Eduard Zaloshnja: Pas reformës së bashkive, Shqipëria duhet të kalojë drejt një ndarjeje të re rajonale

Nga Eduard Zaloshnja

TIRANË ,18 gusht 2026/Albania Express News/-Reforma territoriale pritet të hyjë në një fazë të re diskutimi, ndërsa në qendër të debatit është numri i bashkive dhe mënyra se si Shqipëria do të organizohet në të ardhmen në nivel rajonal. Eksperti Eduard Zaloshnja argumenton se, përtej rishikimit të numrit të bashkive, vendi ka nevojë për një ndarje rajonale që të mbështetet te kriteret gjeografike dhe ekonomike. 

Sipas Zaloshnjës, Partia Socialiste ka propozuar që numri i bashkive të reduktohet nga 61 në 46, ndërsa Partia Demokratike ka propozuar rreth 100 bashki. Ai vlerëson se deri në nëntor, kur Presidenti i Republikës pritet të shpallë zgjedhjet bashkiake, ekzistojnë gjasat që Kuvendi të ketë miratuar hartën e re territoriale.

Zaloshnja thekson se numri përfundimtar mund të mos jetë as 46 dhe as 100, por sipas tij, rëndësi të veçantë ka që zgjedhjet e ardhshme vendore të zhvillohen mbi bazën e hartës së re territoriale. 

Rajonet, faza e dytë e reformës

Në analizën e tij, Zaloshnja e ndan procesin në dy etapa: fillimisht riorganizimin e bashkive dhe më pas përcaktimin e rajoneve dhe kompetencave të tyre.

Ai argumenton se bashkitë aktuale funksionojnë kryesisht si struktura administrative dhe shërbimi vendor, ndërsa rajonet mund të kenë një rol shumë më të rëndësishëm në zhvillimin ekonomik.

Sipas tij, nëse rajonet pajisen me buxhete të mjaftueshme dhe burime njerëzore, ato mund të shndërrohen në motorë të zhvillimit ekonomik të zonave që përfshijnë.

Për këtë arsye, Zaloshnja propozon që ndarja rajonale të mos bëhet vetëm mbi baza administrative, por të marrë në konsideratë relievin, lidhjet gjeografike dhe potencialet ekonomike të territorit.

Shtatë rajone të propozuara

Në modelin e paraqitur nga Zaloshnja, Shqipëria mund të ndahet në disa rajone të mëdha funksionale.

Rajoni Veriperëndimor, me qendër Shkodrën, do të shtrihej nga Miloti deri në Vermosh.

Rajoni Verilindor, me qendër Kukësin, do të përfshinte hapësirën nga Rubiku deri në Morinë.

Rajoni Lindor, me qendër Peshkopinë, do të shtrihej nga Tuneli i Murrizit deri në Kalanë e Dodës.

Në juglindje, propozimi parashikon Rajonin Juglindor, me qendër Pogradecin, që do të shtrihej nga Rrogozhina deri në Kapshticë.

Në krahun tjetër do të ishte Rajoni Jugperëndimor, me qendër Vlorën, nga Rrogozhina deri në Qafë-Botë. Për Beratin, Zaloshnja lë të hapura dy alternativa: të krijojë rajon më vete ose t’i bashkëngjitet Rajonit Jugperëndimor.

Më tej, ai propozon Rajonin Jugqendror, me qendër Gjirokastrën, që do të shtrihej nga Ballshi deri në Kakavijë.

Ndërsa Rajoni Qendror, me Tiranën si qendër, do të përfshinte territorin e kufizuar nga Miloti në veri, Rrogozhina në jug, Mali me Gropa në lindje dhe Deti Adriatik në perëndim. 

Zgjedhje të drejtpërdrejta dhe buxhete të pavarura

Një prej elementeve kryesore të propozimit është mënyra se si duhet të funksionojnë këto rajone.

Zaloshnja argumenton se drejtuesit e tyre duhet të zgjidhen drejtpërdrejt nga qytetarët, ndërsa rajonet duhet të kenë buxhete relativisht të pavarura nga buxheti qendror.

Sipas tij, vetëm në këtë mënyrë ndarja gjeografike mund të shndërrohet në një instrument real për zhvillimin ekonomik dhe përmirësimin e shërbimeve për banorët.

Ideja për një nivel rajonal më funksional nuk është e re në diskutimet e Zaloshnjës. Në një analizë të mëparshme, ai kishte propozuar që ndarja territoriale të mos bazohej thjesht në llogari elektorale, por në kritere funksionale, historike, gjeografike dhe ekonomike. 

Zgjedhje parlamentare dhe rajonale në 2029?

Në përfundim, Zaloshnja ngre edhe mundësinë që reforma rajonale të përfundojë përpara zgjedhjeve të vitit 2029.

Nëse procesi realizohet brenda këtij afati, sipas tij, Shqipëria mund të përballet me një situatë të re elektorale, ku zgjedhjet parlamentare të zhvillohen njëkohësisht me zgjedhjet rajonale.

“Ka gjithmonë një herë të parë”, shprehet Zaloshnja, duke e lënë të hapur këtë skenar si një mundësi për të ardhmen e organizimit territorial të vendit. 

Debati për reformën territoriale tashmë është rikthyer në qendër të vëmendjes politike. PS ka depozituar një propozim për 46 bashki, ndërsa opozita ka kërkuar një numër më të madh njësish vendore dhe ka hedhur idenë e rajoneve si nivel të rëndësishëm të qeverisjes vendore. 

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME