Ngjyrat e jetës rurale zbresin në Gjinar: Arti, natyra dhe tradita bashkohen në një ekspozitë frymëzuese

NGA FATMIR POPJA

Në zemër të natyrës së gjelbër dhe ajrit të pastër , fshati turistik i Gjinarit në Njësinë Administrative me të njënjtin emër në bashkinë e Elbasanit  u kthye këtë fundjavë në një galeri të hapur arti, ku piktura e peisazhit në telajo , ajo me laps , fotografia dhe trashëgimia kulturore u ndërthurën në një aktivitet që solli një frymë të re për vizitorët vendas dhe të huaj. Një grup piktorësh nga qyteti i Elbasanit , në bashkëpunim me Njësinë Administrative Gjinar dhe zyrën Info-Point, organizuan një ekspozitë të veçantë  të mini kolonisë së piktorëve  të gërshetuar me objekte muzeale karakteristike të zonës së Shpatit.

Kjo nismë artistike solli në fokus jo vetëm bukuritë natyrore të zonës, por mbi të gjitha shpirtin e jetës rurale shqiptare, të reflektuar në çdo tablo dhe fotografi të ekspozuar. Pikturat e paraqitura kishin si motiv kryesor përditshmërinë në fshat , punën në tokë, traditat familjare, kostumet popullore dhe lidhjen e fortë të njeriut me natyrën. Çdo vepër përcillte emocione autentike dhe një histori të gjallë të jetës në zonat rurale, duke e kthyer ekspozitën në një udhëtim vizual për çdo vizitor.

Në këtë aktivitet morën pjesë artistë të njohur si Leonard Bica, Joland Bica, Kristjan Zara, Endrit Haxhijaj, Altin Hoxha, Gazmend Xhaferri etj., të cilët përmes veprave të tyre sollën në pikturën e peisazhit një dimension të ri artistik në promovimin e turizmit lokal.

Një element që i dha edhe më shumë vlerë këtij aktiviteti ishte fakti se ai nuk ishte thjesht një ekspozitë njëditore. Siç theksoi Kristjan Zara, një grup piktorësh  nga Elbasani u vendosën në Gjinar për rreth një javë, duke e kthyer këtë përvojë në një rezidencë të vogël artistike në natyrë. Gjatë kësaj kohe, artistët punuan intensivisht, duke realizuar secili nga një ose më shumë piktura të frymëzuara nga peizazhet mahnitëse të zonës. Sipas tij, kjo javë ishte jo vetëm produktive, por edhe mjaft frymëzuese për bashkëpunimin mes artistëve, të cilët ndanë ide, eksperienca dhe emocione.

Në përfundim të kësaj eksperience, punimet u ekspozuan në mënyrë kreative në muret e jashtme të zyrës së Info Point Tourism Gjinar, duke e bërë artin të aksesueshëm për çdo kalimtar dhe turist. Edhe pse e cilësuar si një ekspozitë modeste, ajo mbartte vlera të mëdha artistike dhe kulturore, duke reflektuar autenticitetin e zonës.

Nga ana e tij, piktori i njohur Gazmend Xhaferri e përshkroi këtë aktivitet si një “minikoloni piktorësh”, një koncept që i ngjan kolonive artistike të njohura, ku krijuesit mblidhen për të punuar dhe për të shkëmbyer ide në një ambient të përbashkët frymëzues. Ai shprehu shpresën që kjo nismë të mos mbetet një event i izoluar, por të kthehet në një traditë të përvitshme për Gjinarin , duke e vendosur këtë zonë edhe më fort në hartën e aktiviteteve kulturore dhe artistike.

Qëllimi i kësaj ekspozite ishte i qartë dhe me objektivin që të ofronte diçka ndryshe për vizitorët e Gjinarit, duke e pasuruar përvojën turistike me elemente kulturore dhe artistike. Në një kohë kur turizmi po kërkon gjithnjë e më shumë autenticitet dhe eksperienca unike, kjo iniciativë u shndërrua në një shembull konkret se si arti mund të shërbejë si urë lidhëse mes traditës dhe zhvillimit ekonomik.

Një rol të rëndësishëm në promovimin e kësaj zone vijon të luajë edhe Ardjan Bërdufi, i cili prej më shumë se 15 vitesh është i përkushtuar në mirëpritjen e turistëve dhe zhvillimin e turizmit lokal. Ai thekson se evente të tilla duhet të jenë më të shpeshta dhe më të larmishme, pasi ndikojnë drejtpërdrejt në përvojën e vizitorëve dhe në rritjen e interesit për këtë destinacion malor.

Angazhimi i tij shtrihet përtej guidës turistike, duke përfshirë promovimin e produkteve bio dhe pasionin për fotografinë, gjithmonë me synimin për të ruajtur dhe promovuar traditat e vyera të zonës. Gjinari është një destinacion i njohur që nga periudha e komunizmit për turistët vendas dhe të huaj dhe vijon të mbetet një perlë e turizmit malor, ku natyra, kultura dhe mikpritja ndërthuren në mënyrë unike.

Ekspozita e organizuar këtë herë është një dëshmi e qartë se kur arti, komuniteti dhe natyra bashkohen, krijohet një ofertë turistike e plotë dhe frymëzuese—një model që meriton të ndiqet dhe të zhvillohet më tej në të ardhmen.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME