Intervistë speciale me Piro Kitën, ikonën e gazetarisë sportive të Elbasanit

Nëse do të kërkonim të përkufizonim me një fjali kontributin e Piro Kitës në gazetarinë sportive shqiptare, ndoshta do të thoshim: “Një zë i Elbasanit që u dëgjua denjësisht në gjithë Shqipërinë.” Piro Kita nuk është thjesht një emër i njohur për ata që kanë ndjekur sportin, veçanërisht në trevat e Elbasanit, por një dëshmi e gjallë e pasionit që ndërthuret me përkushtimin, profesionalizmin dhe dashurinë për fjalën e shkruar.

Nga një djalosh që shijonte sportin si spektator dhe e rrëfente me pasion mes miqsh, ai u shndërrua në një ndër penat më të respektuara të gazetarisë sportive shqiptare. Prej 23 vitesh në dy nga gazetat më të rëndësishme sportive të vendit, “Sporti Popullor” dhe “Sport Ekspres”, Piro Kita ka sjellë me një vështrim të hollë, por të ngrohtë, ngjarjet, emocionet dhe historitë që sporti krijon përtej rezultatit. E nisim këtë intervistë me ndjesinë se po flasim me një enciklopedi të gjallë të sportit elbasanas dhe jo vetëm. Mirë se erdhe, Piro!

Z. Kita, si lindi tek ju pasioni për gazetarinë sportive?

Pasioni për sportin ka nisur që në fëmijëri. Ndiqja me pasion çdo veprimtari sportive që zhvillohej në qytetin tim, Elbasan, por edhe më gjerë në vend. Në ato vite sporti kishte një frymë komunitare që të tërhiqte natyrshëm. Më pas, dëshira për të shkruar dhe për të rrëfyer ato emocione bëri që këto dy pasione të bashkoheshin. Dhe kështu, një ditë dërgova një shkrim për shoqërinë time në gazetën “Sporti Popullor”. Më 9 prill 1985 ai shkrim u botua. Ishte emocion i papërshkrueshëm!

Dhe prej aty nisi gjithçka?

Po. Pas atij botimi, pas disa ditësh, më erdhi një propozim nga redaksia për të bashkëpunuar rregullisht. E pranova me shumë kënaqësi. Ishte një kohë kur gazeta drejtohej nga emra të mëdhenj si Besnik Dizdari dhe Nexhat Gjuzi. Redaktorë të tjerë ishin Bashkim Tufa, Baku Gjoni, Albert Karanxha… Një ekip i jashtëzakonshëm. Ndiqnim të gjithë veprimtarinë sportive të rrethit, nga sportet elitare te ato shkollore apo të qendrave të punës. Gazetaria në ato vite kërkonte përkushtim të plotë dhe ndjeshmëri të veçantë për t’u dhënë zë sportistëve lokalë.

Çfarë do të veçonit nga periudha 16-vjeçare me “Sporti Popullor”?

Ishin vite të arta për mua. Jo vetëm profesionalisht, por edhe emocionalisht. U vlerësova me dy çmime shumë të rëndësishme: në vitin 1993 me çmimin “Gazetar i Dalluar” dhe në 1995 me çmimin “Anton Mazreku”, në edicionin e tij të parë. Të dy këto vlerësime më dhanë besimin që puna ime kishte ndikim dhe vlerë.

Pas vitit 2001 kaluat te “Sport Ekspres”. Si erdhi ky ndryshim?

Në vitin 2001 më propozuan të zëvendësoja gazetarin Aleko Likaj, që po largohej jashtë vendit. Kisha respekt për këtë gazetë dhe për redaksinë që drejtohej nga Fatmir Mëneri e Mikel Janku. Ishte një sfidë e re, në një periudhë kur “Sport Ekspres” rivalizonte fort me “Sportin Shqiptar”. Bashkëpunova për 7 vjet me këtë gazetë dhe ruaj kujtime të shumta.

Cilat janë dy momentet më të paharrueshme nga ajo kohë?

E para ishte ndeshja ndërkombëtare mes Elbasanit dhe Vardarit të Shkupit, më 28 korrik 2005. Ishte një emocion i madh të jem pjesë e delegacionit si i dërguar i gazetës. Tjetra ishte festa popullore në qytetin e Elbasanit kur ekipi ynë fitoi titullin kampion për herë të dytë në elitën e futbollit shqiptar. Gëzimi ishte aq spontan, aq i pastër, sa ndjeva se çdo fjalë që shkruaja për atë ditë ishte pak për të përshkruar emocionin.

Në vitin 2008 i thatë lamtumirë gazetarisë aktive. Çfarë ndjesie ju la ky moment?

Ishte një ndarje e natyrshme, në moshën 60-vjeçare. Kishte ndryshuar struktura e gazetave, pronarët, stafet… Por nuk ishte një ndarje me sportin apo me fjalën. E mbaj ende gjallë këtë pasion, edhe pse jo më në forma të përditshme.

Si e shihni sot gazetarinë sportive në krahasim me kohën tuaj?

Gazetaria sot ka shumë më tepër mundësi, por edhe më shumë sfida. Teknologjia e ka bërë informacionin të menjëhershëm, por jo gjithmonë të thelluar. Ka pak gazetari analitike, pak përkushtim ndaj detajit. Sot shumë “gazetarë” harrojnë se sporti nuk është vetëm rezultat, por mbi të gjitha është emocion, karakter, histori njerëzore.

Çfarë do t’u thoshit të rinjve që duan të ndjekin rrugën tuaj?

Të mos nxitohen për famë. Të duan sportin dhe të respektojnë të vërtetën. Gazetari i mirë është ai që i rri besnik faktit, por e rrëfen me zemër. Ky profesion nuk është i lehtë, por është i bukur nëse bëhet me pasion.

Zoti Kita, ju faleminderit për këtë intervistë të veçantë dhe për gjithçka që keni dhënë për gazetarinë sportive shqiptare.

Faleminderit juve që më rikthyet në një udhëtim të bukur në kohë. Për mua sporti dhe gazetaria kanë qenë pjesë e shpirtit tim. Dhe kjo nuk ndryshon kurrë, edhe kur nuk mbaj më stilolapsin në dorë.

Intervistoi: Fatmir Popja 

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

spot_imgspot_img

LAJME TË NGJASHME

Balluku në Austri, diskutime për investime në energji dhe turizëm

Zëvendëskryeministrja dhe njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda...

Ata që e mbajnë Elbasanin mbi supe janë skuadra e fitores dhe e së ardhmes

Në sfondin e një Elbasani që ecën përpara, janë...

Presidenca, kërkesë Kushtetueses: Shpallni moskompetencë për dekretin e zgjedhjeve në Tiranë

Institucioni i Presidentit, në cilësinë e palës së interesuar,...