Garancia Evropiane për Fëmijët/ Ministrja Evis Sala: Plani i Veprimit 2026–2030 do të mbështesë rreth 100 mijë fëmijë në nevojë

TIRANË ,03 gusht 2026/Albania Express News/-Rreth 100 mijë fëmijë në Shqipëri, të cilët përballen me varfëri, përjashtim social apo forma të tjera vulnerabiliteti, pritet të përfitojnë nga masat e parashikuara në Planin e Veprimit për Garancinë Evropiane për Fëmijët 2026–2030. Dokumenti synon të forcojë mbështetjen për fëmijët dhe familjet përmes politikave të koordinuara në mbrojtjen sociale, shëndetësi dhe arsim, duke garantuar akses më të mirë në shërbime cilësore dhe mundësi të barabarta për zhvillim.

Plani u prezantua në një takim me përfaqësues të institucioneve shtetërore, partnerëve ndërkombëtarë dhe organizatave të shoqërisë civile, të përfshirë në hartimin dhe zbatimin e tij.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Prof. Evis Sala, e cilësoi dokumentin si një angazhim konkret për të përmirësuar jetën e fëmijëve dhe familjeve më në nevojë, duke theksuar se sfida kryesore mbetet zbatimi i tij në praktikë.

“Sfida jonë sot, dhe angazhimi im personal si Ministre, është që çdo politikë e mirë në letër të zbatohet me sukses – që çdo reformë, çdo shërbim dhe çdo investim i parashikuar në këtë Plan të përkthehet në ndryshim real në jetën e fëmijëve dhe familjeve tona”, deklaroi ministrja Sala.

Sipas saj, Plani ndërtohet mbi reformat e ndërmarra gjatë viteve të fundit për fuqizimin e skemës së ndihmës ekonomike, zgjerimin e shërbimeve të kujdesit në fëmijërinë e hershme, zhvillimin e kujdesit familjar dhe komunitar, promovimin e arsimit gjithëpërfshirës, si dhe integrimin e shërbimeve shëndetësore me ato sociale.

Një nga masat më të rëndësishme të parashikuara është dyfishimi i mbështetjes financiare për rreth 11 mijë fëmijë me aftësi të kufizuara, si edhe njohja e kontributeve të sigurimeve shoqërore për kujdestarët e tyre, duke synuar lehtësimin e barrës ekonomike për familjet.

Ministrja theksoi gjithashtu se Garancia Evropiane për Fëmijët nuk është vetëm pjesë e angazhimeve të Shqipërisë në procesin e integrimit evropian, por mbi të gjitha një përgjegjësi për të garantuar që çdo fëmijë të ketë mundësi të barabarta për zhvillim dhe një të ardhme më të mirë.

Në takim mori pjesë edhe Drejtori Rajonal i UNICEF-it për Evropën dhe Azinë Qendrore, Lindjen e Mesme dhe Afrikën e Veriut, Edouard Beigbeder, i cili vlerësoi Shqipërinë për rolin e saj udhëheqës në rajon në hartimin dhe zbatimin e këtij plani.

“Do të doja ta përgëzoja ngrohtësisht Shqipërinë për faktin që është në pararojë në rajon. Hartimi i këtij plani kombëtar është mbështetur në prova të forta, konsultime të gjera dhe koordinim efektiv ndërsektorial. Ky investim i rëndësishëm dhe angazhimi i qartë i pasqyruar në plan dëshmojnë vendosmërinë e Shqipërisë për të adresuar varfërinë e fëmijëve, për të promovuar përfshirjen sociale dhe për të investuar në brezat e ardhshëm”, u shpreh Beigbeder.

Edhe përfaqësuesi i Delegacionit të Bashkimit Evropian në Shqipëri, Miha Pezelj, theksoi rëndësinë e Garancisë Evropiane për Fëmijët si një nga instrumentet kryesore të Bashkimit Evropian në luftën kundër varfërisë dhe përjashtimit social.

“Në Bashkimin Evropian, Garancia Evropiane për Fëmijët konsiderohet si një nga përgjigjet më të rëndësishme ndaj kësaj sfide. Ajo është një nismë madhore e Bashkimit Evropian, e miratuar në vitin 2021, me synim parandalimin dhe luftimin e përjashtimit social, duke garantuar për fëmijët në nevojë qasje efektive dhe falas në shërbimet thelbësore”, deklaroi Pezelj.

Plani i Veprimit për Garancinë Evropiane për Fëmijët 2026–2030 do të shërbejë si dokumenti udhëzues për ndërhyrjet ndërinstitucionale gjatë pesë viteve të ardhshme. Ai synon të forcojë bashkëpunimin mes institucioneve shtetërore, partnerëve ndërkombëtarë dhe organizatave të shoqërisë civile, me objektivin që çdo fëmijë në Shqipëri të ketë akses në shërbime cilësore, mbështetje sociale dhe mundësi të barabarta për një zhvillim të plotë.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME

Protestat kundër Reformës Territoriale, Berisha: Janë të ligjshme, qytetarët të reagojnë

TIRANË,03gusht 2026/Albania Express News/-Pasi doli nga Prokuroria e Përgjithshme,...

Reforma territoriale: transparenca e kritereve dhe interesi publik

Nga Ernelinda Meksi TIRANË ,03gusht 2026/Albania Express News/-Debati mbi reformën...