Një histori frymëzuese suksesi nga diaspora shqiptare është rikthyer në vëmendje përmes një postimi të deputetit më të ri të Partisë Socialiste, Adi Qose, i cili ka ndarë emocionet e tij nga takimi me të riun elbasanas Bernard Dika, tashmë një nga figurat më premtuese të politikës lokale në Itali.

Në një mesazh të publikuar në rrjetet sociale, Qose e cilëson Dikën si një shembull të gjallë të integrimit dhe suksesit të shqiptarëve në emigracion, duke theksuar se, pavarësisht moshës së re – vetëm 27 vjeç – ai ka arritur të jetë ndër më të votuarit në zgjedhjet e rajonit të Toscana. Një arritje që, sipas tij, i bën krenarë të gjithë shqiptarët, brenda dhe jashtë vendit.
Takimi mes tyre u zhvillua në kuadër të Samiti i IV i Diasporës, një ngjarje që mblodhi në Tirana dhjetëra figura të suksesshme të diasporës shqiptare nga e gjithë bota, duke shërbyer si një urë lidhëse mes historive personale dhe identitetit kombëtar.
Historia e Bernard Dikës është një rrëfim i fortë i rrugëtimit nga emigrimi drejt suksesit. I lindur në Elbasan më 5 maj 1998, ai u largua drejt Italisë që në foshnjëri, së bashku me nënën e tij. U rrit mes qyteteve Larciano dhe Pistoia, duke përballuar sfidat që shoqërojnë çdo histori emigrimi, ku paragjykimi dhe vështirësitë shpesh bëhen pjesë e përditshmërisë.

Vetëm në moshën 16-vjeçare ai fitoi shtetësinë italiane, por ndërkohë kishte ndërtuar një identitet të fortë ndërkulturor, duke ruajtur rrënjët shqiptare dhe duke kontribuar aktivisht në shoqërinë italiane. Sakrificat e nënës së tij dhe përballja me vështirësitë e jetës u kthyen në motivim për të ecur përpara dhe për të ndërtuar një rrugë të bazuar mbi përkushtimin qytetar.
Angazhimi i tij në politikë nisi herët. Që në moshën 14-vjeçare u bë përfaqësues i të rinjve në shkollë, ndërsa më pas shënoi një tjetër moment historik duke u bërë koordinatori më i ri i një komisioni zgjedhor në Itali. Në vitin 2015, vetëm 17 vjeç, ai u zgjodh President i Parlamentit Rinor të Toskanës, ku bashkëpunoi ngushtë me presidentin e rajonit, Eugenio Giani.

Në këtë rol, Dika kontribuoi në projekte konkrete për përmirësimin e arsimit, transportit publik dhe ruajtjen e kujtesës historike, duke treguar se përfshirja e të rinjve në vendimmarrje është një vlerë e shtuar për çdo shoqëri demokratike.
Historia e tij mbetet një simbol i qartë se si emigrimi, pavarësisht sfidave, mund të shndërrohet në një histori suksesi, dinjiteti dhe integrimi – një histori që sot frymëzon jo vetëm të rinjtë shqiptarë, por edhe vetë politikën moderne evropiane.

