NGA FATMIR POPJA
LIBRAZHD , 8 maj 2026 /Albania Express News/Në prag të sfidës vendimtare mes KF Sopoti i Librazhdit dhe KF Luftëtari i Gjirokastrës, e cila do të luhet këtë të shtunë në stadiumin Stadiumin ” Flamurtari” i Vlorës, Kryetari i Bashkisë së Librazhdit, z.Mariglen Disha, flet për rrugëtimin fantastik të Sopotit, mbështetjen e bashkisë ndaj sportit dhe atmosferën e jashtëzakonshme që po përjeton Librazhdi në prag të rikthimit historik në Kategorinë e Parë.
Zoti Disha, krahas investimeve dhe transformimeve të shumta të qytetit të Librazhdit dhe të fshatrave të Njësive Administrative, ju keni treguar një vëmendje të veçantë edhe për sportin. Sa krenar ndiheni sot për rrugëtimin e Sopotit ?
Sporti ka qenë dhe mbetet një prioritet për ne, sepse ai bashkon komunitetin, frymëzon të rinjtë dhe i jep energji qytetit. Kur morëm përgjegjësinë për të mbështetur Sopotin, ekipi ndodhej në një moment shumë të vështirë dhe realisht rrezikonte shpërbërjen. Sot, pas një pune të madhe, Sopoti është vetëm një hap larg rikthimit në Kategorinë e Parë, një sukses që Librazhdi nuk e ka përjetuar prej 12 vitesh. Kjo është krenari për të gjithë qytetin.
Aktualisht Sopoti ka kaluar me sukses fazën “Play Off” ndaj Tërbunit dhe Shirokës. Si e shikoni sfidën finale ndaj Luftëtarit?
Skuadra ka treguar karakter, forcë dhe cilësi në çdo ndeshje. Fitoret ndaj ekipeve të forta si Tërbuni dhe Shiroka treguan se Sopoti e meriton të jetë në një kategori më lart. Tani mbetet vetëm sfida e “Play Out”-it me Luftëtarin dhe besoj fort se ekipi ynë do ta përmbyllë me sukses këtë mision.
Si paraqitet gjendja e ekipit për këtë “finale” të sezonit?
Fatmirësisht ekipi është në formë shumë të mirë në të gjitha aspektet. Edhe dy futbollistët titullarë që kishin disa shqetësime të vogla fizike do të jenë të gatshëm për ndeshjen. Stafi teknik më ka konfirmuar se skuadra është e përgatitur maksimalisht dhe lojtarët janë të motivuar për të dhënë maksimumin në këtë përballje vendimtare.
Sa ndikim ka pasur puna e trajnerit Hallaçi dhe stafit teknik në këtë sezon të suksesshëm?
Trajneri Hallaçi dhe i gjithë stafi kanë bërë një punë shumë serioze dhe profesionale. Ata kanë krijuar një grup të fortë, me disiplinë dhe shpirt gare. Librazhdasit këtë sezon kanë përjetuar emocione të jashtëzakonshme sepse Sopoti ka zhvilluar ndeshje me nivel dhe ka luajtur futboll cilësor. Jam i bindur që ky edicion do të mbyllet me sukses të plotë.
Cila ka qenë mbështetja konkrete e Bashkisë së Librazhdit për ekipin?
Bashkia e ka mbështetur maksimalisht stafin drejtues të ekipit dhe futbollistët gjatë gjithë sezonit, si në aspektin financiar ashtu edhe në organizim. Ne kemi besuar te ky projekt sportiv dhe dëshirojmë që gjithçka të kurorëzohet me rikthimin në Kategorinë e Parë. Sopoti është krenaria e qytetit dhe e gjithë bashkisë së Librazhdit dhe meriton të jetë aty ku i takon.

Ju keni bërë edhe një thirrje publike për tifozët librazhdas…
Po, i ftoj të gjithë bashkëqytetarët e mi që të bashkohemi këtë të shtunë në stadiumin “Flamurtari” në Vlorë. Dua që tribuna të vishet me ngjyrat e ekipit tonë dhe Sopoti të ndiejë forcën e tifozërisë së tij besnike. Librazhdasit e kanë mbështetur ekipin në çdo moment dhe jam i bindur se edhe këtë herë ultrasit dhe grupimet e tifozëve do të krijojnë një atmosferë fantastike.
A mendoni se fakti që ndeshja luhet në fushë asnjanëse është një avantazh për Sopotin?
Sopoti këtë sezon ka fituar jo vetëm në fushën e vet, por edhe në transfertë ndaj skuadrave shumë të forta. Kjo tregon personalitetin e ekipit. Prandaj mendoj se fusha asnjanëse nuk e penalizon aspak Sopotin, përkundrazi mund të jetë një avantazh për ne.
Sa besim keni te triumfi ndaj Luftëtarit?
Kam shumë besim te kjo skuadër. Ekipi është i motivuar maksimalisht dhe nëse gjithçka gjykohet me ndershmëri në fushë, jam i sigurt se triumfi i Sopotit nuk do të vihet në diskutim. Ka ardhur momenti që Sopoti të nisë rrugëtimin drejt elitës së futbollit shqiptar.
Çfarë keni menduar për tifozët që duan të udhëtojnë drejt Vlorës?
Në dispozicion të tifozërisë librazhdase do të vendosen autobusë falas në itinerarin Librazhd–Vlorë–Librazhd, në mënyrë që askush që dëshiron të përjetojë emocionet nga shkallët e stadiumit të mos mungojë në këtë ndeshje historike. Dua që të gjithë së bashku të festojmë rikthimin e shumëpritur të Sopotit në Kategorinë e Parë.
Një mesazh të fundit për skuadrën dhe tifozët?
I uroj sukses skuadrës tonë Sopoti. Futbollistët duhet të futen në fushë me zemër, krenari dhe besim. Ndërsa tifozëve u them vetëm një gjë: Të shtunën të gjithë në stadiumin “Flamurtari”, sepse Sopoti ka nevojë për zërin dhe mbështetjen e çdo librazhdasi. Jam i bindur se në fund do të festojmë së bashku një sukses historik për qytetin tonë.



