Në Fakultetin e Biznesit dhe të Drejtësisë të Universitetit “Aleksandër Xhuvani” në Elbasan u zhvillua një leksion i hapur me temë “Drejtësia dhe Integrimi Evropian: Sfida dhe Perspektiva për Shqipërinë”, ku i ftuar ishte Ministri i Drejtësisë, Toni Gogu. Aktiviteti u organizua në kuadër të bashkëpunimit institucional mes Ministrisë së Drejtësisë dhe universitetit, duke vënë theksin tek roli i arsimit dhe praktikës profesionale në ndërtimin e një sistemi drejtësie funksional dhe të besueshëm.

Leksioni u çel nga Rektorja e universitetit, Prof. dr. Elvira Fetahu, e cila theksoi rëndësinë e lidhjes mes teorisë dhe praktikës në formimin e juristëve të rinj. Ajo u ndal tek arritjet e fakultetit, programet e studimit dhe mundësitë konkrete që u ofrohen studentëve për përfshirje në praktika profesionale, përfshirë edhe angazhimin në Klinikën e Ligjit dhe strukturat e ndihmës juridike falas.
Në fjalën e tij përshëndetëse, Dekani i Fakultetit, Prof. as. dr. Shpëtim Çerri, e cilësoi këtë bashkëpunim si një vlerë të shtuar për zhvillimin akademik dhe profesional të studentëve, duke theksuar se ndërveprimi me institucione kyçe të shtetit është thelbësor për përgatitjen e brezit të ri të juristëve.

Gjatë leksionit, Ministri i Drejtësisë Toni Gogu u ndal gjerësisht tek procesi i integrimit evropian të Shqipërisë dhe ndikimi që ka reforma në drejtësi në këtë rrugëtim. Ai theksoi se standardet evropiane nuk janë vetëm objektiv politik, por një mënyrë e përditshme funksionimi për institucionet dhe shoqërinë.
Sipas tij, reforma në drejtësi ka sjellë ndryshime të rëndësishme, përfshirë krijimin e institucioneve të reja dhe forcimin e mekanizmave të përgjegjshmërisë. Megjithatë, ai pranoi se sfidat mbeten të shumta, duke përmendur nevojën për konsolidimin e mëtejshëm të sistemit, rritjen e aksesit të qytetarëve në drejtësi, si dhe përshpejtimin e proceseve të digjitalizimit.

“Drejtësia e së nesërmes ndërtohet sot, përmes profesionalizmit, integritetit dhe përgjegjësisë së brezit të ri”, u shpreh Gogu, duke i inkurajuar studentët të jenë pjesë aktive e këtij transformimi.
Në përfundim të aktivitetit, studentët dhe pedagogët zhvilluan një sesion pyetje-përgjigje me ministrin, duke e kthyer takimin në një debat të hapur dhe interaktiv mbi sfidat reale të sistemit të drejtësisë dhe pritshmëritë për të ardhmen.

Ky leksion i hapur vjen si një tjetër hap në forcimin e bashkëpunimit mes institucioneve shtetërore dhe universiteteve, me synimin për të përgatitur profesionistë të aftë dhe për të afruar më shumë drejtësinë me qytetarin.


