Nga ekrani i News 24 në skenë: Rikthimi emocional i gazetares Brikena Xhani Metaj tek ëndrra e rinisë

GJIROKASTËR ,16 prill 2026 /Albania Express News/Në universitetin “Eqrem Çabej” të Gjirokastrës grupi “Miqtë e Teatrit ” ka sjellë në skenë shfaqjen “Poeti” mbështetur mbi krijimtarinë letrare të poetit të mirënjohur Petrit Ruka.Skena artistike ishte vendosur në mjediset e universitetit ndërsa artdashësit ndoqën me interes këtë shfaqje. Studentët interpretuan plot talent pjesë nga motivet letrare të Petrit Rukës duke sjellë një aktivitet artistik ndryshe në qytetin e gurtë.Një prej interpretuesve në këtë event ishte edhe një prej gazetareve  të këtij qyteti.Nëpërmjet një rrëfimi të ndjerë, larg ritmit të zakonshëm të lajmit dhe kronikës, gazetarja e njohur e News 24 për Qarkun e Gjirokastrës, Brikena Xhani Metaj, e  ka ndarë me publikun këtë moment të veçantë dhe tejet personal ,rikthimin tek një ëndërr e hershme, ajo e skenës.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, gazetarja e mirënjohur nga të gjithë rrëfen se si një dëshirë e kahershme, e mbajtur “në sirtar” që prej adoleshencës, mori jetë në një mbrëmje artistike ku emocionet dhe pasioni u shkrinë në një përjetim të rrallë. Një rikthim i qetë, por i fuqishëm, tek ajo vajzë që dikur ëndërronte dritat e skenës dhe magjinë e recitimit.

Në qendër të kësaj mbrëmjeje ishte poezia e Petrit Ruka, e cila u soll në një kolazh poetik ku fjala dhe tingulli u shndërruan në një rrëfim të gjallë artistik, të mbushur me ndjeshmëri dhe thellësi emocionale. Nën regjinë e Kudret Alikaj, ky aktivitet artistik u kthye në një përvojë që tejkaloi kufijtë e një programi të zakonshëm, duke prekur dimensione të brendshme njerëzore.

Në skenë, krahas gazetares, performuan edhe studentet e talentuara të Universitetit të Gjirokastrës, duke sjellë një frymë rinore dhe energji të veçantë. Së bashku, ato krijuan një atmosferë ku arti u bë një arratisje e bukur nga përditshmëria e ngarkuar me stres dhe monotoni.

Ky moment shënon jo vetëm një rikthim simbolik tek një ëndërr e vjetër, por edhe një dëshmi se pasioni për artin nuk shuhet kurrë – ai pret momentin e duhur për të rilindur.

Sepse, siç e përshkruan vetë gazetarja, ndonjëherë mjafton një mbrëmje për të prekur një ëndërr që e ke mbajtur gjithmonë brenda vetes, edhe kur nuk e ke jetuar kurrë plotësisht.“Kjo ishte një shfaqje disi ndryshe e ardhur me një format të gërshetuar ku nuk ishte thjesht interpretimi i poezive por ishte dhe pak aktrim dhe poezitë e Petrit Rukës ishin  sjellë me fjalët e tij sepse gjithë skenari ishte ndërtuar mbi të gjitha fjalët që vetë Petrit Ruka ka lënë dhe për të sjellë një dimension më të gjerë dhe më gjithëpërfshirës, të gjithë tematikën e poezisë që ai ka trajtuar dhe sigurisht për të rritur akoma më shumë ndjeshmërinë ndaj poezisë”, shprehet gazetarja Brikena Xhani Metaj e cila në skenë kësaj rradhe ishte në rolin e aktores dhe si e tillë u vlerësua së tepërmi për performancën e shkëlqyer të saj .Poeti Petrit Ruka u nda nga jeta në vitin 2021 në moshën 67-vjeçare duke lënë pas një krijimtari të pasur letrare. Gjithashtu ai ka realizuar monografi ,skenarë filmash dhe dokumentarë të shumtë.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME