Sporti Shqiptar publikon informacionet e fundit për gjendjen e tij shëndetësore: Ervini ndodhet nën kujdesin e mjekëve, është i vetëdijshëm dhe komunikon normalisht.
TIRANË , 19 nëntor 2026/Albania Express News/-Lajme inkurajuese vijnë për gazetarin e njohur sportiv Ervin Baku, i cili ka pësuar një aksident rrugor pasi është përplasur nga një autobus teksa udhëtonte me motorin e tij.
Në një publikim të gazetës “Sporti Shqiptar”, bëhet e ditur se, pas komunikimit me fotografin e mirënjohur Fred Hazisllarin, mik i Ervin Bakut ,informacionet për gjendjen shëndetësore të gazetarit janë optimiste.
Sipas të dhënave të bëra publike, Baku ndodhet nën kujdesin e mjekëve dhe gjendja e tij paraqitet e qëndrueshme. Ai ndihet mirë, është në gjendje të komunikojë normalisht, ndërsa po vijojnë ekzaminimet e nevojshme mjekësore, përfshirë edhe skanerin, për të vlerësuar me kujdes pasojat e aksidentit.
Lajmi më i rëndësishëm dhe që ka sjellë lehtësim te kolegët, miqtë dhe njerëzit që e njohin është se, sipas informacionit të publikuar nga “Sporti Shqiptar”, gazetari nuk ndodhet në rrezik për jetën.
Aksidenti ka shkaktuar shqetësim në komunitetin e gazetarëve sportivë, ku Ervin Baku njihet për pasionin, energjinë dhe angazhimin e tij në gazetarinë sportive.
Pas lajmit për aksidentin, urimet për shërim të shpejtë dhe mesazhet e solidaritetit janë kthyer në një mbështetje të veçantë për gazetarin dhe familjarët e tij në këto momente.
Albania Express News i bashkohet urimeve për shërim të shpejtë të Ervin Bakut!
E presim sa më shpejt të rikthehet pranë familjes, miqve dhe kolegëve, në redaksi e në stadiume, me buzëqeshjen, humorin dhe pasionin që e karakterizojnë.
Të shkuara, Ervin! Shëndet dhe forcë! Kjo është ndeshja që duhet ta fitosh! ❤️

