TIRANË ,16 shtator 2026 /Albania Express News/-Shqipëria do të ketë përballë Finlandën, Bjellorusinë dhe San Marinon në edicionin e ardhshëm të Ligës së Kombeve, me kuqezinjtë që synojnë vendin e parë në grup dhe rikthimin në Ligën B.
Në këtë garë, Finlanda konsiderohet një prej kundërshtarëve kryesorë për kreun e grupit. Përballjet direkte mes dy skuadrave pritet të kenë një peshë të veçantë në përcaktimin e renditjes përfundimtare.
Finlandezët kanë bërë publike listën e lojtarëve të grumbulluar për ndeshjet e radhës. Trajneri Jakob Frisz ka përfshirë 25 futbollistë, ndërsa në skuadër rikthehen disa prej lojtarëve të rëndësishëm që kanë munguar për shkak të dëmtimeve apo arsyeve të tjera.
Mes emrave që rikthehen në mesfushë janë Kaan Kairinen dhe Glen Kamara, ndërsa në listë janë edhe Bergstrom, Lahtenmaki dhe Stahl, të cilët kanë kaluar periudha të gjata jashtë fushave për shkak të dëmtimeve.
Lista finlandeze përmban vetëm një debutues. Bëhet fjalë për sulmuesin Adrien Svanbäck, pjesë e klubit Häcken, i cili ka marrë për herë të parë ftesën për përfaqësuesen.
Në skuadër spikasin edhe disa emra me eksperiencë të konsiderueshme në futbollin europian. Një prej tyre është portieri Lukas Hradecky, pjesë e Monakos, ndërsa në repartin ofensiv është Joel Pohjanpalo, një prej sulmuesve më të njohur të Finlandës.
Pohjanpalo ka një karrierë të pasur në futbollin europian, duke luajtur ndër të tjera për Bayer Leverkusen, Hamburg, Union Berlin dhe Venezia, ndërsa së fundmi ka qenë pjesë e Palermos.
Me një grup ku Shqipëria dhe Finlanda pritet të luajnë një rol të rëndësishëm në garën për vendin e parë, përballjet direkte mes kuqezinjve dhe finlandezëve do të jenë ndër ndeshjet më të rëndësishme të këtij edicioni.
Objektivi i Shqipërisë është i qartë: fitimi i grupit dhe rikthimi në Ligën B. Për të arritur këtë synim, kuqezinjtë duhet të përballojnë një Finlandë me lojtarë me eksperiencë ndërkombëtare dhe me rikthime të rëndësishme në formacion.

