Nga BUJAR QESJA
Mjeshtër i Madh
Jetojmë në kohë që flasin për demokraci, por sa herë që diskutojmë për sigurinë dhe rendin publik, kujtesa kolektive na çon tek një emër që nuk fshihet nga koha,Rexhep Kajoshi, simbol i drejtësisë, i urtësisë dhe i përkushtimit në Policinë e Durrësit. Ishte polic që në palcë, dhe ashtu jetoi deri në frymën e fundit.Në një kohë kur shumë flasin për të kaluarën si diktaturë, ka ende një zë të fuqishëm që pohon: “Dikur kishte rend, kishte siguri, kishte qetësi shpirtërore”. Dhe një nga njerëzit që mishëronte këtë realitet ishte pikërisht Rexhep Kajoshi. Ai nuk ishte thjesht një emër në strukturën e rendit, por një shtyllë e palëkundur e sigurisë urbane dhe humane.
Djali shkodran që u bë biri i Durrësit
Rexhep Kajoshi lindi më 26 tetor 1941 në Shkodër, por vendosi rrënjë në Durrës që nga mosha e re. Në qytetin bregdetar ai gjeti veten dhe misionin e tij,t’i shërbejë me përkushtim komunitetit. E nisi karrierën më 1 korrik 1961 si shef i postës së policisë në plazh dhe në pak vite u bë një figurë referuese e policisë së qytetit. Me trupin shtatlartë, vështrimin serioz por me një zemër të madhe, ai krijoi një model që edhe sot mungon.Durrsakët e kujtojnë me mall e respekt. Jo thjesht përse ishte shef policie, por sepse ishte njeri që dinte të dëgjonte, të këshillonte, të ndëshkonte me maturi dhe të falte me drejtësi. E respektonin njerëzit sepse i respektonte të gjithë njësoj. Ishte drejtori që s’u nda kurrë nga thjeshtësia e një polici rrugësh.
Shembull i përkryer i përkushtimit dhe maturisë
Në kohë trazirash, kur rreziku binte mbi njerëzit, Rexhepi rrinte në vijë të parë. Një nga rastet më të njohura ishte përballja me një të armatosur në Rrushkull. Me fjalë të urta dhe sjellje njerëzore, ai e bindi të dorëzohej pa derdhur asnjë pikë gjak. Ishte mjeshtër i qetësisë dhe i analizës. Nuk tregonte kurrë shkopin, por zemrën.Në një rast tjetër, kur një i papunë vidhte për të ushqyer fëmijët, Kajoshi nuk zgjodhi dënimin e verbër. Ai ndërhyri që ky burrë të kthehej në punë dhe të merrte rrogat që i takonin. Kjo ishte drejtësia sociale që ai e konsideronte thelb të detyrës.
Njeri i sportit, artit dhe dashurisë për njerëzit
Ishte i lidhur shpirtërisht me qytetin. Kujtohet për ndihmën e tij në aktivitetet sportive, si rasti kur mundësoi kthimin e tifozëve durrsakë nga Korça me tre maune eksporti. E ndihmonte sportin sepse dinte që kur nxit frymën pozitive, parandalon krimin.I donte këngët shkodrane, humorin, artistët dhe e ndante kohën me njerëz nga çdo shtresë. I thjeshtë në jetesë, i ndershëm në thelb. Edhe magnetofoni i tij mono ishte dëshmi e kësaj përulësie përballë luksit të padrejtë.
Emër që s’duhet harruar, vlerë që duhet nderuar
Emri i Rexhep Kajoshit është një pasuri morale që Durrësi e mban gjallë. Sot është vajza e tij, Elona Kajoshi, që mban gjallë këtë frymë në Policinë e Shtetit duke ndjekur të njëjtën rrugë të nderit dhe drejtësisë. Bashkëshortja e tij, Xhyhere, një grua e rrallë, iku në moshë të re. Edhe kjo humbje e rëndë ndikoi në rrugëtimin e fundit të këtij burri fisnik.Me 13 tetor 2008, kur Rexhep Kajoshi mbylli sytë, u nda nga jeta një epokë, por u lind një kujtesë që nuk shteron. Një Durrës i tërë e përcolli në heshtje, përmes lotëve dhe përshëndetjeve ushtarake, për të nderuar jo vetëm një polic të shkëlqyer, por një njeri të rrallë.
Në vend të një fundi, t’i vëmë emrin atij që i takon
Drejtoria e Policisë në Durrës, një repart hetimi apo sektor i rendit, meriton të mbajë emrin e Rexhep Kajoshit. Kjo nuk është vetëm simbolikë, por një rikthim i kujtesës për të udhëzuar brezat që vijnë. Ai nuk ishte thjesht një njeri i detyrës, por një njeri i drejtësisë dhe njerëzores. Nuk është vetëm Elona që ruan trashëgiminë e tij, por të gjithë ata që e kanë njohur dhe kujtojnë atë me mall.Deviza e tij jetësore ishte e thjeshtë dhe e thellë:“Të mirën që bën, hidhe në det. Nëse s’ta njeh njeri, ta sjell Zoti vetë.”Zoti e ka sjellë këtë të mirë në kujtesën tonë, në shembullin që ai la pas. Rexhep Kajoshi nuk është më fizikisht mes nesh, por prania e tij mbetet udhërrëfyese ,për çdo uniformë, për çdo qytetar, për çdo njeri.