ELBASAN,5 maj 2026/Albania Express News/Një kërkesë e fortë dhe me peshë simbolike është artikuluar këtë fillim javë në sallën e Kuvendit të Shqipërisë nga deputeti socialist i Qarkut të Elbasanit, Adi Qose, i cili ka bërë thirrje publike që Muzeu i Shkollës Normale të Elbasanit të marrë statusin “Muze Kombëtar i Arsimit”.
Në një fjalim të vlerësuar si i drejtpërdrejtë dhe me tone të forta emocionale, deputeti Adi Qose ka përcjellë jo vetëm bindjen e tij personale, por edhe një kërkesë të artikuluar në emër të mësuesve dhe drejtuesve të shkollës “Luigj Gurakuqi” dikur Shkolla Normale e Elbasanit, duke e cilësuar këtë institucion si një nga themelet më të rëndësishme të arsimit shqiptar.
Sipas tij, Muzeu i Normales përfaqëson shumë më tepër sesa një hapësirë ekspozimi.Ai është një dëshmi e gjallë e historisë së dijes dhe përkushtimit të brezave që kontribuan në ndërtimin e shtetit shqiptar. “Është një pasuri e rrallë kombëtare, që mbart identitetin arsimor të vendit dhe meriton statusin që i takon,” është theksuar në mesazhin e tij publik.
Duke iu referuar rolit historik të Shkollës Normale e Elbasanit në formimin e mësuesve dhe elitës intelektuale shqiptare, deputeti Adi Qose ka nënvizuar se kjo trashëgimi nuk duhet vetëm të ruhet, por edhe të promovohet në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar. Ai ka kërkuar që institucionet përgjegjëse të ndërmarrin hapa konkretë për njohjen zyrtare të këtij muzeu si një pikë referimi për historinë e arsimit në Shqipëri.
Kjo nismë vjen si një apel për të forcuar kujtesën historike dhe për të rritur vlerësimin ndaj institucioneve që kanë luajtur rol kyç në ndërtimin e identitetit kombëtar. Sipas Qoses, kthimi i Muzeut të Normales në muze kombëtar do të ishte jo vetëm një akt simbolik, por edhe një investim i rëndësishëm në edukimin e brezave të rinj.
Mesazhi i tij është shoqëruar me një thirrje të qartë ,ruajtja dhe promovimi i kësaj trashëgimie është detyrë e përbashkët, pasi “Normalja e Elbasanit” mbetet një nga shtyllat më të forta të historisë sonë arsimore dhe krenarisë kombëtare.Në vijim të këtij angazhimi, Adi Qose po spikat gjithnjë e më shumë si një zë i fuqishëm dhe i drejtpërdrejtë në trajtimin e problematikave që prekin komunitetin e Qarkut Elbasan. Si një nga deputetët më të rinj në Kuvendin e Shqipërisë, ai ka sjellë një qasje energjike dhe të angazhuar, duke ngritur në mënyrë të vazhdueshme çështje që lidhen me arsimin, zhvillimin lokal dhe nevojat konkrete të qytetarëve.
Zëri i tij në sallën parlamentare është kthyer në një përfaqësim dinjitoz dhe aktiv të interesave të zonës që përfaqëson, duke reflektuar shqetësimet reale të komunitetit dhe duke kërkuar zgjidhje konkrete. Kjo prani e fortë dhe e qëndrueshme e pozicionon atë si një nga figurat e reja më të spikatura politike që synon të ndërtojë një raport më të afërt mes institucioneve dhe qytetarëve.

