Gvozdenoviç paralajmëron Dinamon: ‘Ne jemi Elbasani, luajmë për maksimumin!’

Para sfidës me Dinamon, Elbasani vjen në një moment të mirë forme dhe me vetëbesim të ngritur pas katër fitoreve radhazi. Trajneri Ivan Gvozdenoviç thekson se skuadra është e qetë dhe e përgatitur, por pa rënë në eufori. “Kampionati është i gjatë dhe deri tani nuk kemi fituar asgjë. Duhet të qëndrojmë me këmbë në tokë,” u shpreh tekniku verdheblu, duke theksuar rëndësinë e vazhdimësisë.

Ndeshja me Dinamon, që luhet në Tiranë, shihet si një test serioz, por Gvozdenoviç nuk sheh asnjë problem me fushën. “Qoftë në Tiranë, qoftë në Elbasan, për ne është e njëjta gjë. Jemi gati çdo javë dhe fusha nuk ka rëndësi,” tha ai, duke nënvizuar gjendjen e mirë të grupit. Trajneri bëri të ditur se e vetmja mungesë është ajo e Lulajt për shkak të kartonëve, ndërsa vendimet përfundimtare për formacionin do të merren pas seancës së fundit stërvitore.

Tekniku vlerësoi edhe formën e sulmuesve, të cilët kanë qenë protagonistë në ndeshjet e fundit. “Është pozitive kur shënojnë sulmuesit, sepse ata janë aty për të bërë gola,” tha Gvozdenoviç. Megjithatë, ai theksoi se për të nuk ka rëndësi emri i shënuesit: “E rëndësishme është skuadra dhe fitorja. Jam i kënaqur me të gjithë lojtarët.”

Sa i përket pritshmërive për sfidën, trajneri mbetet i kujdesshëm, por i vendosur që skuadra të japë maksimumin. “Nuk mund të flas për rezultatin, sepse një ndeshje i ka të tria rezultatet. Ne jemi Elbasani dhe gjithmonë do të provojmë të luajmë futboll të bukur,” u shpreh ai, duke garantuar se ekipi do të hyjë në fushë me synimin për të bërë diferencën.

Në fund, Gvozdenoviç shtoi se fokusi është vetëm te performanca dhe jo te presioni i renditjes. “Ne mendojmë vetëm për ndeshjen e radhës dhe për të dhënë më të mirën.”

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME

Protestuesit nuk bëjnë prapa, marshojnë në ditën e 72-të: Këtu derisa Rama të japë dorëheqjen

TIRANË ,10 gusht 2026/Albania Express News/-Qindra qytetarë u mblodhën...

11 ditë protestë në Divjakë, banorët këmbëngulin: “Divjaka të mbetet bashki!”

Nga Sara Tarko DIVJAKË ,10 gusht 2026/Albania Express News/-Prej 11...

Shëtitorja e re e Ksamilit, hapësirë e transformuar për banorët dhe turistët

TIRANË ,10 gusht 2026/Albania Express News/-Shëtitorja e re e...