I moshuari nuk mundi t’u mbijetonte plagëve të rënda të marra nga përplasja. Aksidenti ndodhi në zonën e ish-Parkut të Rezervave të Shtetit, ndërsa drejtuesi i automjetit u largua duke braktisur mjetin pas ngjarjes.
ELBASAN , 17 nëntor 2026/Albania Express News/-Ka ndërruar jetë mesditën e sotme 83-vjeçari Selman Bardhi, i cili u aksidentua mbrëmjen e djeshme në qytetin e Elbasanit.
I moshuari nuk ka mundur t’u mbijetojë plagëve të rënda të marra si pasojë e përplasjes nga një automjet, duke ndërruar jetë pas disa orësh në gjendje të rëndë shëndetësore.
Aksidenti u regjistrua rreth orës 17:15, në zonën e njohur si ish-Parku i Rezervave të Shtetit në Elbasan. Sipas informacioneve paraprake, 85-vjeçari po lëvizte në këmbë kur është përplasur nga një automjet, duke pësuar dëmtime të shumta dhe serioze.
Ajo që e bën edhe më shqetësuese ngjarjen është fakti se drejtuesi i automjetit, pas përplasjes, është larguar nga vendi i aksidentit, duke braktisur mjetin.
Në momentin e ngjarjes, në Elbasan mbizotëronin kushte të pafavorshme atmosferike, me reshje dhe shikueshmëri të reduktuar, rrethana që mund të kenë ndikuar në sigurinë e qarkullimit rrugor.
Ndërkohë, pritet që hetimet të zbardhin dinamikën e plotë të aksidentit, si dhe të përcaktojnë përgjegjësitë e drejtuesit të automjetit.
Vdekja e Selman Bardhit e kthen këtë aksident në një tjetër ngjarje tragjike në rrugët e Elbasanit, duke rikthyer vëmendjen te siguria e këmbësorëve dhe përgjegjësia e drejtuesve të mjeteve në raste aksidentesh.

