Haxhi 2027, Shqipëria firmos marrëveshjen me Arabinë Saudite, synohen shërbime më cilësore për besimtarët shqiptarë

Xhide, ,Arabi Saudite ,13 nëntor 2026/Albania Express News/-Komuniteti Mysliman i Shqipërisë ka hedhur një tjetër hap në përgatitjet për organizimin e pelegrinazhit të shenjtë të Haxhit për vitin 2027. Në kuadër të një vizite zyrtare në Xhide të Arabisë Saudite, Kryetari i KMSH-së, H. Bujar Spahiu, ka nënshkruar marrëveshjen për organizimin e Haxhit të vitit të ardhshëm.

Vizita po zhvillohet me ftesë të Ministrit të Haxhit dhe Umres të Mbretërisë së Arabisë Saudite, Dr. Tevfik Rabiah. Në përbërje të delegacionit shqiptar janë edhe Nënkryetari i KMSH-së dhe koordinatori i Haxhit për Shqipërinë, Lauren Luli, si dhe përfaqësues të tjerë të institucionit.

Gjatë qëndrimit në Arabinë Saudite, Bujar Spahiu zhvilloi një takim zyrtar me ministrin Tevfik Rabiah, ku në qendër të diskutimeve ishte organizimi i pelegrinazhit për besimtarët shqiptarë, përmirësimi i vazhdueshëm i shërbimeve dhe forcimi i bashkëpunimit institucional mes Komunitetit Mysliman të Shqipërisë dhe autoriteteve saudite.

Pas takimit, Kryetari i KMSH-së, H. Bujar Spahiu, dhe Zëvendësministri i Haxhit dhe Umres, Abdel Fettah Meshat, nënshkruan marrëveshjen e Haxhit për vitin 2027.

Dokumenti përcakton kuadrin e bashkëpunimit dhe koordinimit për organizimin e pelegrinazhit, duke vendosur në fokus lehtësimin e procedurave administrative, përmirësimin e kushteve dhe rritjen e standardeve të shërbimeve për besimtarët shqiptarë gjatë qëndrimit në vendet e shenjta.

Pjesëmarrje në Konferencën dhe Panairin Ndërkombëtar të Haxhit

Një tjetër pjesë e rëndësishme e vizitës është pjesëmarrja në Konferencën dhe Panairin Ndërkombëtar të Haxhit, aktivitet katërditor i organizuar nga Ministria e Haxhit dhe Umres, në bashkëpunim me Programin e Shërbimit për Mysafirët e të Mëshirëplotit.

Në këtë aktivitet ndërkombëtar marrin pjesë mbi 520 institucione nga më shumë se 150 vende të botës, duke krijuar mundësi për shkëmbimin e përvojave, prezantimin e shërbimeve dhe forcimin e bashkëpunimit mes institucioneve përgjegjëse për organizimin e Haxhit.

Ndërkohë, pjesë e delegacionit të KMSH-së janë edhe përfaqësues të Zyrës së Haxhit dhe Umres, myftinj, imamë dhe hoxhallarë, të cilët po ndjekin një program të posaçëm trajnimi profesional.

Trajnimi përfshin çështje që lidhen me transportin, akomodimin, shërbimet në Mina, Arafat dhe Muzdelife, drejtimin e grupeve të pelegrinëve, komunikimin dhe procedurat e reja organizative.

Synimi është rritja e kapaciteteve profesionale të personelit që do të angazhohet në organizimin e Haxhit, në mënyrë që besimtarëve shqiptarë t’u ofrohen shërbime sa më cilësore, kushte të përshtatshme dhe një organizim sa më efikas gjatë sezonit të vitit 2027.

Nënshkrimi i marrëveshjes për Haxhin 2027 përbën një hap të rëndësishëm në përgatitjet institucionale të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë për pelegrinazhin e ardhshëm, me objektiv garantimin e një shërbimi dinjitoz për besimtarët shqiptarë që do të kryejnë këtë detyrim të rëndësishëm fetar.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME

Elbasani zhvillon Kampionatin U13 të Hendbollit, gara për titullin kampion kulmon në finale

Në kuadër të zhvillimit dhe promovimit të sportit të...

Berisha: Prioriteti ynë për reformën zgjedhore, krijimi i një fronti opozitar

TIRANË , 13 nëntor 2026/Albania Express News/-Partia Demokratike mblodhi...