28 Nëntori i vitit 1912 mbetet një nga datat më të rëndësishme të historisë sonë kombëtare. Një ditë që simbolizon lirinë, krenarinë, sakrificën dhe bashkimin e shqiptarëve rreth flamurit kuqezi.
TIRANË ,28 nëntor 2026/Albania Express News/-Shqipëria feston sot 114-vjetorin e Shpalljes së Pavarësisë. Për shqiptarët kudo që ndodhen, 28 Nëntori është Dita e Flamurit, festa që bashkon në një emocion të vetëm kombin shqiptar, nga Shqipëria në Kosovë, në trojet shqiptare dhe në diasporë.
Më 28 Nëntor 1912, në Vlorë, në krye të përfaqësuesve të krahinave të ndryshme shqiptare, Ismail Qemali ngriti flamurin kombëtar dhe shpalli Shqipërinë shtet të pavarur, duke i dhënë fund sundimit gati pesëshekullor osman.
Pas këtij akti historik, Ismail Qemali, në cilësinë e kryetarit të Qeverisë së Përkohshme, njoftoi gjashtë Fuqitë e Mëdha të kohës: Anglinë, Italinë, Austro-Hungarinë, Francën, Gjermaninë dhe Rusinë, si dhe shtetet ballkanike: Rumaninë, Malin e Zi, Serbinë, Bullgarinë, Greqinë dhe Turqinë, duke kërkuar njohjen e shtetit të ri shqiptar.
Kuvendi i Vlorës zgjodhi Ismail Qemalin në krye të qeverisë së parë shqiptare. Ky akt historik ishte kurorëzimi i përpjekjeve, kryengritjeve dhe sakrificave të brezave të tërë shqiptarësh për liri, pavarësi dhe mbrojtjen e trojeve kombëtare.
Shpallja e Pavarësisë shënoi një kthesë vendimtare në historinë tonë. Ajo i hapi rrugë krijimit të institucioneve të shtetit shqiptar dhe aspiratës për zhvillim politik, ekonomik, shoqëror e kulturor, duke afirmuar të drejtën e shqiptarëve për të jetuar të lirë dhe të pavarur.
114 vite më pas, flamuri kuqezi vazhdon të jetë simboli ynë më i shenjtë kombëtar, kujtesë e historisë, e sakrificave dhe e identitetit që na bashkon përtej kufijve.
Në këtë ditë të shënuar, Albania Express News përcjell urimet më të përzemërta për të gjithë shqiptarët, kudo që ndodhen!

