Fatmir Mëneri pasuron Bibliotekën Publike “Sami Leka ” të Librazhdit, dhuron koleksionin e çmuar të librave sportivë të botuar dhe të përkthyer prej tij kushtuar yjeve të futbollit botëror

LIBRAZHD ,26 korrik 2026/Albania Express News/-Një aktivitet me vlera të veçanta kulturore dhe sportive u zhvillua në Bibliotekën Publike “Sami Leka” të Librazhdit, ku gazetari, analisti sportiv, shkrimtari, dhe përkthyesi i njohur Fatmir Mëneri promovoi botimet dhe përkthimet e tij më të fundit, duke i dhuruar njëkohësisht bibliotekës së qytetit një koleksion të pasur librash të përkthyera prej tij kushtuar figurave më të mëdha të sportit botëror.

Ceremonia e organizuar nga stafi i bibliotekës dhe i bashkisë së Librazhdit u shndërrua në një takim të veçantë mes librit, sportit dhe kulturës, duke mbledhur personalitete të jetës publike, drejtues institucionesh, gazetarë, sportistë, intelektualë dhe dashamirës të leximit. Të pranishëm ishin kryetari i Bashkisë Librazhd, Mariglen Disha, punonjës të administratës vendore, figura të njohura të sportit shqiptar, si edhe qytetarë të shumtë që kishin zgjedhur të ishin pjesë e kësaj ngjarjeje.

Në qendër të aktivitetit ishte kontributi shumëvjeçar i Fatmir Mënerit në gazetarinë sportive shqiptare dhe puna e tij këmbëngulëse për të sjellë në gjuhën shqipe disa prej librave më të rëndësishëm të futbollit botëror.

Një dhuratë që mbetet pasuri për qytetin

Momenti më domethënës i aktivitetit ishte dhurimi i një koleksioni librash sportivë Bibliotekës Publike “Sami Leka”. Me këtë gjest, Fatmir Mëneri pasuroi fondin e bibliotekës me botime që konsiderohen referenca të rëndësishme për sportin modern.

Në raftet e bibliotekës do të jenë tashmë të disponueshme libra kushtuar emrave më të mëdhenj të futbollit botëror, si Lionel Messi, Cristiano Ronaldo, Gianluca Vialli, Arrigo Sacchi, José Mourinho, Pep Guardiola, Massimiliano Allegri dhe Antonio Conte.

Bëhet fjalë për vepra që nuk përmbajnë vetëm historitë personale të këtyre legjendave, por edhe filozofinë e tyre të suksesit, mënyrën e të menduarit, konceptet taktike, përvojat profesionale dhe sfidat që kanë përballuar gjatë karrierës.

Vlera e këtij koleksioni bëhet edhe më e madhe për faktin se të gjitha këto botime janë sjellë në gjuhën shqipe nga vetë Fatmir Mëneri, me një përkthim profesional dhe me përkushtim të admirueshëm.Edhe të pranishëmve Mëneri ju dhuroi libra me dedikimin e tij nga koleksioni i këtyre veprave të çmuara.

Vlerësimi i Bashkisë Librazhd

Në fjalën e tij përshëndetëse, kryetari i Bashkisë Librazhd, Mariglen Disha, shprehu konsideratën më të lartë për figurën e Fatmir Mënerit, duke e cilësuar atë si një nga emrat më të respektuar të gazetarisë sportive shqiptare.

Disha theksoi se Mëneri ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm jo vetëm si gazetar dhe analist sportiv, por edhe si shkrimtar, botues e përkthyes, duke bërë të mundur që lexuesi shqiptar të ketë në dorë disa nga veprat më prestigjioze të sportit botëror.

Kryebashkiaku ndaloi veçanërisht te gjesti i dhurimit të koleksionit të librave për Bibliotekën “Sami Leka”, duke e cilësuar atë një akt fisnik dhe një investim afatgjatë në kulturën e leximit, në edukimin sportiv të të rinjve dhe në pasurimin e jetës kulturore të Librazhdit.

Fatmir Popja prezanton rrugëtimin e Mënerit

Një prezantim të detajuar të jetës dhe karrierës së Fatmir Mënerit bëri gazetari Fatmir Popja , i cili u ndal në rrugëtimin profesional të autorit ndër vite.Fatmir Mëneri është një nga gazetarët dhe analistët më të njohur të gazetarisë sportive në Shqipëri, i njohur kryesisht si kryeredaktor i gazetës Sport Ekspres që nga themelimi i saj.

Ai evidentoi kontributin e Mënerit si analist i njohur sportiv, botues, autor dhe përkthyes i një numri të madh librash që kanë sjellë për lexuesin shqiptar mendimin dhe filozofinë e figurave më të mëdha të futbollit botëror.

Sipas gazetarit Popja, përkthimet e realizuara nga Fatmir Mëneri nuk janë transferime tekstesh nga një gjuhë në tjetrën, por një punë profesionale që ruan frymën, mesazhin dhe vlerat e autorëve origjinalë, duke i bërë këto vepra të kuptueshme dhe tërheqëse për publikun shqiptar.

Ish futbollisti Besnik Kola: Këta libra janë një shkollë për futbollin shqiptar

Vlerësime të veçanta u shprehën edhe nga Besnik Kola, ish-futbollisti i Sopotit dhe i disa skuadrave të njohura të elitës së futbollit shqiptar.

Ai theksoi se librat e përkthyera nga Fatmir Mëneri përfaqësojnë një pasuri të jashtëzakonshme për sportin shqiptar dhe duhet të lexohen jo vetëm nga sportdashësit, por mbi të gjitha nga trajnerët, futbollistët dhe specialistët e futbollit.

Sipas Kolës, eksperiencat e trajnerëve dhe lojtarëve më të mëdhenj të botës përbëjnë një shkollë të vërtetë për këdo që dëshiron të ecë përpara në futboll, ndërsa përkthimi i tyre në gjuhën shqipe i bën këto njohuri të aksesueshme për çdo lexues.

Agron Sejamini: Interneti jep informacion, libri jep përvojë

Një nga fjalimet më të ndjera të aktivitetit ishte ajo e gazetarit Agron Sejamini, i cili ka bashkëpunuar ngushtë me Fatmir Mënerin në përgatitjen kompjuterike dhe shtypjen e të gjitha këtyre botimeve.

Ai tregoi se ka pasur privilegjin të ndjekë nga afër lindjen e secilit libër, nga faqja e parë deri në daljen nga shtypshkronja.

Sejamini  falënderoi qytetarët e Librazhdit për mikpritjen, duke u shprehur se atmosfera e krijuar në këtë promovim ishte një dëshmi e respektit që qyteti ka për librin dhe kulturën.

Në fjalën e tij ai u ndal edhe te rëndësia e leximit në kohën e teknologjisë.

“Shpesh dëgjojmë të thuhet se sot nuk lexon më askush libra ose se gjithçka mund të gjendet në internet. Nëse pohimi i parë mund të ketë një grimë të vërtete, i dyti nuk qëndron aspak. Interneti jep informacion, por rrallëherë të dhuron përvojën, emocionin, analizën dhe urtësinë që përcjell një libër i shkruar me pasion dhe kompetencë”, tha ai.

Sipas Sejamini , këto libra nuk janë thjesht botime sportive, por manuale të vërteta dijeje, ku lexuesit mund të gjejnë analiza taktike, filozofi drejtimi, histori suksesi dhe mësime jetësore që nuk mund të zëvendësohen nga informacioni i shpërndarë në internet.

Ai ftoi trajnerët, futbollistët dhe të rinjtë që t’i lexojnë këto vepra dhe njohuritë e marra prej tyre t’i kthejnë në praktikë gjatë punës së përditshme.

Vlerësime nga të pranishmit

Promovimi u shoqërua me diskutime të shumta, ku morën fjalën intelektualë, gazetarë, sportistë dhe qytetarë të pranishëm.

Të gjithë vlerësuan kontributin shumëvjeçar të Fatmir Mënerit në gazetarinë sportive shqiptare, si edhe punën e tij të palodhur për të përkthyer dhe sjellë në gjuhën shqipe libra që deri pak vite më parë ishin të paarritshëm për lexuesin shqiptar.

Sipas diskutuesve, këto botime nuk janë vetëm libra për sportin, por burime frymëzimi, edukimi dhe kulture për brezat e rinj, duke ndihmuar në formimin profesional të sportistëve dhe specialistëve të së ardhmes.

 

Gazetari Haxhi Balliu: “Sport Ekspres” ishte shkolla jonë, Fatmir Mëneri ishte mësuesi ynë

Emocione dhe kujtime të shumta solli në këtë aktivitet edhe gazetari librazhdas Haxhi Balliu, i cili ndau me të pranishmit rrugëtimin e përbashkët profesional me Fatmir Mënerin, duke e cilësuar atë një nga figurat që ka lënë gjurmë të pashlyeshme në gazetarinë sportive shqiptare.

“Për mua, ky takim solli edhe shumë kujtime si gazetar sportiv i Librazhdit .Tridhjetë e një vite më parë nisëm së bashku rrugëtimin në gazetën ‘Sport Ekspres’, ku Fatmir Mëneri ishte kryeredaktor. Për brezin tonë, ajo gazetë nuk ishte thjesht një redaksi; ishte shkolla e gazetarisë sportive shqiptare”, u shpreh Balliu.

Ai kujtoi se Fatmir Mëneri nuk ishte vetëm drejtuesi i redaksisë, por një mentor i vërtetë për gazetarët e rinj, njeriu që u mësoi të respektonin lajmin, të kërkonin të vërtetën dhe të shkruanin me përgjegjësi, pa bërë asnjëherë kompromis me profesionalizmin.

“Fatmiri nuk ishte vetëm shefi ynë. Ai ishte mësuesi që na mësoi të respektonim lajmin, të kërkonim të vërtetën, të shkruanim me përgjegjësi dhe të mos bënim kurrë kompromis me profesionalizmin. Ishte një edukator, një këshilltar dhe, mbi të gjitha, një vëlla i madh, siç do ta etiketonte kolegu ynë nga Kavaja, Fatmir Efica, që dinte të të mbështeste, të të inkurajonte dhe të të jepte besim”, tha Balliu.

Duke iu referuar botimeve dhe përkthimeve të Mënerit, gazetari librazhdas theksoi se vitet mund të kalojnë, por njerëzit që lënë gjurmë në profesion mbeten të njëjtë në përkushtimin e tyre.

“Sot, duke e parë mes librave të tij, kuptova se vitet kalojnë, por njerëzit që lënë gjurmë mbeten gjithmonë të njëjtë: të përkushtuar, të thjeshtë dhe në shërbim të dijes. Faleminderit, Fatmir, për gjithçka i ke dhënë gazetarisë sportive shqiptare, për përkthimet që po pasurojnë bibliotekat tona dhe për mësimet që vazhdojnë të na shoqërojnë edhe sot. Librazhdi fitoi disa libra të vyer. Ne fituam edhe një arsye më shumë për të qenë krenarë për një gazetar, përkthyes dhe intelektual që vazhdon të kontribuojë me të njëjtin pasion si dikur”, përfundoi Balliu.

Fjala e Haxhi Balliut u prit me duartrokitje nga të pranishmit, të cilët e vlerësuan si një dëshmi të sinqertë të respektit dhe mirënjohjes për një prej emrave më të spikatur të gazetarisë sportive shqiptare.

Në fund të aktivitetit, pjesëmarrësit e cilësuan promovimin si një nga ngjarjet më të rëndësishme kulturore të zhvilluara së fundmi në Librazhd. Dhurimi i koleksionit të librave nga Fatmir Mëneri për Bibliotekën Publike “Sami Leka” u konsiderua një trashëgimi e vyer për qytetin, një investim në dije dhe një dëshmi se libri mbetet ura më e sigurt mes përvojës, kulturës dhe brezave që do të vijnë.

 

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME

Luftë e hapur në FIFA, Sepp Blatter akuzon Infantinon se po e kthen futbollin në “pronë private”

BOTA ,29 korrik 2026/Albania Express News/-Ish-presidenti i FIFA-s, Sepp...

Tragjedi në Argjentinë/ Helikopteri ushtarak rrëzohet gjatë një stërvitjeje për shuarjen e zjarreve, humbin jetën 7 persona

ARGJENTINË ,29 korrik 2026/Albania Express News/-Shtatë persona humbën jetën...

Protesta e 60-të në kryeqytet për Zvërnecin dhe thirrjet për dorëheqjen e Kryeministrit

TIRANË, 29 korrik 2026/Albania Express News/- Protesta për investimin...

“Kujdes me Territorialen”, Këshilli i Europës: Duhet konsultim me banorët, mos u hiqni kompetenca bashkive

BRUKSEL ,29 korrik 2026/Albania Express News/-Ndërsa mazhoranca dhe opozita...