AF Elbasani në 8 gusht 2026 i zhvendos përgatitjet në Greqi, dy teste të forta përpara nisjes së sezonit në Abissnet Superiore

ELBASAN  ,02 gusht 2026/Albania Express News/-AF Elbasani vijon me intensitet përgatitjet për sezonin e ri futbollistik, ku verdheblutë synojnë të jenë protagonistë në Abissnet Superiore. Pas miqësores së zhvilluar ndaj Bylisit, stafi teknik ka hartuar edhe kalendarin e radhës të testeve për të vlerësuar gjendjen fizike dhe taktike të skuadrës.

Elbasanasit do të zhvillojnë ndeshjen e radhës miqësore më 6 gusht ndaj Pogradecit, një tjetër sfidë që do t’i shërbejë trajnerit dhe stafit teknik për të parë në fushë afrimet e reja, harmonizimin e grupit dhe zbatimin e ideve të lojës.

Vetëm dy ditë më pas, më 8 gusht, AF Elbasani do të udhëtojë drejt Greqisë, ku do të vijojë fazën tjetër përgatitore jashtë Shqipërisë. Verdheblutë do të qëndrojnë për rreth 10 ditë në kampin stërvitor, ku përveç ngarkesave fizike dhe punës taktike, do të kenë mundësinë të matin forcën edhe në dy përballje të tjera miqësore.

Ndeshjet e planifikuara në Greqi do të zhvillohen më 10 dhe 14 gusht, përballë ekipeve të elitës së futbollit grek. Këto teste pritet të jenë një provë e rëndësishme për skuadrën e Elbasanit, pasi do të japin një panoramë më të qartë për nivelin e përgatitjes dhe konfigurimin e ekipit për sezonin e ri.

Objektivi i klubit është ndërtimi i një skuadre konkurruese, e aftë për të përballuar një kampionat që pritet të jetë edhe më i fortë se edicioni i kaluar. Me investimet e bëra dhe ambiciet e deklaruara, AF Elbasani synon të jetë pjesë e garës për pozitat e larta të renditjes dhe të rikthehet si një nga emrat kryesorë të futbollit shqiptar.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME