TIRANË,10 korrik 2026/Albania Express News/-Shqipëria hedh një tjetër hap me rëndësi në procesin e integrimit drejt Bashkimit Evropian. Pas hapjes së të gjithë grup-kapitujve, vendi ynë nis mbylljen e tyre, proces që më pas i hap rrugën integrimit të plotë të vendit në union.
Më 14 korrik, në Bruksel do të zhvillohet Konferenca e nëntë Ndërqeveritare Shqipëri-BE, ku do të mbyllen tre grup-kapitujt e parë.
Komiteti i Përfaqësuesve të Përhershëm të Shteteve Anëtare të Bashkimit Europian (COREPER) miratoi sot Pozicionin e Përbashkët të Bashkimit Europian për mbylljen provizore të negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë për Kapitullin 25 “Shkenca dhe Kërkimi”, Kapitullin 26 “Arsimi dhe Kultura” dhe Kapitullin 30 “Marrëdhëniet me Jashtë”.
Miratimi nga COREPER afirmon rezultatet konkrete të reformave të ndërmarra në vite, nivelin e avancuar të përafrimit me Acquis-in e Bashkimit Europian dhe angazhimin e palëkundur të institucioneve shqiptare dhe të gjithë aktorëve për avancimin e Agjendës Europiane Shqipëria 2030.
Mbyllja e Kapitullit 25 “Shkenca dhe Kërkimi” vlerëson punën dhe arritjet e Shqipërisë për të forcuar ekosistemin e kërkimit shkencor dhe inovacionit për zhvillim, për të rritur më tej investimet në dije dhe zhvillim teknologjik, avancimin me zbatimin e Strategjisë së Specializimit Inteligjent (S3), si një udhërrëfyes i transformimit të ekonomisë shqiptare drejt Tregut Unik Europian, si dhe për të thelluar integrimin në Hapësirën Europiane të Kërkimit.
Mbyllja e Kapitullit 26 “Arsimi dhe Kultura” vlerëson punën dhe arritjet e Shqipërisë në modernizimin e politikave arsimore, të orientuar drejt Hapësirës Europiane të Arsimit, promovimin e gjithëpërfshirjes dhe cilësisë në të gjitha nivelet e arsimit dhe formimit profesional, mbështetjen e zhvillimit të rinisë dhe kulturën, si dhe progresin me përafrimin drejt objektivave europiane të arsimit.
Mbyllja e Kapitullit 30 “Marrëdhëniet me Jashtë” vlerëson punën dhe arritjet, me linjë-veprimi strategjik të Shqipërisë “partner i besueshëm i Bashkimit Europian”. Nëpërmjet përafrimit të marrëveshjeve ndërkombëtare me politikën tregtare dhe pozicionin e Bashkimit Europian në marrëdhëniet me jashtë, Shqipëria dëshmon gatishmërinë dhe kontributin e saj në forcimin e rolit të Bashkimit Europian.
Konferenca Ndërqeveritare e 14 korrikut 2026 në Bruksel, shënon mbylljen provizore të negociatave për anëtarësim të 3 kapitujve, duke çuar Shqipërinë tre hapa para drejt objektivit strategjik të anëtarësimit të plotë në Bashkimin Europian brenda kësaj dekade.

