BOTA ,29 korrik 2026/Albania Express News/-Ish-presidenti i FIFA-s, Sepp Blatter, ka ndërmarrë një sulm të fortë publik ndaj pasardhësit të tij, Gianni Infantino, në lidhje me planet për t’ia hapur të ardhmen komerciale të Kupës së Botës investitorëve privatë.
Përmes një postimi në rrjetin social X, ish-kreu zviceran u shpreh se lidhja e ngushtë mes Infantinos dhe presidentit amerikan Donald Trump ka marrë një përmasë financiare që po e dëmton rëndë futbollin, duke theksuar se “askush nuk ka të drejtë të shesë sportin tonë”. Postimin e tij ai e shoqëroi me disa hashtagë kritikë, duke përfshirë fjalën “sellout” (shitje/tradhti).
Çfarë ka ndodhur?
Reagimi i Blatter-it erdhi pas zbulimeve se FIFA po shqyrton mundësinë e shitjes së një pakete minoritare të aksioneve mbi të drejtat komerciale të turneve, përmes një kompanie të re të quajtur “FIFA Forward Enterprise”.
Kjo strukturë pritet të menaxhojë të drejtat e transmetimit, sponsorizimet, biletat dhe licencimin për kompeticionet madhore si Kupa e Botës, Kupa e Botës për, Gra dhe Kupa e Botës për Klube. Sipas raportimeve, FIFA synon ta vlerësojë këtë kompani rreth 20 miliardë dollarë, ku mbi 20% e aksioneve mund t’u shiten investitorëve të jashtëm. Burime të tjera sugjerojnë madje një vlerësim ende më të lartë dhe flasin për një bashkëpunim me gjigantin financiar JPMorgan për të mbledhur miliarda dollarë kapital privat.
Zemërimi i Evropës dhe ironia e publikut
Sulmi i Blatter-it vjen në një kohë kur edhe UEFA ka shprehur kundërshtim të prerë ndaj kësaj nisme, duke theksuar se shpirti i futbollit dhe qeverisja e tij nuk janë mall për t’u shitur. Raportimet bëjnë me dije se federatat evropiane kanë kërkuar një takim urgjent, i cili mund të përshkallëzohet deri në bojkotim të Kupës së Botës nëse Infantino nuk tërhiqet nga plani.
Megjithatë, as vetë Blatter nuk ka shpëtuar nga ironia e publikut. Të shumtë kanë qenë përdoruesit në rrjetet sociale që i kanë kujtuar të kaluarën e tij të errët në krye të FIFA-s (1998–2015)—një epokë e mbyllur me skandale masive korrupsioni dhe pezullim nga futbolli—duke e cilësuar atë si “zërin më pak të besueshëm” për të mbajtur leksione morali.
Kritika edhe për formatin me 48 skuadra
Në deklarata të tjera të dhëna fundmi për CBS Sports, Blatter nuk ka kurthyer kritikat as për zgjerimin e Kupës së Botës në 48 skuadra. Ai e ka cilësuar këtë ndryshim si “një përbindësh që ka dalë jashtë kontrollit”, duke shtuar se nën udhëheqjen e Infantinos, futbolli sot është bërë “tepër politik”.

