NGA FATMIR POPJA
TIRANË ,12 gusht 2026/Albania Express News/-Dinamo City është gati për një nga sfidat më të rëndësishme të sezonit europian. Skuadra kryeqytetase do të luajë të enjten në mbrëmje ndeshjen e kthimit ndaj Audës në Ligën e Konferencës, me objektivin e qartë për të përmbysur rezultatin e sfidës së parë dhe për të siguruar kualifikimin në turin tjetër.
Një ditë para përballjes vendimtare, trajneri i Dinamos, Ilir Daja, u shfaq optimist në konferencën për shtyp, duke nënvizuar se skuadra e tij ka potencialin për të ndryshuar fatin e kësaj përballjeje.
Daja kërkoi nga lojtarët ekuilibër gjatë gjithë ndeshjes, duke paralajmëruar se Auda është një ekip që mund të ndëshkojë në kundërsulm dhe që ka futbollistë të aftë për të krijuar diferencën individualisht.
“Duhet patjetër që të jemi në ekuilibër gjatë gjithë kohës, që të mos i lëmë kundërshtarit hapësirë, pasi ka lojtarë që individualisht mund të na dëmtojnë. Nuk duhet ta kemi mendjen te rezultati, por te ajo që i themi ne manovrës dhe ekuilibrit”, u shpreh tekniku.
Sipas Dajës, rezultati i ndeshjes së parë nuk pasqyron domosdoshmërisht atë që ndodhi në fushë. Trajneri theksoi se Dinamo krijoi mundësi dhe zhvilloi lojën e saj, por mungoi efikasiteti në momentet vendimtare.
“Pavarësisht se në ndeshjen e parë Auda ka bërë një hap të vogël përpara, edhe ne kemi pasur shanset tona dhe ndeshja mund të kishte mbaruar me një rezultat tjetër. Mendojmë që në fushën tonë jemi më të përshtatur se kundërshtari dhe duhet ta shfrytëzojmë këtë element gjatë 90 minutave”, tha ai.
Daja kërkon agresivitet, por edhe kontroll
Për trajnerin e Dinamos, çelësi i kualifikimit do të jetë kombinimi mes agresivitetit dhe organizimit. Skuadra duhet të kërkojë golin, por pa humbur ekuilibrin dhe pa i dhënë mundësi Audës të shfrytëzojë hapësirat.
“Duhet të jemi agresivë, po aq shumë sa të kemi një shkallëzim shumë të mirë, që të mos i lëmë hapësirë kundërshtarit për të realizuar kundërsulme, sepse e kanë një pikë relativisht të mirë”, theksoi Daja.
Ai kërkoi gjithashtu që futbollistët të mos ndikohen nga presioni i rezultatit të parë, por të përqendrohen te detyrat taktike dhe te mënyra se si duhet zhvilluar loja.
“Ne pak a shumë duhet të bëjmë të njëjtën lojë, por të jemi më efikasë para portës. Rastet që na u krijuan duhet t’i shfrytëzojmë me më shumë efikasitet”, deklaroi trajneri.
Ndeshja e 66-të europiane për Ilir Dajën
Përballja me Audën do të ketë një domethënie të veçantë edhe për Ilir Dajën. Trajneri shqiptar do të regjistrojë ndeshjen e tij të 66-të në kompeticionet europiane, një shifër që tregon eksperiencën e gjatë të tij në arenën ndërkombëtare.
Daja bëri të ditur se gjatë karrierës së tij ka arritur 16 kualifikime në kompeticionet europiane, por theksoi se në një ndeshje të tillë eksperienca e trajnerit nuk është faktori kryesor.
“Eksperienca është goxha e madhe, të them të drejtën. Nesër është ndeshja e 66-të e imja në kompeticionet europiane, me 16 kualifikime. Por besoj që eksperienca vjen në plan të dytë, sepse nesër primarë janë gjithmonë lojtarët, çfarë do të bëjnë ata në fushën e lojës”, u shpreh ai.
Daja beson se grupi mund të japë sërish maksimumin, ashtu si në ndeshjet e mëparshme europiane, dhe se bashkëpunimi në të dyja fazat e lojës mund ta çojë Dinamon drejt objektivit.
Penalltitë? Daja nuk i përgatit paraprakisht
Një nga temat e konferencës ishte edhe mundësia që kualifikimi të vendoset nga pika e bardhë e penalltisë.
Daja zbuloi një detaj interesant nga mënyra e tij e përgatitjes së ndeshjeve. Pavarësisht se në karrierën e tij ka pasur raste kur skuadrat e tij janë kualifikuar përmes penalltive, ai nuk i përgatit ato paraprakisht në stërvitje.
“Të them të drejtën, në të gjithë karrierën, ku kemi pasur disa raste ku jemi kualifikuar edhe me penallti, nuk i kam punuar penalltitë përpara, sepse e di që është tjetër gjë t’i gjuash në stërvitje dhe tjetër në ndeshje. Ka doza emocionale të ndryshme”, tha trajneri.
Sipas tij, më e rëndësishme është që në një moment të tillë të marrin përgjegjësinë lojtarët që ndihen psikologjikisht të gatshëm për të ekzekutuar.
“U kam dhënë prioritet gjithmonë lojtarëve që marrin kurajën për të goditur, sepse ai që merr kurajën për të goditur mendoj se është më i përgatitur psikologjikisht sesa ndonjë tjetër që është me dy mendje”, shpjegoi Daja.
Dinamo kërkon të shfrytëzojë pikat e dobëta të Audës
Në lidhje me planin e lojës, trajneri i Dinamos bëri të qartë se stafi teknik e ka analizuar kundërshtarin dhe ka përcaktuar mënyrën se si do të kërkojë të godasë në pikat e tij më të dobëta.
“Do të bëjmë atë që kemi punuar gjatë gjithë kësaj periudhe pas ndeshjes së kthimit nga Letonia, duke u nisur nga fakti që kemi parë kundërshtarin dhe do të shfrytëzojmë mundësitë që kundërshtari nuk i ka si pika të forta”, deklaroi ai.
Kështu, Dinamo pritet të hyjë në fushë me një qasje të ekuilibruar: presion për të kërkuar golin, por pa harruar rrezikun që vjen nga kundërsulmet e Audës.
Sfida pritet të jetë një provë e rëndësishme për skuadrën kryeqytetase, e cila kërkon të vazhdojë rrugëtimin europian. Për Dajën, përvoja e 65 ndeshjeve të mëparshme europiane është një aset, por në fund gjithçka do të vendoset nga ajo që Dinamo do të bëjë në fushë.
90 minuta për të përmbysur gjithçka. Dinamo City kërkon kualifikimin, ndërsa Ilir Daja kërkon nga skuadra efikasitet, disiplinë dhe besim deri në sekondën e fundit.


