TIRANË, 22 korrik 2026 /Albania Express News/-Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë bëri të ditur se grupet e punës të institucioneve në varësi kanë qenë në terren që në momentet e para të motit të keq që përfshiu vendin mbrëmjen e së martës, duke ndërhyrë për normalizimin e situatës.
Sipas raportit të ministrisë, reshjet intensive të shiut dhe era e fortë shkaktuan problematika në disa zona të vendit, ndërsa strukturat përgjegjëse vijojnë punën për eliminimin e pasojave.
Në sektorin rrugor, ekipet e Autoritetit Rrugor Shqiptar monitoruan situatën dhe ndërhynë për pastrimin e akseve nga gurët dhe materialet e rëna. Të gjitha akset kombëtare mbetën të kalueshme dhe qarkullimi u zhvillua normalisht.
Sa i përket furnizimit me energji elektrike, ministria njofton se aktualisht në rang vendi janë 21 fidera jashtë funksionit, kryesisht në rajonet e Vlorës, Fierit, Sarandës dhe Librazhdit. Në orët e para të mëngjesit u vu në punë nënstacioni i Livadhjasë, duke rikthyer energjinë elektrike në disa zona.
Operatori i Sistemit të Shpërndarjes ka angazhuar mbi 1 000 punonjës në terren për riparimin e defekteve dhe rikthimin e furnizimit me energji elektrike.
Ministria bën të ditur gjithashtu se rrjeti i transmetimit operon normalisht, ndërsa të gjitha linjat 400 kV, 220 kV dhe 110 kV janë në funksion. Edhe situata në kaskadën e lumit Drin paraqitet e qetë dhe pa problematika.
Në sektorin e ujësjellës-kanalizimeve, në Sarandë është rikthyer në funksionim normal Stacioni i Pompimit të Ujit të Ndotur, si edhe ai në Ksamil. Gjithashtu rrugët e bllokuara në Stacionin e Pompimit të Ujit të Pijshëm janë zhbllokuar dhe aktualisht po vijon puna për largimin e pemëve të rrëzuara në ITUN.
Në Durrës si pasojë e kushteve të pafavorshme atmosferike, janë evidentuar problematika të përkohshme në stacionet e pompimit në Fushë Krujë dhe Çermë.
Në stacionin e pompimit Çermë, një elektropompë pësoi avari. Ekipet teknike ndërhynë menjëherë dhe, brenda pak orësh, defekti u riparua, duke e rikthyer elektropompën në funksion normal.
Ndërsa në Fier, rreth orës 02:00 është riparuar defekti në stacionin e Kafarajt, duke mundësuar rikthimin e furnizimit normal me ujë për qytetin e Fierit. Në stacionin e Varibopit vijon të mungojë furnizimi me energji elektrike. Si pasojë, qyteti i Patosit mbetet pa furnizim me ujë. Po punohet për rikthimin e energjisë elektrike. Shoqëritë e tjera nuk kanë pasur asnjë problem. Situata është në kontroll.
Sa i takon transportit situata në Aeroportin e Tiranës ka qenë kryesisht e qetë, me disa fenomene meteorologjike të veçuara, të cilat kanë shkaktuar disa vonesa të lehta në trafikun në ardhje.
Në Portin e Durrësit si pasojë e stuhisë, në Terminalin e Kontejnerëve janë rrëzuar disa kontejnerë bosh, 8 prej të cilëve kanë pësuar dëmtime më të konsiderueshme.
Aktualisht po vijon koordinimi me kompanitë përkatëse për vlerësimin e plotë të situatës dhe të dëmeve.
Në sektorët e tjerë të Portit të Durrësit, aktiviteti vijon normalisht.
Ndërsa në Portin e Sarandës situata paraditen e sotme paraqitet e qetë. Linja me Korfuzin vijon normalisht.

