Dëgjesa për Reformën Territoriale, kryebashkiakët e qarkut Shkodër kërkojnë më shumë kompetenca dhe mbështetje financiare

TIRANË, 28 maj 2026/Albania Express News/ Komisioni i Posaçëm Parlamentar për Reformën Administrativo-Territoriale, nën bashkëdrejtimin e deputetit të mazhorancës Arbjan Mazniku dhe deputetit të opozitës Luçiano Boçi, zhvilloi sot një seancë dëgjimore me kryetarët e bashkive të qarkut Shkodër, ku në fokus ishin efektet e reformës territoriale dhe nevoja për shtim kompetencash për pushtetin vendor.

Kryetari i bashkisë Vau i Dejës, Kristian Shkreli u shpreh se “bashkia ka nevojë për më shumë kompetenca. Kompetencat që janë dhënë në reformën e vitit 2015 duhet të mbeten. Një sugjerim konkret është që pyjet dhe kullotat të mbeten kompetencë e bashkisë, pasi janë edhe sektorë që ndikojnë në rritjen e të ardhurave vendore”.

Kryetari i bashkisë Malësi e Madhe, Tonin Marinaj vuri në dukje forcimin e kapaciteteve administrative.

“Shoqërimi i reformës në vitin 2015, me një paketë në favor të bashkive e bëri atë shumë efikase. Para reformës njësitë administrative kishin mungesë burimesh njerëzore, ndërsa më pas bashkia u forcua me staf të kualifikuar dhe u krijua mundësia për të mbuluar më mirë me shërbime sektorët si: pyjet, zjarrfikëset dhe shërbimet ndaj banorëve”, tha Marinaj.

Ai nënvizoi se bashkia ka nevojë për më shumë mbështetje financiare.

“Nëse do të kishin më shumë kompetenca për legalizimet, procesi do të ecte më shpejt”, tha Marinaj, teksa shtoi se bashkia e Malësisë së Madhe nuk e sheh të nevojshme një ndarje të re territoriale.

Ndërsa kryetari i bashkisë së Fushë-Arrëzit, Hilë Curri theksoi nevojën për rritje të kompetencave dhe të ardhurave për pushtetin vendor.

“Kemi nevojë për më shumë kompetenca në mbulimin e territorit dhe në vendimmarrje. Bashkia e Fushë-Arrëzit nuk e sheh të arsyeshme të ndahet apo t’i bashkohet një bashkie tjetër”, deklaroi Curri. Ai vuri në dukje potencialin ekonomik të kësaj bashkie, veçanërisht në industrinë e përpunimit të drurit, duke shtuar se Fushë-Arrëzi ka kapacitet që në të ardhmen të arrijë vetëfinancim.

Seancat dëgjimore të Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën Administrativo-Territoriale po vijojnë me drejtuesit vendorë në të gjithë vendin, me qëllim evidentimin e nevojave për përmirësim të mëtejshëm të këtij procesi.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME