Nga legjendat tek arti në xham ,artisti Kreshnik Belba sjell shpirtin e gruas shqiptare përmes vitrazhit artistik dhe mahnit Elbasanin me ekspozitën unike të trashëgimisë shqiptare

NGA FATMIR POPJA

Elbasan,15 maj 2026/Albania Express News/Sheshi përpara hyrjes së Muzeu Etnografik në Elbasan mesditën e djeshme u kthye në një hapësirë të gjallë kujtese dhe emocionesh përmes ekspozitës “Drita e kujtesës përmes legjendave në xham”, të çelur nga artisti Kreshnik Belba .Gjatë këtij eventi mbizotëroi një atmosferë ku arti, historia dhe trashëgimia shpirtërore shqiptare u ndërthurën në mënyrë të jashtëzakonshme.

Nën moton simbolike “Legjenda që kthehen në xham”, artisti solli para publikut një ekspozitë unike me teknikën e veçantë të vitrazhit artistik, duke prezantuar ciklin e punimeve me titull “Vajza që zgjedh”. Përmes dritës, ngjyrës dhe transparencës së qelqit, Belba arriti të rikthejë në jetë katër legjenda shqiptare të mbushura me sakrificë, forcë dhe identitet kombëtar.

Ekspozita u zhvillua në kuadër të projektit DMO Albania dhe EU Policy Hub “Heritage is Our Brand”, një projekt dyvjeçar i financuar nga Bashkimi Europian, i cili synon promovimin dhe edukimin e brezave të rinj me trashëgiminë shpirtërore shqiptare përmes artit, kulturës dhe turizmit.

Punimet e Kreshnik Belbës u frymëzuan nga katër legjenda të rëndësishme të projektit: Kanioni i Holtës, Vrima e Nuses, Kërcimi i Nimfave të Apolonisë dhe Gryka e Vajës. Të gjitha këto histori kanë në thelb figurën e gruas shqiptare dhe sakrificën e saj për liri, dinjitet dhe dashuri për vendin. Përmes teknikës së vitrazhit, artisti arriti të transmetojë jo vetëm bukurinë estetike të legjendave, por edhe emocionin dhe mesazhin që ato mbartin ndër breza.

Këto legjenda janë pjesë e 40 historive të përgatitura nga projekti “Heritage is Our Brand”, të cilat promovojnë pasurinë shpirtërore dhe kulturore të Shqipërisë. Historitë mund të gjenden në platformën zyrtare albaniaheritage.com, ku publikohet edhe historia e Maximus Sabidius dhe Rrugës Egnatia ,një rrëfim i frymëzuar nga guri unik i varrit të legjionarit romak që ndodhet në ambientet e Muzeut Etnografik të Elbasanit. Pikërisht kjo lidhje historike dhe kulturore ishte edhe arsyeja pse aktiviteti u organizua në këtë muze me vlera të veçanta për qytetin.

Në hapje të aktivitetit, Megi Marku përshëndeti të pranishmit, ndërsa Drejtoresha e DMO Albania, Eva Kushova, foli mbi rëndësinë e trashëgimisë shpirtërore shqiptare dhe mënyrën sesi ajo mund të shndërrohet në një aset të rëndësishëm për zhvillimin e turizmit kulturor.

Ajo theksoi se legjendat, gojëdhënat dhe ritualet janë pjesë e identitetit tonë kombëtar dhe përfaqësojnë një mesazh të fuqishëm të përcjellë nga brezat e kaluar tek brezat e rinj.

“Legjendat janë kujtesa jonë shpirtërore. Ato mbartin histori sakrifice, dashurie dhe force, që duhet të ruhen dhe të transmetohen përmes formave moderne të artit”, u shpreh Eva Kushova gjatë aktivitetit.

Një moment mjaft i veçantë ishte edhe leximi i legjendës së “Via Egnatia – Ad Quintum”, e krijuar në kuadër të projektit dhe e frymëzuar nga guri i varrit të legjionarit Maximus, i ruajtur në muze. Kjo ndërthurje mes historisë antike dhe interpretimit artistik bashkëkohor i dha aktivitetit një dimension të veçantë kulturor dhe edukativ.

Në emër të Bashkisë Elbasan, Drejtori i Trashëgimisë Kulturore dhe Turizmit, Artur Guni, vlerësoi ekspozitën si një hap cilësor në promovimin e trashëgimisë sonë historike dhe kulturore përmes artit modern.

Ai theksoi se sjellja e legjendave shqiptare në forma artistike bashkëkohore ndihmon jo vetëm në ruajtjen e identitetit kulturor, por edhe në afrimimin e të rinjve me historinë dhe rrënjët e tyre.

Vetë artisti Kreshnik Belba foli për procesin krijues dhe përzgjedhjen e këtyre legjendave, duke shpjeguar rëndësinë e teknikës së vitrazhit si një mënyrë për të përcjellë emocion dhe dritë përmes artit.

Ai tregoi se çdo punim kërkonte orë të gjata pune dhe një përkushtim të madh artistik për të sjellë në xham jo vetëm figurat dhe ngjyrat, por edhe shpirtin e legjendave shqiptare.

Një pjesë e rëndësishme e aktivitetit ishte edhe workshop-i i zhvilluar me të rinjtë, të cilët patën mundësinë të njiheshin nga afër me teknikën e punimit në vitrazh artistik. Të rinjtë ndanë përshtypjet e tyre mbi këtë eksperiencë kreative, duke e cilësuar atë si frymëzuese dhe edukative.

Në fund të aktivitetit, u dhuruan disa libra të projektit me 40 historitë e “Heritage is Our Brand” për Bashkia Elbasan dhe Muzeu Etnografik Elbasan, si një mënyrë për të kontribuar në ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë shpirtërore shqiptare.

Pas fotos së përbashkët, ekspozita u zhvendos në sheshin e Rrapit të Bezistanit, ku vizitorët patën mundësinë të shijonin nga afër katër legjendat e punuara në xham, si dhe të skanonin histori dhe video që tregonin procesin e realizimit të tyre artistik.

Ekspozita e Kreshnik Belbës do të vijojë udhëtimin edhe në qytete të tjera të Shqipërisë, si Durrës, Fier, Tiranë dhe Shkodër, duke sjellë më pranë publikut shqiptar një mënyrë të re për të parë dhe përjetuar trashëgiminë tonë kulturore.

Kreshnik Belba është një nga 15 fituesit e granteve artistike të projektit “Heritage is Our Brand”, ku artistë nga fusha të ndryshme u ftuan të frymëzohen nga 40 historitë e trashëgimisë shqiptare dhe të sjellin interpretime kreative përmes artit. Mes projekteve fituese përfshihen filma me metrazh të shkurtër si “Teuta, Mbretëresha e Deteve”, “Kodikët e Dritës”, “Gjama e Burrave”, si edhe instalacione artistike, dokumentarë, teatro dhe forma të tjera krijimtarie bashkëkohore.

Të gjitha këto punime artistike do të prezantohen gjatë dy muajve të ardhshëm në qytete të ndryshme të Shqipërisë, duke e kthyer projektin “Heritage is Our Brand” në një nga nismat më të rëndësishme për promovimin e trashëgimisë shpirtërore shqiptare përmes artit dhe kulturës moderne.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME

Komisionerja e Zgjerimit vizitë zyrtare në Kosovë, Marta Kos pritet nga kryeministri Kurti dhe presidentja në detyrë Haxhiu

PRISHTINË,15 maj 2026/Albania Express News/Komisionerja për Zgjerim e Bashkimit...

“Rolex” për Armando Brojën? Premtimi i çmendur i Guardiolës nëse Burnley ndal Arsenalin

ANGLI,15 maj 2026/Albania Express News/Gara për titullin kampion në...

Kushte të paqëndrueshme atmosferike, parashikimi i motit për këtë të premte 15 maj 2026

TIRANË,15 maj 2026/Albania Express News//Ditën e premte vendi ynë...