Balla: Nuk ka projekt përfundimtar për hartën e re territoriale, reforma mbi kritere teknike dhe ligjore

TIRANË, 23 korrik 2026 /Albania Express News/- Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, deklaroi se protestat para Kuvendit kanë kaluar në akte dhune, duke shprehur solidaritet me katër efektivët e Policisë së Shtetit të lënduar gjatë përplasjeve me protestuesit.

Në një prononcim për gazetarët jashtë sallës së Kuvendit, Balla tha se çdo sulm ndaj punonjësve të policisë përbën sulm ndaj shtetit dhe kërkoi që institucionet e drejtësisë të vlerësojnë masat ndaj autorëve të dhunës.

“Çdo person që godet Policinë e Shtetit, godet vetë shtetin. Gjaku i punonjësve të Policisë së Shtetit është gjaku i vetë shtetit”, deklaroi Balla, duke shtuar se në një vend anëtar të NATO-s nuk mund të tolerohen akte të tilla.

Ai hodhi poshtë pretendimet se bëhej fjalë vetëm për hedhje vezësh, duke deklaruar se pamjet tregojnë akte dhune ndaj efektivëve.

Balla u shpreh se drejtësia duhet të hetojë dhe të vendosë për përgjegjësit.

Kreu i grupit parlamentar socialist përsëriti gjithashtu pretendimet e tij se në nxitjen e dhunës mund të ketë persona me lidhje me regjimin iranian.

Ai përmendi emrin e Dritan Goxhajt dhe kërkoi që organet e drejtësisë të verifikojnë këto deklarime.

“Janë organet e drejtësisë ato që duhet t’i ndjekin këto shqetësime. Besoj shumë që në ditët në vijim do të ketë fakte konkrete dhe procedime konkrete lidhur me këtë”, tha Balla.

Lidhur me masat e sigurisë rreth Kuvendit dhe perimetrin e zgjeruar të policisë, ai deklaroi se institucionet kanë detyrimin të garantojnë zhvillimin normal të veprimtarisë parlamentare.

“Deputetët kanë mision ushtrimin e detyrës. Institucionet e sigurisë kanë për detyrë të garantojnë një perimetër sigurie ku deputetët dhe çdo pjesëtar i Kuvendit të Shqipërisë të ushtrojnë detyrën e tyre”, u shpreh ai.

Duke folur për Reformën Administrativo-Territoriale, Balla tha se aktualisht nuk ka një projekt përfundimtar për hartën e re territoriale dhe se vendimmarrja do të bazohet në kritere teknike, kushtetuese dhe ligjore.

“Pas raportit të gjetjeve fillon procesi i propozimeve dhe shumë shpejt do ta kemi”, tha Balla, duke shtuar se çdo ndryshim do të kalojë përmes konsultimit me pushtetin vendor.

I pyetur për mundësinë e bashkimit të Prrenjasit me Librazhdin, Balla tha se reforma nuk mund të bazohet në preferenca personale apo interesa lokale, por në kritere të përcaktuara.

“Reforma administrative nuk do të jetë: këtë e pranojmë sepse është zonë e dikujt dhe këtë jo. Ajo do të jetë e bazuar mbi disa parime dhe kritere”, deklaroi ai.

Balla tha se bashkitë dhe njësitë vendore do të kenë mundësinë të japin mendimin e tyre gjatë procesit dhe se çështjet e reformës territoriale zgjidhen përmes komunikimit dhe jo protestave.

Në lidhje me debatin për mandatin e deputetit Agron Shehaj, Balla deklaroi se përjashtimi i tij përfundon më 24 korrik, duke argumentuar se afatet janë pezulluar pas kërkesës së bërë për rishqyrtim.

Sipas tij, përjashtimi prej 30 ditësh ka nisur më 22 qershor, por kërkesa për rishikim ka pezulluar afatet dhe koha e mbetur do të llogaritet pas përfundimit të procedurës.

Për reformën territoriale, Balla tha se Komisioni i Posaçëm ka përfunduar mandatin dhe se tashmë propozimet mund të paraqiten nga grupet parlamentare dhe deputetët individualisht.

“Çdo gjë ka një afat. Nëntë muaj kanë mjaftuar për t’u bërë kjo detyrë”, tha ai.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME

Sali Berisha: Reforma territoriale është kusht i BE-së, kërkojmë rikthimin e komunave

TIRANË, 23 korrik 2026 /Albania Express News/ -Kryetari i...

Shkrirja e bashkive, zbulohet raporti i PS për Reformën Territorale: 4 skenarë për ndarjen e re

TIRANË ,23 korrik 2024/Albania Express News/-Partia Socialiste ka publikuar...

Opozita në ‘këmbë’ bllokon foltoren dhe bën zhurmë, mazhornaca vijon me kalimin e projektligjeve të rendit të ditës e vetme

TIRANË ,23 korrik 2026/Albania Express News/-Demokratët u ngritën në...