Në Portin e Durrësit mbërriti sot për herë të parë kroçera luksoze “Seven Seas Grandeur”, e cila solli 728 turistë në bord, kryesisht nga SHBA, Kanadaja, Mbretëria e Bashkuar, Australia, Brazili, Gjermania, Spanja dhe Japonia. Kroçera u ankorua në kalatën nr.5 të portit më të madh në vend.
Sipas Autoritetit Portual Durrës, gjatë këtij viti në port kanë mbërritur mijëra turistë me kroçera, duke konfirmuar se Durrësi po bëhet një nga destinacionet më tërheqëse mesdhetare për itineraret ndërkombëtare të kroçerave.
Prania e vizitorëve gjatë muajve të vjeshtës tregon se sezoni turistik në Durrës nuk përfundon me verën dhe se turizmi detar po shndërrohet në një trend gjithëvjetor, duke promovuar Shqipërinë si destinacion tërheqës për vizitorët e huaj gjatë gjithë vitit.
Pas ndalesës në Durrës, kroçera do të vazhdojë lundrimin drejt Kotorrit në Malin e Zi. Kjo vizitë shënon mbylljen e sezonit të kroçerave për vitin 2025 në Durrës.