Berisha: Duhet bashkimi më i gjerë i mundshëm i opozitës shqiptare

TIRANË ,28 nëntor 2026/Albania Express News/-Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha bëri sërish sot thirrje për bashkimin e të gjitha forcave opozitare për largimin e qeverisë dhe realizimin e zgjedhjeve të lira.

Nga Kamza, ku zhvilloi një takim me mbështetës të PD-së në kuadër të “Foltores së Ripërtëritjes”, Berisha u ndal te problemet që sipas tij po largojnë shqiptarët nga vendi.

Ai krahasoi administratën e sotme, që shpenzon siç tha, gjithsej 960 milionë euro, me administratën e PD në vitin 2013 që shpenzonte gjithsej 300 milionë euro.

Ndërkohë Berisha theksoi se “Shqipëria u bë vendi me rrogat dhe pensionet më të ulëta në rajon”.

“Të gjitha këto janë instrumente me të cilat ky regjim largon çdo ditë shqiptarët nga Shqipëria. Çmimet në stratosferë: Një litër qumësht në vitin 2012, prodhohej me një kosto 40 lekë, shitej me çmim 67 lekë. Fermeri fitonte 27 lekë. Por edhe blerësi blinte me një çmim të arsyeshëm. Sot një litër qumësht blihet me 180, 190 apo 200 lekë në një kohë kur rrogat janë më të ulëtat në rajon”, shtoi ai.

Ndërsa solli në vëmendje problematikat në zgjedhjet e kaluara, Berisha theksoi se sot opozita është shtuar me një opozitë të re, të dalë nga protestat.

“Sot ne jemi opozitë masive. Sot opozita është shtuar me një opozitë të re, e cila ka bërë që në Shqipëri, ajo që quhet mazhorancë të jetë një minorancë, çdo ditë e më e madhe si minorancë. Lëvizja, e quajtur “e flamingove”, që bashkoi në shesh si kurrë ndonjëherë demokratë, socialistë, të paparti, në dhjetëra-mijëra, qindra-mijëra qytetarë ishte një goditje shumë e rëndë për regjimin, një damkosje ndërkombëtare e jashtëzakonshme”, theksoi ai.

Revolta studentore, sipas kreut të PD-së, ishte shpërthim i një guximi të paparë.

“Shpërthim të atillë guximi rrugët e Tiranës nuk kishin parë ndonjëherë. Dhe ja ku jemi në një situatë krejt tjetër. Jemi në një situatë në të cilën ka një kushtrim, ka një apel që kjo opozitë, më e madhe se kurrë; kjo opozitë, më luftarake se kurrë; kjo opozitë, më e fuqishme se kurrë, duhet të bashkohet. Bashkimi i saj në të gjithë pluralitetin, në respekt të të gjithë identiteteve të këtyre faktorëve kundër të keqes më të madhe që përbën rrezik ekzistencial për Shqipërinë është sot detyrë e çdo shqiptari që i thotë vetes shqiptar”, u shpreh Berisha.

Sipas tij, çështja e parë është largimi me çdo kusht i “regjimit të Ramës”, pastaj zgjedhjet e lira.

“Nuk është çështja e parë çështja e pushtetit të Partisë Demokratike apo të këtyre apo atyre forcave. Çështja e parë është largimi me çdo kusht i rrezikut ekzistencial, regjimit të Edi Ramës, dhe pastaj zgjedhjet e lira, shqiptarët të sjellin në pushtet forcën politike që besojnë më shumë, koalicionin që besojnë më shumë, të votojnë kandidatët që u duken më të mirët. Kjo kërkon që ne të bashkohemi”, u shpreh Berisha, ndërsa solli edhe shembullin e zgjedhjeve në Serbi.

Berisha theksoi se opozita është shumicë me distancë në Tiranë dhe Kamzë.

“Opozita duhet të bashkohet dhe ne do bëjmë gjithçka si parti kryesore opozitare të mirëkuptohemi dhe të bashkëpunojmë me ta. U bë një eksperiment. Pati armiq që menduan se pasi kishim qëndruar të pamposhtur në situatat më kafkiane, tani kujtuan se i erdhi koha për ta fshirë Partinë Demokratike dhe në vend se të luftonin Edi Ramën, hidhnin parulla kundër nesh. Koha provoi se besonin një skenar serb. Po skenari serb ishte krejt tjetër”, tha ai.

Berisha theksoi se koha provoi që në këtë periudhë, forca politike që është rritur më shumë se çdo forcë tjetër është Partia Demokratike dhe kjo vetëm e vetëm për qëndrimet e saj të drejta, të ndershme, parimore që mbajti.

Berisha bëri thirrje për vazhdimin e çdo përpjekje për ripërtëritjen e Partisë Demokratike dhe për bashkimin më të gjerë të mundshëm të opozitës shqiptare.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME

Rrëzohet helikopteri ushtarak në Peru, 8 të vdekur, mbijeton vetëm piloti

PERU ,28 nëntor 2026/Albania Express News/-Tetë persona kanë humbur...

Festa e Pavarësisë, kryeministri Rama: Me 28 Nëntorin më të afërt me Europën e Bashkuar, ju uroj fundjavë të gëzuar

TIRANË ,28 nëntor 2026/Albania Express News/-Kryeministri Edi Rama ka...

28 Nëntori, 114 vite Pavarësi! Gëzuar Ditën e Flamurit, shqiptarë kudo që ndodheni!

28 Nëntori i vitit 1912 mbetet një nga datat...