Nga Hysni Gurra
Veliaj hëngri Tahirin, Belinda hëngri Veliajn,si shpëtoi Bela?
Politika shqiptare ka një rregull të pashkruar.Lideri i fortë nuk lë kurrë skenën hapur për trashëgimtarë. Edi Rama e ka kthyer këtë në art, duke shndërruar Partinë Socialiste në një teatër ku aktorët ngrihen, bien dhe konsumohen sipas nevojës së regjisë.
Akti i parë: Tahiri
Pas 2013, Saimir Tahiri u shfaq si figurë e fortë: ministër i Brendshëm karizmatik, shpesh më popullor se kryeministri vetë. Regjisori i vendosi një rival: Erion Veliaj. Ky i fundit nuk kursente asgjë për t’i ngrënë kokën dhe për të ngelur vetëm për vetëm me shefin. Tahiri ra, një karrige e fuqishme mbeti bosh.
Akti i dytë: Veliaj
Veliaj ngeli në skenë si më i forti pas Ramës, si njeriu që i hëngri kokën Tahirit dhe s’kishte kush e ndalte më. Kryebashkiaku modern, energjik, i lidhur me ambasadat dhe Sorosin – trashëgimtar i PS-së. E shndërroi Bashkinë e Tiranës në trampolinë të këtyre ambicieve. Por sa më shumë rritej, aq më shumë bëhej problem. Deri sa iu gjet rivali i duhur: Belinda Balluku. Kalkukalore strategjike, gjakftohtë, nuk e kalon kurrë masën në ambicie, kështu regjisori e përdori për t’i ulur dritën mbi aktorin më të ndritshëm të deriatëkohshëm, Erion Veliaj.

Akti i tretë: Balluku vetë
Të gjithë prisnin radhën e saj. Por ajo jo vetëm që nuk u prek, por u fuqizua. Ministre, zv/kryeministre, sot figura më e fortë pas Ramës. Forca e saj buron sigurisht nga kryeministri – për të qenë numri dy, vetëm aq sa i intereson numrit një. Dhe ajo nuk e kalon masën.
Pse shpëtoi edhe këtë herë dhe la shumë të zhgënjyer? Sepse nuk ka ende një rival aktual. Nuk ka Saimir apo Erion të ri. Dhe, ajo, me sa duket ka mësuar nga historia e gjyshit. Plus që vetë celula qendrore është tkurrur nga mungesa e burimeve njerëzore. Ja një pyetje për naivët që u zhgënjyen pse nuk ra Balluku: Jeni në gjendje të thoni një emër që mund ta rivalizojë sot për sot? S’ka, s’e gjeni dot, nuk e bën dot as Elisa, as Ogerta, lere më pastaj Erion Braçe.
Epilogu: Regjisori në kërkim të një rivali për Belën
Formula e Ramës: përdor – konsum – sakrifiko.
Tahiri u përdor për të forcuar pushtetin e parë dhe për të neutralizuar socialistët e vjetër. Veliaj, për të mbajtur gjallë imazhin modern dhe vrarë Tahirin. Balluku për të vrarë Veliajn dhe sot, për të ruajtur ekuilibrin. Por të tre, secili në kohën e vet, mbeten të përkohshëm. Regjisori nuk lejon trashëgimtarë – vetëm aktorë që hyjnë e dalin nga skena. Publiku është i njëjti: spektator idiot. Aktorët ndryshojnë. Rama mbetet i pandryshueshëm, duke luajtur skenarin e tij: “të gjithë janë të përkohshëm, përveç meje”.



