Aulon Kalaja zgjidhet në krye të PD për Krujë–Fushë Krujë: “Bashkim zemrash për fitoren, Krujës do t’i kthejmë lavdinë”

Një proces i rëndësishëm politik për strukturat vendore të opozitës është përmbyllur me zgjedhjen e Aulon Kalaja në krye të Partisë Demokratike për degën Krujë–Fushë-Krujë. Lajmin e bëri vetë të ditur Kalaja përmes një reagimi publik në rrjetet sociale, ku falënderoi mbështetësit për pjesëmarrjen masive dhe besimin e dhënë.

Në mesazhin e tij, ai vlerëson angazhimin e demokratëve nga Krujë, Fushë-Krujë, Kodër Thumanë, Nikël, Bubq dhe Cudhi, duke e cilësuar këtë proces si një shprehje të fortë uniteti brenda bazës së djathtë. “Nuk do flasim për shifra votash, por për bashkim zemrash që flasin me një zë”, thekson ai, duke e cilësuar mbështetjen si një mandat të qartë për të çuar përpara një projekt të ri politik.

Kalaja e konsideron këtë zgjedhje një nder të veçantë, teksa shprehet se do të përfaqësojë opozitën e “Krujës së Skënderbeut” dhe Fushë-Krujës së lashtë, duke e parë këtë si një përgjegjësi të madhe në një zonë me peshë historike dhe politike.

Në fokus të mandatit të tij ai vendos bashkimin e opozitës dhe orientimin drejt fitores së Partisë Demokratike. “Nuk do të jem gjë tjetër veçse një prej jush”, shprehet Kalaja, duke synuar një drejtim më gjithëpërfshirës dhe të hapur ndaj çdo kontributi.

Ai pranon se procesi zgjedhor nuk ka qenë pa sfida, por i cilëson ato si normale për një forcë politike konservatore. Në këtë kuadër, ai falënderon edhe rivalin në garë, Myftar Ismalaja, për qytetari dhe maturi, duke theksuar se rivaliteti brenda partisë sjell progres dhe forcim të saj.

Një tjetër pikë kyçe e platformës së tij është riorganizimi dhe rifreskimi i strukturave të partisë. Kalaja bën thirrje për përfshirje më të gjerë të familjeve të djathta, themeluesve, të rinjve, por edhe të përndjekurve politikë, duke i cilësuar këta të fundit si “fibra e të djathtës”. Ai thekson se nuk synon të nisë një “vit zero”, por të ndërtojë mbi traditën dhe vlerat ekzistuese të Partisë Demokratike.

Në mesazhin e tij, ai zotohet për një drejtim të ndershëm dhe besnik ndaj mbështetësve: “Një gjë dua t’ju premtoj, se unë nuk do t’ju tradhtoj kurrë”.

Aulon Kalaja bën thirrje për bashkim më të gjerë, duke ftuar edhe të zhgënjyerit dhe indiferentët t’i bashkohen kësaj përpjekjeje për ndryshim, me synimin final: rikthimin e lavdisë për Krujë dhe forcimin e opozitës në këtë zonë kyçe të vendit.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME