Qyteti i Elbasanit mirëpriti një tjetër aktivitet të rëndësishëm kushtuar futbollit të moshave, ku në kuadër të trofeut “GLOBE SPORTS GBR EVENT” u zhvillua një mini-turne për grupmoshën U-7, me pjesëmarrjen e ekipeve AS Sports, Elbasan Junior, Akademia Dean dhe Egnatia.

I organizuar në bashkëpunim me Shoqatën Rajonale të Futbollit Elbasan, aktiviteti u kthye në një festë të vërtetë sportive, ku protagonistë ishin fëmijët, me pasionin, dëshirën dhe entuziazmin e tyre për lojën e futbollit. Përtej rezultateve në fushë, vlera më e madhe e këtij turneu ishte gëzimi i vogëlushëve dhe mundësia për të shijuar një eksperiencë të bukur sportive në një atmosferë miqësore.

Ndeshjet u zhvilluan në frymën e fair-play-t dhe respektit mes skuadrave, ndërsa prindërit dhe familjarët e pranishëm krijuan një atmosferë të ngrohtë me mbështetjen dhe duartrokitjet e tyre gjatë gjithë aktivitetit. Emocionet, buzëqeshjet dhe energjia pozitive e fëmijëve ishin dëshmia më e mirë e rëndësisë që kanë iniciativa të tilla për zhvillimin e sportit që në hapat e parë.

Në ceremoninë përmbyllëse, të gjithë pjesëmarrësit u vlerësuan me medalje dhe trofe, të cilat u dorëzuan nga kreu i SHRFE-së, Ilirjan File, i cili përgëzoi ekipet, trajnerët dhe prindërit për angazhimin dhe kontributin e tyre në rritjen e brezit të ri të futbollistëve.

Organizatorët shprehën bindjen se aktivitete të këtij formati do të vijojnë edhe në të ardhmen, me synimin për t’u kthyer në një traditë të përvitshme, duke promovuar jo vetëm talentin sportiv, por edhe vlerat e bashkëpunimit, respektit dhe edukimit përmes futbollit. Mini-turneu i “GLOBE SPORTS GBR EVENT” konfirmoi edhe një herë se investimi te fëmijët dhe sporti është investim për të ardhmen, ndërsa buzëqeshja e tyre mbetet trofeu më i madh i çdo aktiviteti.


