anëtarësimit.
Për të realizuar objektivin e mbylljes së negociatave deri në fund të vitit 2027, vendi duhet të dëshmojë rezultate të qëndrueshme në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, forcimin e institucioneve të pavarura, përmirësimin e administratës publike dhe garantimin e një mjedisi demokratik me media dhe shoqëri civile të pavarur.
Mesazhi kryesor i dokumentit është se perspektiva e besueshme e anëtarësimit në BE mund të nxisë reformat, por anëtarësimi do të varet nga aftësia e Shqipërisë për t’i zbatuar ato në praktikë dhe për të garantuar funksionimin e qëndrueshëm të institucioneve.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME