Nga Xhensil Shkëmbi
POGRADEC,25 prill 2026/Albania Express News/Bashkia e Pogradecit është shpallur një nga fitueset e konkursit kombëtar për nismat me impakt në komunitet, një iniciativë e lançuar nga Organizata Ndërkombëtare për Migracionin dhe e mbështetur nga Ambasada Britanike në Shqipëri.
Ky konkurs synon të inkurajojë bashkitë në të gjithë vendin për të zhvilluar politika gjithëpërfshirëse dhe inovative, duke rritur aksesin në shërbime për qytetarët, fuqizimin ekonomik si dhe bashkëpunimin me diasporën.

Aplikimi fitues është realizuar nga Zyra e Migracionit dhe Diasporës pranë Drejtorisë së Shërbimit Social në Bashkinë e Pogradecit. Përmes këtij projekti, bashkia ka siguruar mbështetje financiare, asistencë teknike si dhe akses në rrjete bashkëpunimi, me synimin për të rritur dhe promovuar iniciativa me ndikim pozitiv në komunitet.
Autoritetet vendore vlerësojnë punën aktive të Drejtorisë së Shërbimeve Sociale, duke theksuar se do të vijojnë të mbështesin çdo nismë që kontribuon në përmirësimin e jetës së qytetarëve dhe zhvillimin e qëndrueshëm të komunitetit.

