MIRDITE , 22 gusht 2026/Albania Express News/- Nëntetari Andrea Kaçi, efektiv i repartit të Mengelit në Elbasan, është lënduar gjatë operacionit të Forcave të Armatosura për shuarjen e zjarreve në Mirditë.
Lajmi është bërë i ditur nga ish-ministri dhe deputeti Piro Vengu, i cili përmes një postimi në rrjetet sociale ka shprehur mbështetjen dhe urimin e tij për efektivin elbasanas.
Vengu ka theksuar se Andrea Kaçi u lëndua në krye të detyrës, ndërsa ishte angazhuar në terren së bashku me qindra efektivë të Forcave të Armatosura në përballjen me flakët.
“I uroj nga zemra shërim sa më të shpejtë nëntetarit Andrea Kaçi, efektiv i repartit të Mengelit, Elbasan, i cili u lëndua në krye të detyrës gjatë operacionit të Forcave të Armatosura për shuarjen e zjarreve në Mirditë”, shkruan Vengu.
Në mesazhin e tij, deputeti ka vlerësuar kontributin e efektivëve që po përballen me situatën e vështirë të zjarreve, duke nënvizuar se ata ndodhen në vijën e parë të rrezikut për të mbrojtur jetën e banorëve, banesat dhe pasuritë e tyre.
“Në këtë betejë të vështirë me flakët, Andrea ishte atje ku sot janë qindra efektivë tanë: në terren, pranë komuniteteve, duke luftuar për të mbrojtur jetën, banesat dhe pasuritë e qytetarëve”, shprehet Vengu.
Në fund të postimit, ai i ka uruar efektivit nga Elbasani një rikuperim sa më të shpejtë dhe kthim pranë familjes dhe kolegëve të tij.
“Shërim të shpejtë, Andrea! Të presim sa më parë shëndoshë e mirë, pranë familjes dhe shokëve të armës”, shkruan Piro Vengu, duke shprehur njëkohësisht respekt dhe mirënjohje për të gjithë efektivët që po përballen me flakët në vijën e parë.
Lëndimi i nëntetarit Andrea Kaçi vë në pah edhe një herë rrezikun me të cilin përballen efektivët e Forcave të Armatosura gjatë ndërhyrjeve për shuarjen e zjarreve, ndërsa ai vijon të marrë urimet për një shërim të shpejtë.

