NGA FATMIR POPJA
ELBASAN ,22 maj 2026/Albania Express News/Në një shoqëri ku sfidat sociale bëhen çdo ditë më të ndërlikuara dhe nevoja për humanizëm është më e madhe se kurrë, ekzistojnë gra që zgjedhin të mos jenë thjesht spektatore të realitetit, por zë i shpresës, mbështetjes dhe ndryshimit. Një prej tyre është edhe Iris Zyrakja, një grua elbasanase që prej më shumë se 15 vitesh i ka kushtuar jetën shërbimit ndaj fëmijëve me aftësi ndryshe, familjeve në nevojë dhe fuqizimit të të rinjve në Qarkun e Elbasanit. Me përkushtim të rrallë, ndjeshmëri njerëzore dhe një forcë të admirueshme shpirtërore, ajo ka ndërtuar një rrugëtim frymëzues, ku profesionalizmi ndërthuret natyrshëm me dashurinë për njerëzit dhe misionin social.
E lindur dhe e rritur në Elbasan, qyteti që ajo e konsideron jo vetëm vendlindje, por edhe pjesë të identitetit të saj emocional e njerëzor, Iris Zyrakja është diplomuar në Financë-Kontabilitet, por jeta e drejtoi drejt një rruge shumë më të madhe se profesionit: drejt shërbimit njerëzor. Sot, ajo drejton prej 15 vitesh një nga qendrat më të rëndësishme sociale për fëmijët me Çrregullime të Spektrit Autik në Elbasan, duke u kthyer në një pikë reference për dhjetëra familje që çdo ditë kërkojnë mbështetje, shpresë dhe besim për të ardhmen e fëmijëve të tyre.
Në këtë intervistë ekskluzive për rubrikën “Gratë që Frymëzojnë” të “Albania Express News”, Iris Zyrakja rrëfen me sinqeritet sfidat, emocionet dhe momentet më të forta të jetës së saj profesionale dhe personale. Ajo flet për fillimet e vështira në Qendrën Rajonale të Autizmit, përballjen me paragjykimet, lodhjen emocionale dhe netët pa gjumë, por edhe për buzëqeshjet e fëmijëve, përqafimet e prindërve dhe emocionin e progresit që e kanë bërë të mos dorëzohet kurrë.
Në rrëfimin e saj spikasin historia njerëzore prekëse, sakrificat e familjeve që luftojnë çdo ditë për fëmijët e tyre, si dhe nevoja urgjente për më shumë mbështetje institucionale dhe sociale ndaj personave me aftësi ndryshe. Me një ndjeshmëri të veçantë, ajo ngre edhe pyetjen që shqetëson mijëra prindër: “Çfarë do të ndodhë me këta fëmijë kur prindërit e tyre të mos jenë më?”
Përtej angazhimit profesional, Iris Zyrakja është një nënë e përkushtuar, një grua që beson fort tek edukimi, tek puna në grup, tek fuqia e gruas shqiptare dhe tek solidariteti mes njerëzve. Ajo është gjithashtu themeluese dhe drejtuese e “Aleanca Sociale”, një organizatë që synon të jetë pranë komunitetit, të rinjve dhe familjeve në nevojë përmes projekteve sociale, sensibilizuese dhe edukative.
Intervista e saj nuk është vetëm historia e një profesionisteje të suksesshme, por rrëfimi i një gruaje që ka zgjedhur të jetojë përmes misionit të saj, duke i dhënë zë humanizmit, dashurisë dhe shpresës. Një histori force, ndjeshmërie dhe përkushtimi, që dëshmon se gratë shqiptare vazhdojnë të jenë shtylla të forta të shoqërisë dhe modele frymëzimi për brezat e rinj.
INTERVISTA
Rubrika “Gratë që Frymëzojnë” – “Albania Express News”
Kush është Iris Zyrakja përtej angazhimeve profesionale?
Origjina ime e ka burimin ne qytetin e Elbasanit ku kam lindur dhe jam arsimuar . E diplomuar ne Degen Financë Kontabilitetdhe e pozicionuar aktualisht prej 15 vitesh ne drejtimin e një Qendre sociale për fëmijët me aftesi ndryshe. Jam nënë e dy fëmijëve, 17 dhe 14 vjec Sintia dhe Henri, të cilët janë edhe pikënisja ime kryesore për tu angazhuar në projekte te shumta për të rinjtë e Qarkut te Elbasanit. Komunikimi dhe bashkëpunimi me keto grupmosha , përcjellja dhe marrja e energjisë pozitive dhe komunikimit per tematika te ndryshme ka shume emocione te bukura.
Si ka ndikuar qyteti i Elbasanit në formimin tuaj si njeri dhe si profesioniste?
Elbasani ka qenë vendi ku jam rritur me vlera të forta njerëzoreqytetarie, respekti dhe ndjeshmëri ndaj të tjerëve. Ky qytet ka ndikuar shumë në formimin tim si njeri ,e per te kontribuar gjithemone e me mire per ate cka me takon mua si qytetare te jap per vendin ku jetoj. Përvojat dhe kujtimet e krijuara kane ndërtuar tek unë dëshirën e madhe per te mos u shkeputur asnjehere nga ky qytet i bukur. Urat e komunikimit te vendosura prej vitesh me njerëz të fushave të ndryshme më kanë mësuar shumë se si të vazhdoj përpara për të arritur objektivat e mia. Por kur them Elbasan, them FAMILJA IME dhe MIQTË E MI TË NGUSHTË të cilët më kanë mbështetur jashtëzakonisht shumë në cdo hap timin profesional.
Cilat kanë qenë sfidat më të mëdha në rrugëtimin tuaj jetësor?
Sfidat më të mëdha kanë qenë përballja me paragjykimet, lodhjen emocionale dhe përpjekja për të mos u dorëzuar përballë vështirësive . Megjithatë, këto eksperienca më kanë bërë më të fortë, më të ndërgjegjshme dhe më këmbëngulëse në rrugëtimin tim. Cdo mundesi ka patur sfida ne vetevete nga te cilat jam formuar profesionalisht për të mësuar, për t’u rritur dhe për të kuptuar më mirë rëndësinë e durimit, besimit në vetvete .
Çfarë ju ka motivuar të angazhoheni në sektorin social?
Motivimi dhe deshira per te patur nje angazhim akoma me te gjere ne fusha te mdryshme sociale ka qene puna ime prej 15 vitesh ne qendren e Autizmit. Ajo me ka inspiruar te punoj dhe te jap me shume per rininw, për të qenë pranë njerëzve që kanë më shumë nevojë për mbështetje dhe për të sjellë sadopak ndryshim në jetën e tyre. Besimi se edhe një ndihmë e vogël mund të ketë ndikim të madh. Gje qe më ka dhënë forcë për të vazhduar përpara, pavarësisht sfidave.
Si nisi rrugëtimi juaj pranë Qendrës së Autizmit Elbasan?
Rrugëtimi im pranë Qendrës Rajonale të Autizmit Elbasan nisi nga një telefonatë para 15 viteve ku mu ofrua nje vend ne kete qender e per te punuar me fëmijë me aftesi ndryshe. Atëherë dhe pse unë isha nënë e një vajze te vogel nuk kisha dëgjuar për AUTIZMIN dhe nuk kisha asnjë informacion për të. Fillimi ishte shumë i vështirë. Takimet me prindërit qe kishin mbi supe nje barre te rende dhe donin me patjeter te ndryshonin jeten femijeve te tyre me bente akoma me shume emocionale si femer. Me dhjetra raste drejtoheshin ne qender cdo dite për tu rregjistruarper te perfituar nga sherbimet qe ofronte qendra . Puna me mesoite jepja akoma me shume nga vetja e që duhet të isha shumë e fortë dhe ti përkushtohesha . Fokusi per tu informuar e per tu trajnuar ishte maksimal per vete mbi Autizmin, por jo me pak dhe per prinderit per ti kuptuar dhe informuar ato të cilët ishin pjese e trajtimit të fëmijëve te tyre ne nje fare menyre. Dhe ja ku jemi sot pas 15 viteve, ku shërbimet tona janë ndër më të rëndësishmë në Qarkun e Elbasanit.
Çfarë emocionesh përjetoni gjatë punës me fëmijët me autizëm?
Puna me fëmijët me autizëm më dhuron emocione shumë të forta, dashuri, përkushtim, por edhe krenari për cdo hap te vogel qe ato arrijne çdo ditë. Për mua arritja më e madhe është kur ketofëmjë më crregullim të Spektrit Autik integrohen më së miri në cerdhe, kopësht ose shkollë. Nje emocion i vecante eshte dhe momenti kur zbulohet një talent i ri tek ata dhe ne bejme maksimumin per ta zhvilluar ate.
Cilat janë problematikat kryesore që hasin sot familjet e fëmijëve me aftësi ndryshe?
Ka familje qe përballen ende me mungesë informacioni, mbështetjeje institucionale dhe shpeshherë me paragjykime nga shoqëria ,familja apo farefisi .Një ndër problematikat që ne diskutojmë dhe ngrejmë si shqetësim për këto familje është cfarë do të bëhet me këta fëmijë pasi prindërit nuk do jenë më në jetë? Kush do ti ndhmojë ato? Grupmosha që ne trajtojmë në qendër është 2 deri 11 vjec. Po më pas cdo bëhet më këto fëmijë? Kjo është një ndër problematikat që familjet po hasin sot.
Sa ka ndryshuar ndërgjegjësimi i shoqërisë shqiptare për autizmin?
Një ndër objektivat që ne kemi është ndërgjegjësimi, sensibilizimi i familjeve për diagnostifikim të hershëm dhe ndërhyrje sa më të shpejtë, komunitetit dhe institucionet. Fatmirësisht ndërgjegjësimi për autizmin ka ndryshuar shumë vitet e fundit dhe këtë e vërejmë nga rastet që paraqiten tek ne për të marrë informacion, për të vlerësuar fëmijët që në moshën 2 vjecare dhe për të përfituar shërbimet tona. Por ende kemi nevojë për më shumë sensibilizim, pranim dhe përfshirje reale në shoqëri.
A ka histori njerëzore që ju kanë prekur veçanërisht gjatë punës suaj?
Po, ka shumë histori që më kanë prekur. Eksperienca ime prej kaq shumë vitesh në këtë Qendër më ka bërë të njoh shumë familje, shume dhimbje, histori njerëzore që shkojnë përtej asaj normales. Një ndër to është historia e një familje e cila më takon një ditë në zyre, kishin diagnostifikuar vajzën me element të autizmit. Një vajzë e bukur vetem 3 vjec që vetëm qante nga frika por nëna e saj e kishte me tumor dhe kishte hequr një gjoks. Trauma që po përjetonte kjo familje ishte shumë e madhe. Besimi që ato patën tek ne bëri që sot vajza mbaroi klasën e parë shumë mirë, i tejkaloj pothuajse të gjitha vështirësitë dhe sot familja ka emigruar jashtë dhe janë përshtatur goxha mirë atje ku ndodhen.
Çdo progres i një fëmije, çdo buzëqeshje apo fjalë e parë mbetet një moment shumë i veçantë për mua.
Çfarë ju jep forcë të vazhdoni këtë mision të vështirë, por fisnik?
Forcën ma japin vetë fëmijët, familjet e tyre dhe besimi që çdo përkushtim i yni mund të ndryshojë jetën e dikujt për mirë. Çdo progres i një fëmije, çdo buzëqeshje apo fjalë e parë është një forcë për mua por dhe stafit që punon me shumë përkushtim e pa lodhje me fëmijët.
Sa e rëndësishme është mbështetja institucionale për qendrat sociale?
Mbështetja institucionale është shumë e rëndësishme, sepse ndihmon qendrat sociale të ofrojnë shërbime më cilësore dhe më të qëndrueshme për komunitetin. Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqënies Sociale së bashku me Këshillin e Qarkut Elbasan janë dy ndër institucionet që ne jemi Qender Rajonale per Femijet me Autizem prej 15 vitesh dhe ofrojmë shërbime falas për fëmijët me CSA dhe familjet e tyre.
Si lindi ideja për krijimin dhe drejtimin e “Aleanca Sociale”?
Ideja për “Aleanca Sociale” lindi nga dëshira për të qenë më pranë njerëzve në nevojë, të rinjve dhe për të krijuar më shumë mundësi mbështetjeje e ndërgjegjësimi social. Qëllimi kryesor ka qenë gjithmonë promovimi i vlerave njerëzore, fuqizimi i të rinjve dhe krijimi i një hapësire ku secili të ndihet i dëgjuar, i mbështetur dhe i motivuar për të ecur përpara.
Cilat janë projektet më të rëndësishme që keni realizuar ndër vite?
Ndër projektet më të rëndësishme do të veçoja aktivitetet sensibilizuese për autizmin, mbështetjen për familjet në nevojë dhe iniciativat për përfshirjen sociale të fëmijëve me aftësi ndryshe. Projekti që me ka pëlqyer më së shumti ishte “Fuqizimi i Vullnetarizmit i të rinjve për shërbimet psikosociale” mbështetur nga Agjencia Kombëtare e Rinisë. Në këtë projekt kam parë shumë të rinj të cilët u përfshinë vullnetarisht dhe u ndërgjegjësuan dhe u sensibilizuan rreth aftësisë ndryshe specifikisht autizmit.
Sa e vështirë është të menaxhosh një organizatë sociale në Shqipëri?
Menaxhimi i një organizate sociale në Shqipëri nuk është i lehtë, pasi kërkon shumë përkushtim, përgjegjësi dhe përballje të vazhdueshme me mungesën e burimeve si financiare por dhe atyre njerëzore.
Çfarë problematikash sociale ju shqetësojnë më shumë sot?
Më shqetësojnë më shumë problematikat që lidhen me mungesën e përfshirjes sociale, varfërinë ,mungesën e mbështetjes për personat me aftësi ndryshe dhe te rinjtë.
Si e shihni rolin e gruas shqiptare në shoqërinë moderne?
Gruaja shqiptare sot ka një rol shumë të rëndësishëm në shoqëri, pasi po dëshmon çdo ditë forcë, profesionalizëm dhe aftësi për të kontribuar në çdo fushë. Shoh një grua te vendosur, që përball sfidat dhe që ia del mbanë për të kontribuar në familje dhe ne punë.
A mendoni se gratë shqiptare kanë ende barriera për të kapërcyer?
Po, mendoj se ende ekzistojnë barriera, por gratë shqiptare po tregojnë çdo ditë se mund t’i kapërcejnë me punë, guxim dhe vendosmëri. Disa nga barrierat me të cilat përballen ende shumë gra shqiptare lidhen me paragjykimet gjinore, mungesën e mundësive të barabarta, vështirësitë për të balancuar jetën profesionale me përgjegjësitë familjare dhe mungesën e mbështetjes në disa ambiente sociale apo profesionale. Në shumë raste, grave u duhet të punojnë më shumë për të provuar aftësitë e tyre dhe për të fituar të njëjtin vlerësim apo besim. Gjithashtu, sfidë mbetet edhe përfshirja më e madhe e grave në vendimmarrje, në pozicione drejtuese dhe në fusha ku tradicionalisht kanë qenë më pak të përfaqësuara. Megjithatë, përmes edukimit, mbështetjes dhe këmbënguljes, këto barriera po sfidohen gjithnjë e më shumë.
Çfarë do të thotë për ju të jesh një grua e fortë?
Për mua, të jesh një grua e fortë do të thotë të mos dorëzohesh përballë sfidave dhe të ruash humanizmin e dashurinë për njerëzit në cdo pozicion pune që mund të jetë një grua, forca e një gruaje nuk matet vetëm me sukseset që arrin, por edhe me mënyrën si ajo mbështet të tjerët, si përballon sfidat e jetës dhe si vazhdon të ecë përpara me dinjitet, ndjeshmëri dhe besim në vetvete.
Sa e vështirë është të mbash balancën mes jetës profesionale dhe familjare?
Balanca mes jetës profesionale dhe familjare është sfiduese, por me mbështetje, organizim dhe dashuri gjithçka bëhet më e lehtë. Une jam një grua dhe një nënë me kohë të plotë. Jetoj dhe përkujdesem me të gjithë përkushtimin e mundshëm sëbashkë më mamanë time dhe dy fëmijët e mi.
Cilat janë vlerat që ju udhëheqin çdo ditë?
Vlerat që më udhëheqin çdo ditë janë humanizmi, përkushtimi, respekti dhe dëshira për të bërë mirë për të tjerët. Vlera të cilat i kam trashëguar nga dy prindër të mrekullueshëm.
Çfarë ju bën krenare në rrugëtimin tuaj profesional?
Ajo që më bën më krenare është fakti që përmes punës sime kam arritur të ndikoj pozitivisht në jetën e shumë fëmijëve dhe që gëzoj respektin e familjeve të tyre. Më ben te ndjehem shumë mirë kur marrë një përqafim nëne të përkushtuar e cila fëmija e saj ka bërë progres të dukshëm, një baba i cili më shtrengon dorën i përlotur në shënjë mirënjohje, një gjyshe që sjell rregullisht cdo ditë mbesën apo nipin në terapi dhe të buzeqesh se ndjehet e dobishme që jep ndihmën e saj në familje. Por të gjitha këto nuk i kam arritur vetëm. Krenare jam dhe për stafin e Qendres me te cilët bashkëpunoj ngushtë në cdo moment dhe i jam mirënjohëse.
A ka pasur momente kur keni menduar të hiqni dorë?
Ka pasur momente të vështira, por çdo herë më kanë dhënë forcë njërëz te vecantë në jetën time, të cilët më kanë treguar që nuk duhet të dorëzohem lehtë, që ka vështirësi por duhet ti përballoj me shumë durim dhe qetësi pasi puna që bëj ka vlerë.
Si i përballoni presionin dhe sfidat e përditshme?
Presionin dhe sfidat i përballoj me qetësi, duke mos harruar kurrë arsyen pse e kam nisur këtë rrugëtim dhe prioritetete që une i kam vendos vetes. Mendoj se sfidat na bëjnë më të fortë për të përballuar cdo presion që mund të na vi aty kur nuk e presim.
Çfarë rëndësie ka puna në grup dhe komunikimi në suksesin tuaj?
Përgjatë këtyre viteve kam mësuar se të dish të punosh në grup është thelbi suksesit. E vetme nuk do mund të kisha arritur rezultate reale dhe të qëndrueshme. Cdo vendim, cdo aktivitet, cdo organizim ne qender marr mendimin e stafit dhe në fund vendosim sëbashku. Mendoj se ia kam dal në këtë pikë më së miri.
Çfarë mesazhi do t’u jepnit vajzave dhe grave të reja shqiptare?
Do t’u thosha vajzave dhe grave shqiptare të besojnë më shumë tek vetja, të mos heqin dorë nga ëndrrat dhe të ecin përpara me dinjitet e guxim.
I jap shembull vetem time, sa kam punuar, sa jam lodhur, jam rrëzuar por jam ngrit sërisht, vetëm duke besuar tek vetja dhe ndjehem e lumtur që e kam bërë.
Sa rëndësi ka edukimi në fuqizimin e gruas?
Edukimi ka një rol kyç në fuqizimin e gruas, sepse i jep asaj pavarësi, vetëbesim dhe mundësi për të ndërtuar të ardhmen që dëshiron. Diploma është celsi i së ardhmes, të dish ta përdorësh eshtë dera që ky cels do hapi.
Çfarë ëndrrash apo synimesh keni ende për të ardhmen?
Kam ende shumë synime dhe dëshirë për të kontribuar më shumë në mbështetjen sociale dhe në krijimin e mundësive më të mira për fëmijët dhe familjet në nevojë.
Të kem një qendër për fëmijët mbi 11 vjec është ëndrra por dhe pikësynimi im i së ardhmes.
Si do të donit të kujtohej puna dhe kontributi juaj?
Do të doja që puna dhe kontributi im të kujtoheshin si një përpjekje e sinqertë për të sjellë më shumë dashuri, mbështetje dhe shpresë në shoqëri.
Çfarë ju jep shpresë për të ardhmen e shoqërisë shqiptare?
Më jep shpresë fakti që çdo ditë ka më shumë njerëz të ndërgjegjshëm, të rinj aktivë dhe gra të forta që duan të sjellin ndryshim pozitiv.
Një mesazh të fundit për lexuesit e “Albania Express News” dhe për të gjitha gratë që luftojnë çdo ditë për ëndrrat e tyre?
Mesazhi im për të gjitha gratë është të mos ndalen kurrë së besuari tek vetja dhe tek forca që kanë brenda tyre. Çdo sfidë mund të kalohet me punë, durim dhe zemër të fortë. Të mbështesim njëra tjetrën është një nga gjërat më e bukur dhe më solidarizuese që mund të bëjmë në përditshmërinë tonë.

