Nga Barcelona dhe Botërori drejt AF Elbasanit! Verdheblutë gati të firmosin me ish-talentin 5 milionë euro që u pengua nga dëmtimet

ELBASANI ,28 korrik 2026/Albania Express News/-AF Elbasani është pranë realizimit të një goditjeje që mund të konsiderohet ndër më të bujshmet e kësaj merkatoje verore në futbollin shqiptar. Verdheblutë janë shumë pranë afrimit të mbrojtësit të djathtë senegalez Moussa Wagué, një emër që pak vite më parë konsiderohej një nga talentet më premtues të futbollit afrikan.

27-vjeçari u bë i njohur në mbarë botën gjatë Kupës së Botës “Rusi 2018”, ku shënoi golin e tij të vetëm me fanellën e Senegalit. Pikërisht paraqitjet në Botëror bindën Barcelonën të investonte plot 5 milionë euro për ta transferuar nga Eupen i Belgjikës, duke e konsideruar një investim për të ardhmen.

Megjithatë, karriera e Wagué nuk mori drejtimin që pritej. Pas debutimit me ekipin e parë të Barcelonës, dëmtimet e njëpasnjëshme e penguan të shfaqte potencialin e tij të plotë. Sezoni i fundit me Panserraikos në Greqi ishte zhgënjyes, pasi mbrojtësi regjistroi vetëm tetë paraqitje dhe më pak se 400 minuta në fushë, ndërsa skuadra e tij ra nga kategoria.

Tashmë, AF Elbasani duket gati t’i japë një mundësi të re futbollistit senegalez për të rilindur karrierën. Klubi verdheblu beson se eksperienca ndërkombëtare dhe cilësitë e tij mund të bëjnë diferencën në Superligën shqiptare, nëse Wagué arrin të lërë pas problemet fizike që e kanë shoqëruar ndër vite.

Nëse transferimi zyrtarizohet, Moussa Wagué do të jetë një nga emrat më të njohur që i bashkohet AF Elbasanit në vitet e fundit, duke sjellë në “Elbasan Arena” eksperiencën e një futbollisti që ka luajtur në një Kupë Bote dhe ka veshur fanellën e Barcelonës. Tashmë mbetet të shihet nëse ky do të jetë kapitulli i rilindjes së tij, apo një tjetër bast i madh i klubit elbasanas.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME

Mbyllet me marshim dita e 59-të e tubimit, protestuesi: Nuk do të ikim nga ky shesh as nëse…

TIRANË ,28 korrik 2026/Albania Express News/-U zhvillua sot në...