TIRANË, 7 maj 2026/Albania Express News/ Policia e Tiranës ka arrestuar sot dy shtetas dhe ka shpallur në kërkim një tjetër për helmimin e studentëve të Akademisë së Sigurisë.
Drejtoria e Policisë së Tiranës bën të ditur se “dje, janë dërguar për ndihmë mjekësore në Repartin Infektiv të QSUT-së, 56 studentë të Akademisë së Sigurisë, të cilët dyshohet se janë helmuar pas konsumimit të ushqimit në ambientet e Akademisë së Sigurisë”
Policia sqaron se të gjithë studentët morën ndihmën e nevojshme mjekësore dhe kanë dalë nga spitali, në gjendje të mirë shëndetësore.
Për këtë ngjarje, policia ka arrestuar në flagrancë shtetasit K. B., 52 vjeç dhe K. P., 23 vjeçe, me detyra respektive kuzhinier dhe teknologe ushqimi në kompaninë e kontraktuar për të ofruar ushqim në Akademinë e Sigurisë si dhe ka referuar për në prokurori ku ka nisur procedimi në gjendje të lirë për shtetasen R. Ç., 35 vjeçe, me detyrë teknologe ushqimi në këtë kompani.
Gjithashtu është shpallur në kërkim administratorja e kompanisë, shtetasja A. T., 52 vjeçe, për të cilën policia thekson se punohet për kapjen e saj, individualizimin dhe dokumentimin e përgjegjësisë penale të shtetasve të përfshirë në këtë rast.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprën penale “Importimi, prodhimi, shitja dhe ruajtja e ushqimeve të rrezikshme për shëndetin ose jetën e njerëzve”.
MSHMS: Pas marrjes së ndihmës mjekësore, studentët janë larguar nga spitali në gjendje të mirë shëndetësore
Lidhur me ngjarjen ka reaguar edhe Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale ku bën të ditur se “ditën e djeshme, më datë 06.05.2026, rreth 50 studentë të Akademisë së Policisë janë paraqitur në shërbimin e Urgjencës pranë Spitalit Infektiv në QSUT, të dyshuar për helmim nga ushqimi”.
Menjëherë pas paraqitjes së tyre, ekipet mjekësore kanë kryer vlerësimin dhe trajtimin e nevojshëm shëndetësor për çdo rast.
Shërbimi Infektiv dhe Urgjenca Polivalente në QSUT dhe Qendra Kombëtare e Urgjencës Mjekësore kanë kaluar menjëherë në gjendje gatishmërie pas marrjes së njoftimit, duke shtuar kapacitetet e stafit në shërbim dhe duke garantuar menjëherë stokun e nevojshëm të barnave.
Po ashtu, të gjithë studentët janë vlerësuar përmes ekzaminimeve laboratorike me qëllim identifikimin e shkakut të helmimit.
Pas marrjes së ndihmës mjekësore, studentët janë larguar nga spitali në gjendje të mirë shëndetësore.

