Arian Bala ,Drejtësia më pranë qytetarëve /Qendra e Ndihmës Juridike në Elbasan rrit besimin dhe shërbimet për komunitetin

Në një kohë kur aksesi në drejtësi mbetet një sfidë për shumë qytetarë, Qendra e Shërbimit të Ndihmës Juridike Parësore në Elbasan po shndërrohet gjithnjë e më shumë në një pikë referimi për mbështetje ligjore falas dhe profesionale. Në një intervistë për Albania Express News, z.Arian Bala ,Punonjës me Trajnim të Posaçëm pranë Qendrës së Shërbimit të Ndihmës Juridike Parësore Elbasan, , ka hedhur dritë mbi misionin, arritjet dhe sfidat e këtij institucioni, i cili çdo ditë u vjen në ndihmë qytetarëve në nevojë.

Në thelb të punës së qendrës qëndron një objektiv i qartë: garantimi i aksesit të barabartë në drejtësi për të gjithë, pa përjashtim. Kjo nismë synon veçanërisht shtresat më vulnerabël të shoqërisë, duke u ofruar atyre ndihmë juridike falas, si në nivel parësor, ashtu edhe dytësor, si dhe përjashtim nga tarifat dhe shpenzimet gjyqësore për ata që nuk kanë mundësi ekonomike.

Ndihma juridike parësore përfshin një gamë të gjerë shërbimesh, duke nisur nga informimi mbi sistemin ligjor dhe legjislacionin në fuqi, deri te këshillimi juridik dhe ndihma në hartimin e kërkesave apo ankesave drejtuar institucioneve publike. Një rol të rëndësishëm luan edhe orientimi drejt zgjidhjeve alternative, si ndërmjetësimi, duke shmangur shpesh proceset e gjata gjyqësore.

Nga ana tjetër, ndihma juridike dytësore përfshin përgatitjen e dokumentacionit për ndjekjen e çështjeve në gjykatë, duke garantuar përfaqësim nga avokatë të paguar nga shteti ,një mbështetje jetike për qytetarët që nuk mund të përballojnë kostot e drejtësisë.

Kategoritë që përfitojnë automatikisht nga kjo ndihmë falas janë të shumta dhe përfshijnë viktimat e dhunës në familje, personat e abuzuar seksualisht, të miturit në konflikt me ligjin apo viktima të veprave penale, personat me aftësi të kufizuara dhe individët që përfitojnë nga skemat e mbrojtjes sociale.

Shifrat flasin qartë për ndikimin e kësaj qendre në komunitet. Vetëm gjatë vitit 2025 janë trajtuar 285 raste të ndihmës juridike, një rritje e ndjeshme krahasuar me vitet e mëparshme. Që nga hapja në korrik 2022, numri i rasteve ka njohur një rritje të qëndrueshme: nga 75 raste në gjysmën e dytë të vitit 2022, në 225 raste në 2023, 227 në 2024 dhe kulmimi në 285 raste në 2025. Ndërkohë, vetëm në periudhën janar–22 prill 2026 janë trajtuar 128 raste të reja, një tregues i qartë i rritjes së kërkesës dhe besimit qytetar.

Por pas këtyre shifrave fshihen histori reale njerëzore. Sipas Balës, bëhet fjalë për qytetarë që kanë gjetur zgjidhje për çështje të rëndësishme jetike, si zgjidhja e martesës, ndarja e pasurisë, kontaktet familjare apo aksesimi i shërbimeve publike. Një pjesë e mirë e tyre kanë përfituar edhe asistencë për përdorimin e platformës e-Albania, për aplikime të ndryshme si certifikata pronësie apo pensioni i pleqërisë.

Një tregues domethënës i efektivitetit të punës së qendrës është fakti se gjatë vitit 2025, rreth 20 qytetarë kanë arritur të zgjidhin plotësisht problematikat e tyre përmes ndihmës juridike të ofruar. Ndërkohë, shumë të tjerë kanë përfituar zgjidhje të pjesshme apo orientim të vlefshëm për rrugën që duhet të ndjekin.

Përtej zyrave, qendra ka qenë aktive edhe në terren. Vetëm gjatë vitit 2025 janë zhvilluar 29 aktivitete ndërgjegjësuese në bashkitë e qarkut, institucione dhe komunitete të ndryshme, përfshirë edhe nismat “Street Law”, me synimin për ta çuar informacionin juridik sa më pranë qytetarëve.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME