Ligji që s’është për të gjithë!

Nga Xhensil Shkëmbi

Sot në Tiranë, në mes të gjykatës, u vra gjyqtari Astrit Kalaja.
Një burrë nga Shkodra mori armën dhe e qëlloi brenda në sallë, për çështje pronash.
Në vendin që duhet të ishte më i sigurt, u derdh gjak.
Në vendin ku njerëzit kërkojnë drejtësi, u dëgjua britma e padrejtësisë.

Kjo që ndodhi sot nuk është vetëm një vrasje.
Është pasqyra e një Shqipërie që është lodhur nga sistemi.
Një Shqipëri që e ka kthyer drejtësinë në mall luksi.

Në këtë vend, drejtësia është si një pjatë që nuk hahet nga të gjithë,
por vetëm nga ata që kanë “të njohshëm”.

Sepse hajde ta themi troç:
Kur ti je djali i deputetit, i ministrit, i atij që ka para,
ti s’ke frikë nga ligji.
Ti mund të ecësh pa patentë, mund të parkosh ku të duash,
mund të bësh një gabim në rrugë, dhe polici të buzëqesh:
“E njoh unë atë, lëre.”

Ndërsa ai tjetri, i varfëri, që s’ka njeri, që mezi mban makinën me karburant,
po ta ndalojë polici, e di si shkon puna:
Ia heqin patentën, ia heqin bukën, ia heqin edhe shpirtin.

Këtu ligji është si një kostum që i bën vetëm disa veta.
Për të tjerët nuk ka masë.

Në gjykata, politikani që ka vjedhur miliona euro dënohet një vit — dhe as atë s’e bën.
Ndërsa i riu që kapet me dy gram hashash, shkon katër vjet në burg.

Ku është drejtësia?
Ku është logjika?
Apo vetëm lekët kanë logjikë në këtë vend?

Të gjitha këto kanë bërë që njeriu i thjeshtë të mos ketë më besim te asgjë:
as te shteti, as te ligji, as te njeriu përballë.
Sepse këtu nuk ka barazi.
Ka njerëz që lindin me “mik” dhe të tjerë që lindin pa fat.

Po dhe populli vetë ka faj.
E pranon këtë sistem.
E sheh që dikujt i falet gjithçka dhe prapë hesht.
E sheh që dikush vjedh miliona dhe prapë i thotë:
“Bravo i qoftë, diti ta bëjë.”

Ndaj dhe s’ka për të ndryshuar gjë.
Sepse kur populli vetë nuk respekton veten,
as shteti s’e respekton.
Kur qytetari hesht, padrejtësia merr zë.

Shqipëria është bërë si një shtëpi ku muret kanë rënë,
dhe secili futet e del si të dojë.
Një vend ku i forti është ligj,
dhe i dobëti është fajtor edhe kur është i pafajshëm.

Këtu nuk është më çudi që vritet gjyqtari brenda në gjykatë.
Sepse njerëzit janë lodhur të trokasin për drejtësi.
Kur shteti nuk dëgjon, plumbi bëhet përgjigje.

E kjo është tragjedia më e madhe që mund t’i ndodhë një vendi:
kur qytetari s’ka më besim te drejtësia,
fillon ta marrë vetë hakun.

Kjo që ndodhi sot është një plagë që nuk mbyllet dot me komunikata policie.
Është plagë që del nga rrënjët e sistemit.
Sepse ne s’kemi ndërtuar shtet, kemi ndërtuar rrethana.

Një vend ku ligji nuk është për të gjithë,
nuk është vend — është tallje.

Kështu pra, sot, në mes të Tiranës, u vra jo vetëm një gjyqtar.
U vra edhe besimi se drejtësia mund të ekzistojë për të gjithë.
U vra ideja se ligji është i barabartë.
E ky është krimi më i madh.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

spot_imgspot_img

LAJME TË NGJASHME

Tragjedi në Itali: Tre karabinierë humbin jetën nga një shpërthim pranë Veronës

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mëngjesin e sotëm...

Nga zëri i qytetarëve te politikat vendore: Elbasani shembull për qeverisje gjithëpërfshirëse

Në ambientet e Bashkisë Elbasan u zhvillua një takim...

Elbasani në qendër të fushatës “Mbrojtja Civile në Turne 2025”!

Në Ditën Ndërkombëtare për Reduktimin e Riskut nga Fatkeqësitë,...

Kur monopatinat bëhen më të rrezikshme se korrupsioni

Nga Lutfi Dervishi Monopatinat, rreziku kombëtar numër 1 Ministrja Diella, pas...