NJU MEKSIKO, 17 qershoor 2026/Albania Express News/ – Ka një aspekt që në këto ditët e para të Kupës së Botës po shkakton shumë debat në Shtetet e Bashkuara dhe jo vetëm: pushimet e reja të detyrueshme për hidratim (hydration break), të vendosura për herë të parë në këtë edicion të Botërorit, shkruan lfattoquotidiano.it.
Zyrtarisht ato shërbejnë për të mbrojtur shëndetin e lojtarëve, por shumë njerëz kanë vënë në dukje se përfaqësojnë mbi të gjitha një mundësi të madhe tregtare.
Arsyeja?
Zgjasin tre minuta dhe televizionet e shfrytëzojnë këtë kohë për të transmetuar reklama që vlejnë miliona e miliona dollarë.
Michael Johnson, analist i S&P Global, ka deklaruar – siç raporton La Gazzetta dello Sport – se çdo hapësirë reklamuese “mund të arrijë çmime të ngjashme me ato të Super Bowl-it, mes 7 dhe 9 milionë dollarëve”.
Polemika shpërtheu gjatë ndeshjes hapëse mes Meksikës dhe Afrikës së Jugut.
Në minutën e 24-t të lojës, me një temperaturë rreth 23 gradë Celsius në Mexico City (një temperaturë normale për verën meksikane), arbitri ndaloi takimin për t’u dhënë mundësi futbollistëve të pinin ujë.
Një ndërprerje prej tre minutash që, në transmetimet televizive amerikane, u shndërrua menjëherë në një bllok reklamash kushtuar sponsorëve të turneut.
Sipas disa gazetarëve ndërkombëtarë, problemi nuk është vetë ekzistenca e këtyre pushimeve në kushte klimatike ekstreme, por vendimi i FIFA-s për t’i bërë ato të detyrueshme në të gjitha 104 ndeshjet e Kupës së Botës, edhe kur temperaturat nuk janë realisht aq të larta.
Një zgjedhje e paprecedentë që – siç argumenton edhe gazeta The Independent – ndërpret ritmin e lojës dhe u ofron transmetuesve televizivë hapësira të reja reklamuese.
Efekti u ndje menjëherë në stadiumin ”Azteca”. Pas një fillimi intensiv, me ritëm të lartë dhe mjaft argëtues, ndalesa e papritur e theu rrjedhën e ndeshjes.
Tifozët linin vendet e tyre për disa minuta, muzika me volum të lartë ndërpriste atmosferën konkurruese që ishte krijuar deri në atë moment dhe ekranet gjigante shfaqnin përmbajtje argëtuese në pritje të rifillimit të lojës.
Pikërisht për këtë arsye shumë njerëz në botën e futbollit mendojnë se këto pushime kanë kuptim vetëm kur temperaturat janë veçanërisht të larta.
Mes tyre është edhe trajneri i kombëtares së Shteteve të Bashkuara, Mauricio Pochettino, i cili ka deklaruar se i konsideron të panevojshme kur kushtet klimatike janë normale: “Nuk më pëlqejnë. Më pëlqejnë vetëm në kushte ekstreme”.
Në të njëjtën linjë është shprehur edhe trajneri i Francës, Didier Deschamps: “E ndryshon plotësisht futbollin. Ndoshta një skuadër po luan shumë mirë dhe tre minuta mjaftojnë për t’i prishur ritmin”.
Madje ka edhe nga ata që kanë vendosur t’i “bojkotojnë” këto pushime.
Gazetari Alejandro Berry i Telemundo-s (televizion në gjuhën spanjolle në SHBA) iu drejtua shikuesve me këto fjalë: “Ne nuk transmetojmë reklama gjatë pushimit për hidratim. Bashkohuni me ne për të shijuar futbollin pa ndërprerje”.
Edhe Carli Lloyd, ish-kampione e futbollit, nuk i kurseu kritikat: “E urrej”. Natyrisht, i referohej ndërprerjes së lojës.
Sipas analizës së publikuar nga ”The Independent”, pas vendimit të FIFA-s qëndrojnë kryesisht arsye ekonomike.
Këto pushime e shndërrojnë çdo ndeshje në një lloj eventi të ndarë në katër segmente, në stilin e basketbollit, ku mes time-out-eve dhe katër periodave ndërprerjet janë të shumta.
Kjo rrit ndjeshëm numrin e hapësirave reklamuese në dispozicion. Duke pasur parasysh se Botërori 2026 parashikon një numër rekord ndeshjesh, vlera tregtare e këtyre ndërprerjeve mund të arrijë shifra gjigante për transmetuesit dhe sponsorët.
Kjo çështje futet në një debat më të gjerë mbi komercializimin në rritje të futbollit. Kupa e Botës në Amerikën e Veriut është tashmë më fitimprurësja në histori dhe, sipas FIFA-s, pritet të gjenerojë të ardhura mbi 10 miliardë paund. Për këtë arsye debati ka shumë gjasa të vazhdojë edhe pas përfundimit të turneut.
Nëse sistemi i “hydration break” do të konfirmohet edhe në të ardhmen, pushimet për hidratim mund të bëhen një element i përhershëm në ngjarjet më të mëdha ndërkombëtare sportive.
Edhe pse – siç shkruan The Independent – “nuk është e qartë pse dikujt do t’i duheshin tre minuta për të pirë një gllënjkë ujë”.

